Gazetarja Marjana Bulku-Zeneli, prezantoi të shtunën e kaluar në “The Producers Club Theater”, në qytetin e New York-ut, librin e saj “Një jetë disa histori”. Një botim përmbledhës me intervista, profile shqiptaro-amerikane, ese dhe refleksione letraro-gazetareske.
Libri i Bulkut, ka si qëllim të sjellë bashkë individualitete shqiptare të cilat udhëve të integrimit kalojnë sfida të përbashkëta, shumë prej të cilave janë iluminuese për të tjerët sot dhe nesër.
Gazetarja Marjana Bulku-Zeneli, vet/organizatore e këtij aktiviteti, së bashku me familjen në fjalën hapëse, tha se e shkroi këtë libër pas ardhjes në Nju Jork, dhe se libri i saj është një botim dhe përmbledhje e një pune disa vjeçare e gazetarisë dhe publicistikës së saj.
“Libri “Një jetë disa histori”, është produkt i njohjeve dhe komunikimeve të drejtpërdrejta në studion e televizionit Albanian Culture TV në New York, si dhe i mjaft veprimtarive pranë institucioneve të tjera si Federata Panshqiptare Vatra, Albanian American Dual Language & Culture, Dita Botërore e Librit, etj. Libri i Marjanës është një stil i veçantë shkrimi ku alternohen pyetjet e shumta argumentuese me përgjigje analitike, evokime veprash dhe vlerësime mbi individë, akte e veprimtari të cilat me rritjen e emigracionit e kanë intensifikuar sasinë por edhe cilësinë: “Komunikimi përmes intervistave, përgjithësimeve, reflektimeve dhe krijimeve letrare sjell në një volum të vetëm një galeri të gjerë plot me informacion historik, kulturor dhe intelektual duke krijuar kështu një kulturë përbashkuese të shqiptarëve që jetojnë jashtë territoreve shqiptare dhe që Shqipërinë e kanë gjithmonë me vete”.
Marjana Bulku foli po ashtu në idenë e librit: “Unë vendosa ”ta ndërtoj“ këtë “Muzeum” në këto faqe libri përmes përshkrimeve dhe analizave të mia, intervistave dhe konkluzioneve përtej pyetjeve pasi në fare pak vite të jetës time në Nju Jork, SHBA pata fatin të njoh disa prej tyre, falë komunikimeve të drejtpërdrejta ku njoha historitë, preka veprimtaritë, ndjeva përpjekjet e pandalshme që shqiptarët punëtorë e fisnikë të Amerikës bëjnë për të mbajtur gjallë lidhjet me vendin amë: Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi Jeta e çdo njërit prej tyre mbart kaq shumë histori shumë prej të cilave nuk duhen harruar, ka nga ato që janë frymëzuese dhe burim krenarie, prandaj dhe vendosa t’i përjetësoj përmes faqeve të një libri.”
Televizioni Albanian Culture TV në New York, me kitë rast shfaqi një video ku prezantonte në formën e një slideshow, punës së saj pesëmbëdhjete vjeçare, video e cila ngjalli kërshëri tek të pranishmit
Kurse, kolegia e saj, Mimoza Belliu, në fjalën e saj tha se ishte mjaft e nderuar që sot marr pjesë me zemër në këtë aktivitet të mikeshës sime të mrekullueshme Marjana Bulku: “Në këtë ditë të shënuar për Marjanën, por edhe për ne, Familjen Belliu dhe Televizioni Kultura Shqiptare, unë, për arsye shëndetësore, nuk munda të isha e pranishme për të hapur këtë eveniment letrar e historik. Falenderoj Marjanën që e përqafoi kërkesën që këtë shkrim ta lexojë Vera, bashkëpunëtore e Marjanës në rubrikën “Një Jetë, Disa Histori”.
Në fjalën e saj zonja Belliu tha se si lindi ideja për rubrikën televizive “Një Jetë, Disa Histori” të Marjana Bulkut, e cila tha ajo, dallohet për origjinalitetin në krijimtarinë e saj, duke mos dal nga vetvetja në këtë vështrim kroniko-historik të punës sonë të përbashkët.
“Shumë kush mund ta bej pyetjen: Si e njohëm ne (familja Belliu) Marjanën? Shkak i njohjes sonë është miku ynë i përbashkët, Ambasadori Mal Berisha. Qëllimi ynë si televizion ka qenë të jemi në shërbim të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe në ekran të projektojmë jetën e përditshme të tij. Televizioni Kultura Shqiptare ka qenë gjithmonë me dyer të hapura për këdo që ka pasur dëshirën për të krijuar rubrika televizive. Dhe kështu duke qenë në kërkim të vazhdueshëm të talentit moderator e krijues për rubrika realiste që të pasqyronin jetën e shqiptaro-amerikanëve, më në fund bëmë “BINGO”!
Znj. Belliu tregojë se për të filluar një bashkëpunim simbiolik që do të kthehej më vonë edhe në miqësi të ngushtë familjare, në fillimet e bashkëpunimit, se ajo ishte e mendimit që Marjana të krijonte një rubrikë ku do të sillte para ekranit, jetën e përditshme të shqiptaro-amerikanit, qoftë ai apo ajo me tituj shkencore, apo një njeri i thjeshtë që kontribon në mënyrë të thjeshtë në jetën tonë të përditshme.
“Unë personalisht, kam dashur që ekrani i televizionit Kultura Shqiptare të jet kuptimplot e domethënës, i popullit dhe për popullin, jo jeta fallso, por realiteti ynë i përditshëm. Këtë ide kishte edhe Marjana. Mendimet e idetë tona u puqën plotësisht për të krijuar një rubrikë ku do të intervistoheshin shqiptaro-amerikanë që me mënyrën e tyre kishin kontribuar në kultivimin e ruajtjen e identitetit kombëtar, por në të njejtën kohë edhe ishin integruar në jetën e perditshme të vëndit ku jetojmë”.
Por si do të titullohej kjo rubrikë?
Këtu zonja Belliu, thotë kjo ishte një tjetër dilemë që kërkonte zgjidhje: “Që të tre, Ademi, unë e Marjana, gjatë bisedës po kontribonim me shëmbuj titujsh, ca të gjatë e ca të shkurtër, por më në fund Marjana me cilesinë kreative të saj tha individi që intervistohet tregon jetën e tij, gjatë secilës ka shumë histori. Kështu lindi titulli “Një Jetë, Disa Histori” i rubrikës me moderatore Marjana Bulku.”
Shumë kush mund ta adresojë Marjanën si gazetare apo moderatore.
“Por jo, Marjana Bulku eshte një krijuese origjinale dhe e mirëfilltë letrare. Ajo i dha një tjetër jetë televizionit Kultura Shqiptare në këto 10 vjet me “Një Jetë, Disa Histori.” Një tjetër vizion intervistimi me pyetje spontane, duke ju permbajtur origjinalitetit të jetës së personazhit. Është e pamundur për Marjanën të ndali hapin e saj krijues. Dhe botimi më i ri i saj me titull “Një Jetë, Disa Histori” është një provë jetësore. Marjana deshte të zbardhte në letër këtë experiencë të bukur të ekranit, po tashmë të parë në një tjetër këndvështrim: personazhet e intervistuara më parë me pyetsor të ri, dhe një pasurim me personazhe të reja”, tha Mimoza Belliu.
Shkrimtari dhe publiçisti Mal Berisha, në fjalën e tij tha se, “është më se e natyrshme që Marjana Bulku, gazetare e televizionit Albanian Culture TV në New York, dhe disa mediave të shkruara, përfshirë gazetën Dielli, mediat elektronike, të prezantonte librin e saj , “Një jetë disa histori”, këtu ku edhe e nisi gazetarinë në Nju Jork, me shqiptarët e Amerikës.
Ai tha se promovimi i një libri përbën gjithmonë një moment emocional, jo vetëm për atë që e shkruan por edhe për ata që e kanë lexuar ose do ta lexojnë atë, dhe që gjejnë brenda faqeve të tij jo vetëm jetën e dikujt tjetër, por shumëçka edhe nga vetvetja.
“Libri që po promovojmë sot “Një jetë disa histori” i autores Marjana Bulku, për mendimin tim është pikërisht libri ku të gjithë ne dhe qindra mijëra shqiptaro – amerikanë e gjejme vetveten në një mënyrë ose në një tjetër. Arësyea është e thjeshtë: Të gjithë kanë kaluar nëpër një kalvar mundimesh për të ardhur në këtë vend dhe për t’u përshtatur me atdheun e dytë, Amerikën duke marrë me vete mallin, dhimbjen, shqetësimin dhe dashurinë për atdheun që kanë lënë pas.”
Ish Ambasadori i Shqipërisë në Britani, tha se mbasi e kishte lexuar librin e Marjanës, dua të them me plot gojën se ky libër është një transkriptim virtuoz i fjalëve të thëna prej të intervistuarve në intervistat televizive. Mendimi i autores që nëpërmjet të këtyre intervistave të sillte historitë individuale të secilit, në fakt na ka sjellë një imazh kolektiv të bashkësisë Shqiptaro – Amerikane në periudhën në fjalë. Në këtë aspekt më duket sikur kur mbaron së lexuari ke biseduar përpara një kamere me të gjithë shqiptarët e Amerikës të përmbledhur në një individ i cili ka këto cilësi:
- Dashurinë për atdheun
- Patriotizmin,
- Virtytet më të mira shqiptare
- Përpjekjte titanike për tu përshtatur në vendin e ri në Botën e Re.
- Respekti për vendin ku kemi ardhur,
- Progresin ekonomik dhe edukimin e klasit të parë botëror.
- Organizimin shoqëror dhe kontributin kombëtar.”
Ky libër është një haraç nderi për arritjet e shqiptarëve i ofruar nga autorja, tha Berisha.
Më pas e përshëndeten autoren e librit “Një jetë disa histori”, pedagogja Mjaftime Brataj, studiuesi Idriz Lamaj, Agim Rexhaj – Presidenti Nderi i Vatrës, altivistja Lumi Hadri,shkrimtari Orhan Sakiqi, Adem Belliu, dhe u lexua përshëndetja e ish-Drejtorit i VOA-s për EuroAzinë, Frank Shkreli mesimdhënsja Znj. Drita Gjongecaj, e cila prej shumë vitesh i është përkushtuar mësimit të gjuhës shqipe në SHBA, tha se si e ka njohur dhe ka bashkëpunuar me autoren e librit “Një Jetë, Disa Histori”, në shumë aktivitete.
Folësit po ashtu thanë se libri i Marjana Bulkut, “Një jetë disa histori” i cili është një botim publicistik me intervista, profile shqiptaro-amerikanësh, esse dhe refleksione letraro-gazetareske të autores është një libër që ka publikime, të këtyre 15 vjeteve të saj të ardhjes në Nju Jork.
Ata thanë se ajo shkruan në një stil krejt të veçantë nga librat e tjerë të këtij zhanrri, duke sjellë bashkë individualitete shqiptare të cilat udhëve të integrimit kalojnë, përvoja dhe sfida të përbashkëta, shumë prej të cilave janë iluminuese për të tjerët sot dhe nesër.
“Marjana e ka shkuar këtë libër me një stil të veçantë larg shkrimeve dhe librave mediokër dhe librat ose shkrimet e vet/lavderimeve, promovimit të vetvetes, ose hyrje me dhunë si me thënë dhe duan të vet/bëjnë protagonistin në komunitet, çdo ditë në mediat sociale duke u vetquajtur gazetar , shkrimtar, poet e intelektual politikan, e sa e sa tituj i japin vetvetes”.
Prezantimi të shtunën(18 maj 2024) në qytetin e New York-ut, The Producers Club Theater, i librit “Një jetë disa histori”, u mbyll me monolugun “30 Gonxhe të Vyshkura” interpretuar nga aktorja Vilma Hodo, me libret te Marjana Bulkut, realizuar Olsi Beci, dhe një koktejl.