Libri “Një jetë, disa histori” shënon një piktakim mes përvojës së shumëkujt në Diasporë dhe shkrimtares së talentuar Marjana Zeneli Bulku.
Kjo përmbledhje e rrallë e intervistave, profileve shqiptaro-amerikane, eseve dhe refleksioneve letraro-gazetareske nuk është vetëm një libër, por një rrugëtim emocionues që na çon në zemrën e diasporës shqiptare në SHBA. Duke filluar nga historitë e ngjarjeve personale të individëve të ndryshëm deri te vlerësimi i thellë i rolit te shkrimtarëve në ndërtimin e urave që lidhin Shqipërinë dhe Amerikën ky botim është një prezantim i jashtëzakonshëm i pasurisë dhe kompleksitetit të identitetit dhe trashëgimisë tonë kulturore ne Diaspore.
Libri është produkt i njohjeve dhe komunikimeve të drejtpërdrejta në studion e televizionit Albanian Culture TV në New York si dhe i mjaft veprimtarive pranë institucioneve të tjera si Federata Panshqiptare Vatra, Albanian American Dual Language & Culture, Dita Botërore e Librit, etj.
Është një stil i veçantë shkrimi ku alternohen pyetjet e shumta argumentuese me përgjigje analitike, evokime veprash dhe vlerësime mbi individë, akte e veprimtari të cilat me rritjen e emigracionit e kanë intensifikuar sasinë por edhe cilësinë.
Komunikimi përmes intervistave, përgjithësimeve, reflektimeve dhe krijimeve letrare sjell në një volum të vetëm një galeri të gjërë plot me informacion historik, kulturor dhe intelektual duke krijuar kështu një kulturë përbashkuese të shqiptarëve që jetojnë jasht territoreve shqiptare dhe që Shqipërinë e kanë gjithmonë me vete.
Librin mund ta blini ketu :
https://www.amazon.com/dp/B0CX3LZ56W?ref_=cm_sw_r_apin_dp_7YFTN5V99755VVHSG8NH&language=en-US
Mbi autoren
E lindur në Peshkopi, Dibër Marjana Zeneli Bulku në vitet 1990-1994 studioi në Fakultetin Histori-Filologji dega Gjuhë-Letërsi Shqipe. Në vitet 2008-2009 ndjek trajnimet e Institutit Amerikan Demokratik (NDI) ku certifikohet për Gratë lidership, dhe më pas certifikohet si trajnere e Subjekteve Politike po nga NDI.
Në vitet 2010-2012 ndjek studimet pasuniversitare (Master) për Politikat dhe Institucionet në Bashkimin Europian në Institutin e Studimeve Evropiane pranë Fakultetit Histori-Filologji Tiranë ku mbron Tezën ”Faktorët globalë dhe rajonalë që ndikojnë në gratë lidership” një studim që është i publikuar online nga Rrjeti ”Barazi në Vendimmarrje”.
Ka punuar mësuese në shkollën 9-vjecare “Demir Gashi” dhe që nga marsi 1996 deri në tetor 2003 ka qenë mësuese letërsie në shkollën e mesme të Përgjithshme ”Seid Najdeni” Peshkopi.
Në vitet 2003-2007 ka drejtuar Bibliotekën Publike Peshkopi. Në mars 2007 emërohet specialiste e lëndëve shoqërore në Drejtorinë Arsimore Rajonale Dibër ku punon si trajnere e mësuesve të lëndëve shoqërore.
Vitet 2009-2010 janë vite të aplikimit të shumë projekteve të rrjetit ”Barazi në Vendimmarrje” ku Marjana është drejtuese rajonale e këtij rrjeti për qarkun Dibër dhe ku aplikon disa projekte mbi ”Fushatat elektorale”, “Grua e shëndetshme, familje e shëndetshme” dhe shume bashkëpunime të tjera me Drejtoritë rajonale të shëndetit Publik Dibër për parandalimin, sensibilizimin e familjeve nga kanceri i gjirit.
Ajo është autore e tri botimeve letrare , dy poezi dhe një prozë e shkurtër. Është autore e disa shkrimeve në shtypin e Tiranës dhe më vonë tek Gazeta ”Dielli” në SHBA.
Që prej vitit 2011 jeton në ShBA, New York ku ka bashkëpunuar me televizionin “Albanian Culture” NY. Televizion në të cilin për tre vite prodhoi ciklin ”Një jetë…disa histori”. Historitë dhe intervistat e të cilit janë tashmë të përmbledhura në libër.
Librin mund ta blini ketu :
https://www.amazon.com/dp/B0CX3LZ56W?ref_=cm_sw_r_apin_dp_7YFTN5V99755VVHSG8NH&language=en-US