Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, në deklaratën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, tha se në muajin e ardhshëm do të përurohet baza ajrore e NATO-s në Kuçovë.
Duke folur për bashkëpunimin e Shqipërisë në NATO, Blinken tha se vendi ynë ka luajtur një rol domethënës, duke ndihmuar në ruajtjen e paqes në Kosovë dhe duke frenuar agresionin e Rusisë në krahun lindor të Aleancës.
“Përgjatë 15 viteve të saj në NATO, Shqipëria ka dhënë kontribute domethënëse për aleancën tonë. Trupat e Shqipërisë ndihmojnë në ruajtjen e paqes në Kosovë, për të frenuar agresionin e Rusisë në krahun lindor të NATO-s. Muajin e ardhshëm, Shqipëria do të përurojë bazën e ajrore të NATO-s në Kuçovë”, tha Blinken.
Blinken shtoi se vendet anëtare të NATO-s, kanë shtuar kontributin e tyre karshi kësaj aleance dhe janë të bashkuar sa i takon sfidave që kanë përpara.
“Të 31 aleatët tanë, që së shpejti do të bëhen 32, sjellin përvoja të ndryshme, aftësi të ndryshme, gjeografi të ndryshme, por secili prej nesh ka të njëjtin angazhim të fortë, i cili është i hekurt, që të ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të sakrifikojnë, madje në vitin e fundit, çdo aleat ka rritur përqindjen në ndihmë të mbrojtjes, si 2% i GDP. Gjithashtu dhe për këtë arsye, aleanca jonë është më e fortë”, tha ai.
Blinken shtoi se “fakti që pak javë më vonë do të përurohet baza ajrore e Kuçovës, është një mënyrë e mrekullueshme për të nënvizuar dhe theksuar angazhimin që Shqipëria ka bërë ndaj NATO-s dhe NATO ka ndaj Shqipërisë”.
AI tha se “ky është një shembull tejet i fortë për partneritetin e mbrojtjes që ne gëzojmë me njëri-tjetrin”.
Sa i përket bazës detare, Blinken theksoi se “ne e kemi diskutuar dhe do të vazhdojmë ta diskutojmë nëpërmjet NATO-s dhe proceseve që NATO ka, sa i përket aseteve të tjera që janë të rëndësishme për Aleancën”.
“Kanë kaluar 15 vjet që kur Shqipëria është bërë aleate e NATOS-s”, tha Blinken.