Kryetari i Këshillit Kombëtar të Diasporës z. Mark Gjonaj dhe Organizatat Shqiptaro-Amerikane në New York kanë organizuar një tryezë diskutimi për festën e Flamurit Kombëtar dhe Samitin e Diasporës i cili mbahet në Tiranë në datat 22 dhe 23 Nëntor.
Tryeza kishte në fokus organizimet për festën e Flamurit Kombëtar e Samitin e Diasporës. I pranishëm edhe Ambasadori i Shqipërisë në Uashington z.Ervin Bushati dhe z.Arbër Hajdari nga fondacioni bamirës “Fundjavë Ndryshe”.
Mark Gjonaj shpalosi për të pranishmit rreth organizimeve dhe festimeve që do të zhvillohen më 27 dhe 28 Nëntor 2023 në New York. Ai u bëri thirrje të gjithë patriotëve që të angazhohen e të marrin pjesë në të gjitha festimet, kudo ku festohet kuq e zi.
Më tej z.Gjonaj u bëri thirrje organizatave shqiptare që të marrin pjesë në Samitin e 3-të të Diasporës e sidomos në Ditën kushtuar Arbëreshëve.
“Sa më të bashkuar të jemi, aq më e madhe është shqiptaria” tha Ambasador Bushati. Si përfaqësues i Federatës Vatra ishte Këshilltari për Siguri dhe Inteligjencë z.Paulin Mrnaçaj që ndoqi me vemëndje të posaçme diskutimet dhe idetë.
Përfaqësuesit e organizatave patriotike shqiptaro-amerikane kërkuan në takim votën e diasporës si një të drejtë të panegociueshme dhe të menjëhershme.
Përfaqësuesit e shoqatave kërkuan që votimi i diasporës të kryhet në Ambasadat shqiptare kudo në botë. Pati kundërshti dhe diskutime nga shoqatat rreth domosdoshmërisë së pjesëmarrjes së diasporës në Samit me qëllim që zëri i shqiptarëve në diasporë të dëgjohet më shumë.
Z.Arbër Hajdari nga fondacioni bamirës “Fundjavë Ndryshe” theksoi në fjalën e tij nevojën e bashkimit të diasporës shqiptare dhe bashkëpunimin me projekt konkret mes shtetit shqiptar dhe diasporës. Gjatë gjithë takimit pati shkëmbime idesh dhe diskutime të shumta rreth problematikave që shoqërojnë diasporën shqiptaro-amerikane.