Edhe këtë vit, Ambasada e Shqipërisë në Bruksel, hapi dyert e saj “për një shëtitje rreth Shqipërisë” në kuadër të aktivitetit “Heritage Days Brussels, Art Nouveau”, 2023.
Rreth 500 vizitorë zgjodhën të kalonin një pjesë të fundjavës së tyre për të admiruar godinën karakteristike te Ambasades, duke pasur mundësi të bëheshin pjesë e artit, kulturës, kulinarisë dhe traditave të larmishme shqiptare.
Vizitorëve ju prezantuan mundësitë që ofron Shqipëria për turizëm kulturor dhe natyror me pamje dhe informacione si nga zonat malore ashtu dhe ato bregdetare, të cilat lanë përshtypje të veçanta tek vizitorët e këtij viti.
Pjesë e veçantë e këtij aktiviteti ishte dhe ekspozita e piktorit të mirënjohur shqiptar me banim në Bruksel, Dastid Miluka!
Artisti prezantoi një përzgjedhje punimesh ndër vite të cilat vinin në tematika dhe teknika të ndryshme. Vizatime, akuarele, bojëra vaji por edhe instalime të cilat krijuan një atmosferë magjike.
Në këtë ekspozitë, personazhe dhe simbolik të bënin të udhëtoje në realitete idilike, ku dominonin ngjyrat por dhe konceptet eklektike.
Ekspozita e z. Miluka, përcolli për publikun belg një tjetër dimension të artit shqiptar, atë kontemporan, i cili në ndërthurje me traditën e përçuar nga vallet tradicionale shqiptare, performuar nga nxënësit e Shkollës Shqipe të Shoqatës Vatra Belgjikë, sollën frymë Shqip në Bruksel.
Ambasada ishte e nderuar të mirëpriste vizitorët, të cilët përcollën mbresat e tyre nga vizitat në Shqipëri apo interesin për të vizituar apo investuar në të ardhmen e afërt në vendin tonë.










