Në tetor 2023, kompania Shell, një nga dhjetë kompanitë më të mëdha të naftës në botë, pritet të realizojë testimin përfundimtar të fushës naftëmbajtëse të zbuluar në Shpirag të Beratit, për të vendosur më pas shfrytëzimin industrial të vendburimit.
Si nxirren 5.8 mln euro naftë në ditë në Shpirag?
Si Shell, ashtu edhe paraardhësja e saj, kompania Petromanas, theksojnë në raportet e tyre se formacioni gjeologjik i Shpiragut është “ekuivalent(i barazvlefshëm)” me zonën naftëmbajtëse të Val D’Agrit në Itali. Val D’Agri gjendet në zonën e Salernos në Italinë e Jugut dhe është zbuluar në vitin 1989. Zona naftëmbajtëse e Val D’Agrit u vu në shfrytëzim në vitin 1996 dhe vijon prodhimin. Aktualisht prodhon 100 mijë fuçi nafte në ditë në 24 puse.
Shpiragu ka një naftë shumë të lehtë dhe cilësore, me vlerë të përafërt me vlerën e tregut të naftës Brent, që shitet në pikat me pakicë të karburanteve.
Tabela 1. Vlera e tregut e naftës së Shpiragut
- Nafta Brent(për makina) 5 USD/fuçi
- Nafta e Shpiragut 6 USD/fuçi
Nëse Shpiragu në Shqipëri është një vendburim nafte i ngjashëm me atë të Val D’Agrit në Itali, kompania shfrytëzuese Shell mund të ketë të ardhura rreth 5.8 milionë euro në ditë dhe 22 përqind të tyre i takojnë shtetit shqiptar.
Tabela 2. Prodhimi nga Shpiragu
Nëse ka vendburim, kompania Shell mund të nxjerrë 2.1 miliardë euro naftë në vitin e parë të prodhimit
- Të ardhurat në ditë me 20 puse 8 mln euro/ditë
- Pjesa e Shell 6 mln euro/ditë(78%)
- Pjesa e shtetit shqiptar 2 mln euro/ditë(22%)
Të ardhurat në buxhetin tonë të shtetit mund të shkojnë mesatarisht deri mbi 600 milionë euro në vit, nëse nis nxjerrja industriale e plotë e naftës së Shpiragut.
Tabela 3. Pjesa e shtetit në Shpirag
- Pjesa e shtetit në 1 fuçi nafte në Shpirag
- Renta minerare 10%
- 50% e fitimit nëse R>1 10%(nëse fitimi del 20%)
- Ndarja për acidin sulfurik në naftë, bonuset 2%
Tabela 4. Sa para fusim në Fondin Sovran të Shqipërisë?
Fitimi si shtet në 5 vite nga sot
- 2024-vit i pjesshëm i prodhimit 115 mln euro
- 2025-vit i parë i plotë i prodhimit 396 mln euro
- 2026-viti i dytë i plotë i prodhimit 754 mln euro
- 2027-viti i tretë i plotë i prodhimit 830 mln euro
- Në pesë vite, pjesa e shtetit tonë mund të jetë mbi 2.1 miliardë euro. Pa llogatur naftën e Dumresë, nëse kompania italiane ENI e zbulon ne sasi industriale dhe nis prodhimin
Shpiragu dhe pensionistët
Prej këtej, premtimi i Kryeministrit Rama për t’ua rritur pensionin pensionistëve. Shqipëria prodhon aktualisht rreth 20 mijë fuçi në ditë dhe nëse nafta e thellë e Shpiragut ka kosto prodhimi të përballueshme për Shell, prodhimi i naftës së vendit do të gjashtëfishohet.
Ndërkohë, sipas Kryeministrit, qeveria shqiptare ka filluar prej rreth një viti punën për konceptimin dhe ngritjen e fondit sovran të Republikës së Shqipërisë. Vendet që gëzojnë pasuri të tilla natyrore kanë fondet e tyre sovrane, që janë fonde që administrojnë këto pasuri publike. Qëllimi kryesor i qeverisë shqiptare me ngritjen e fondit sovran, është balancimi midis shfrytëzimit aktual të të ardhurave nga vendburimi i ri i naftës dhe vënies në dispozicion i një pjesë të këtyre të ardhurave për të ardhmen, për gjeneratat e tjera të Shqipërisë. Qeveria po konsultohet me Fondin Sovran të Norvegjisë, i cili ndryshe quhet fondi i pensioneve të këtij vendi.
Fondi i pensioneve i Norvegjisë
Vlera e Fondin Sovran të Norvegjisë më datën 28 gusht 2023 ishte 15 triliardë e 162 miliardë kruna norvegjeze, ose 1.26 triliardë euro! Shuma e Fondit ndryshon çdo minutë, në tërësi në rritje. Vlera e tij e tregut është publike. E shohin të gjithë norvegjezët.
Fondi norvegjez është fondi sovran më i madh në botë. Ky fond është krijuar në vitin 1990, dy dekada pas zbulimit të rezervave të mëdha të naftës pranë brigjeve të Norvegjisë, në detin e Norvegjisë në vitin 1969 dhe nisjes në shkallë industriale të shfrytëzimit të naftës norvegjeze.
Tani ky fond është pasuri e popullit norvegjez. Ai investohet në pjesëmarrje në kapitale(aksione), në letra me vlerë dhe në prona të patundshme në mbarë botën, për të krijuar kthim sa më të lartë për qytetarët e Norvegjisë. Investimet e këtij Fondi në Norvegji janë përparësi e rëndësishme për vendin, sepse janë mjete të popullatës. Jo vetëm të atyre që jetojnë aktualisht në Norvegji në këtë kohë. Paratë e Fondit janë edhe për gjeneratat që do të vijnë. Prandaj ky lloj Fondi menaxhohet nga njerëz profesionistë dhe të përgjegjshëm, të cilët sigurohen që kthimi të jetë sa më i lartë, kundrejt rrezikut të investimit. Kthimi i cili realizohet nga Fondi Sovran, nuk mund të përdoret i tëri nga qeveria norvegjeze, si pjesë e buxhetit qeveritar.
Përdorimi i të ardhurave nga kthimi i investimeve të Fondit, ka rregulla, të cilat tregojnë se deri në çfarë shkalle mund të përdoren përfitimet që vijnë nga ky Fond. Këto rregulla janë thelbësore për qëndrueshmërinë e Fondit Norvegjez, sepse oreksi i qeverive për t’i përdorur për arsye elektorale është i madh.
Fondi Sovran i Shqipërisë
Fondi Sovran i Shqipërisë do të ketë një profil, i cili do të integrojë domosdoshmërinë për mbështetjen e pensionistëve, atyre që jetuan dhe punuan në këtë vend dhe nuk patën pjesën e tyre në pasuritë e tij, por edhe të qytetarëve që lindin sot në Shqipëri dhe kanë të drejtën të kenë pjesën e tyre në pasurinë e zbuluar rishtaz. Në terma konkrete, nëse nafta e Shpiragut vihet në shfrytëzim industrial nga kompania Shell që gjatë vitit 2024 dhe shteti ynë arkëton 200 milionë eurot e para nga nxjerrja e naftës, këto para kryesisht do të shkojnë për rritjen e pensioneve. Fondi sovran i Shqipërisë do të jetë edhe një fond investimesh, ku një pjesë të të ardhurave do t’i vendosë për t’i shtuar në tregun ndërkombëtar të investimeve. Qeveria shqiptare po punon për këtë me Qendrën për Zhvillim Ndërkombëtar të Universitetit të Harvardit dhe me fondet e tjera sovrane të Arabisë Saudite, të Azerbajxhanit dhe të Emirateve te Bashkuara Arabe.