Xhubleta, dëshmi lashtësie

E mërkurë, 18 Nëntor, 2026
E mërkurë, 18 Nëntor, 2026

Xhubleta, dëshmi lashtësie

Sot në sallën e Kuvendit të Komunës së Tuzit është mbajtur simpoziumi shkencor “Xhubleta’’  me pjesëmarrjen e studiuesve nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi. Ky aktivitet u realizua në kuadër të përurimit ndërkombëtar e kombëtar të xhubletës dhe mjeshtërisë së “të bamunit” të saj si trashëgimi e njerëzimit regjistruar në UNESCO. Mali i Zi e ka shpallur zyrtarisht vitin 2023 “Vit i xhubletës shqiptare”. Me këtë rast posta shtetërore e Malit të Zi emetoi pullën postare të dedikuar xhubletës

Në këtë aktivitet Muzeu Kombëtar “Marubi” paraqiti ekspozitën fotografike për xhubletën.

I pranishëm z. Nik Gjeloshi përshëndet simpoziumin dhe veprimtaritë e tjera në të njëjtin kuadër. Referues nga Shqipëria akad. Shaban Sinani dhe prof. dr. Afërdita Onuzi

Në vijim kumtesa e akad. Shaban Sinani, pjesëmarrës nga Akademia e Shkencave së Shqipërisë.

“Xhubleta si heraldikë identifikuese në rrafsh etnik, krahinor, kulturor e social”.

***

Regjistrimi i xhubletës në listën e trashëgimisë kulturore botërore të UNESCO-s si një veshje origjinale me lashtësi epokale për njerëzimin përbën një ngjarje kulturore me rëndësi për gjithë shqiptarët.

Bashkë me xhubletën, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, drejt thesarit të trashëgimisë botërore kanë udhëtuar edhe disa pasuri të tjera shqiptare të pandashme prej saj. Areali i kryezonës së ruajtjes së xhubletës është i njëjti me arealin e ruajtjes së lahutës, eposit heroik, kanunit, kullës, logut, bjeshkës, malësorit, jetës tradicionale.

Ka një dallim midis zonës së rrudhur, mjaft të ngushtë, ku këto pasuri janë ruajtur si trashëgimi e si mjeshtëri; krahasuar me atë të kohës së kodifikimit të tyre. Në hapësirën historike shqiptare ndarja në dy makrozona: të toskërishtes dhe gegnishtes; të polifonisë e homofonisë, si një dallim që nuk e preku identitetin shqiptar, rezulton, sipas shprehjes së E. Çabejt, “në shekujt e kapërcyellit”, kur ndodhi kalimi nga ilirët tek shqiptarët. Edhe në pikëpamje të tipologjisë së veshjes hapësira historike shqiptare është ndarë në të njëjtën kohë, në dy makrozona: të fustanellës në jug dhe të xhubletës në veri. Hartëzimi i veshjeve shqiptare sipas kësaj tipologjie është bërë prej antropologëve, studiues të tyre, duke u mbështetur në studimin e Rrok Zojzit për ndamjen krahinore të popullit shqiptar dhe në atë të Mark Krasniqit për ndamjen krahinore të Kosovës, që janë vazhdim i njëra-tjetrës.

Ne mund të besojmë, mbështetur në argumente bindëse, historike e kulturore, se dikur fustanella dhe xhubleta takoheshin në Shkumbin, pa e penguar njëra-tjetrën për t’u ngjitur më lart apo për të zbritur më poshtë. Deri në mesin e shekullit të kaluar me fustanellë visheshin e fotografoheshin Kryezinjtë e Gjakovës, Hamzë Kazazi i Shkodrës dhe Ahmet Zogu i Matit. Në të njëjtën mënyrë xhubleta, në një formë të stilizuar, zbriste gjer në Berat, madje gjer në Lunxhëri. Kjo ndodhte edhe me trashëgimitë e tjera të lidhura me dallimet midis veriut dhe jugut. Sipas një dëshmie të Vexhi Buharasë, në shekullin e 18-të, një rapsod shkodran, që nuk pati shumë sukses në qytetin e vendlindjes, mori lahutën dhe u vendos në Berat, ku e kaloi pjesën tjetër të jetës i rrethuar nga admirues të shumtë, madje u bë konkurrues i bejtexhinjve vendës.

Makrozona e xhubletës nisi të ngushtohej dhe të mbyllej kryesisht në atë areal që franceskanët e quanin Lekni, domethënë prej lumit Mat deri në rrjedhën e Drinit të Bardhë, atëherë kur shqiptarët u gjendën në përbërje të një supershteti krejt të ndryshëm prej qytetërimit të tipologjisë perëndimore, siç ishte ish-perandoria osmane. Kjo është koha kur ngushtohet edhe kryevatra e eposit dhe lahutës, areali i kanunit dhe deri-diku edhe i krishterimit.

Xhubleta dhe fustanella kanë plotësuar njëra-tjetrën dhe të dyja së bashku vetë identitetin shqiptar duke bashkëjetuar së paku për dymijë vjet, por mundet edhe më shumë. Jo vetëm xhubleta e fustanella, por edhe çfarëdo veshje tjetër tradicionale shqiptare: e Hasit, e Gurit të Bardhë, e Mallakastrës apo e Kurveleshit, ka qenë dhe është lajmëtare identifikuese për bartësin e vet. Veshjet shqiptare janë një heraldikë e shkëlqyer, që i kanë dhënë identitet çdo zone e mikrozone, sidomos në veri, ku, sipas një shprehjeje të njohur kanunore, “shpi me ship” duhej të ndërtoheshin “një të shtime pushke larg”. Në dasmat shqiptare ardhja e farefisnisë duhej të pritej me këngën që i takonte me t’u shfaqur në të hyrë të katundit: dajët si daja, nipërit si nipër, vllamët si vllamë, krushqit si krushq, miqtë si miq. Siç pata mësuar nga Tish Daia gjatë një ekspedite në Labëri, ishte pikërisht veshja e dasmorëve lajmësja, heraldika që, ashtu si stemat dhe emblemat e familjeve patronimike mesjetare, u bënte të ditur që prej së largu vajzave dhe grave këngëtare kush po vinte dhe cila duhej të ishte kënga që u takonte atyre.

Përhapja e xhubletës, brenda makrozonës së saj, sovrane në tipologji dhe e larmishme në stilizim, i ka shpërfillur kriteret e ndarjes dhe të dallimit, që antropologët (duke përfshirë Rrok Zojzin), i përcaktonin me kufij tradicionalë sinjifikues: “nga të shkojë pika e shiut” apo “ujë-e-m’ujë”. Për xhubletën dhe fustanellën pika e shiut dhe ujë-e-m’ujë kanë luajtur një rol si “limes” vetëm kur kanë qenë makroemërtime. Këto ngjajnë si kritere empirike, por prej të dhënash jetësore dalin dhe teoritë.

Përveçse si heraldikë kombëtare e krahinore, xhubleta ka identifikuar edhe statusin social të familjes. Sipas disa të dhënave që ruhen në arkivat e trashëgimisë, në arkën e nuses, në ditën e martesës, duhej të kishte, sipas gjendjes shoqërore dhe të pasurisë, tri, shtatë apo nëntë xhubleta, secila për një ditë të shenjuar. Numrat nuk janë aspak rastësorë, janë të gjithë numra simpatikë, numra fatidikë, kryesisht në krishterim, por edhe në parakrishterim. Ngjyrat e xhubletës, stilizimet e saj, dallonin vajzën e fejuar, nusen në ditën e parë të martesës, gruan që sapo është bërë nënë, maxhatoren apo baçicën e familjes patriarkale; zonjën që është nisur të dielën për meshë apo për të pagëzuar fëmijën.

Në këtë kuptim, xhubleta u jepte siguri atyre që e bartnin dhe u diktonte marrëdhënie respekti të tjerëve, qofshin dhe kalimtarë të panjohur. Këto janë shenja se xhubleta ka ruajtur deri në kohët e reja karakterin e vet sakral dhe funksionin e paprekshmërisë, që ishin njëherësh edhe faktorë të rëndësishëm për sjellje të virtytshme dhe ruajtjen e moralit në bashkësi.

Me xhubletën është i lidhur një prej ritualeve më të njohur tradicionalë të viseve veriore shqiptare, festa e logut, e cila është cilësuar herë konkurs bukurie për vajzat, herë si dyluftim artistik i shpatës dhe xhubletës. Ajo që mund të pohohet me shumë siguri është se edhe sot studiuesit e veshjeve dhe përgjithësisht të trashëgimisë popullore nuk janë të një mendjeje nëse logu ishte një ritual për të zgjedhur xhubletën më të bukur apo vajzën më të bukur. Në këtë ritual xhubleta paraqitet edhe me funksionin e heraldikës së moshës. Vija e bardhë rreth e qark këmbanores së valëzuar të xhubletës ishte shenjë vajzërie, zbukurimet e shumëngjyrshme dallonin nusen e re, theksimi i së zesës ishte për gjyshet etj.

Xhubleta e çon studiuesin në shekuj të hershëm jo vetëm me pamjen e saj fisnike, jo vetëm me funksionin heraldik, por edhe me zbukurimoren e vet, që karakterizohet prej motivesh floreale, zoomorfe dhe gjeometrike, midis të cilëve shfaqet shpesh kryqi, në forma të qarta apo të stilizuara. Kjo ka ndodhur edhe me veshje të tjera në gjithë hapësirën shqiptare. Çorapet “ltinka”, që përmenden shpesh edhe nga etnografët e huaj, identifikonin një grua të krishterë. Në Dibër gruaja “xhupngjeshë” ishte “bullë”, domethënë myslimane. Për të ndryshuar një vijëzë të hollë në xhubletë apo në një veshje tjetër do të duheshin shekuj. Siç kanë vlerësuar studiuesit, xhubleta duhej të ishte jo vetëm e bukur, por edhe funksionale, të mos e pengonte bartësen e vet “në punë, në ndêjë, në kcim a në udhëtim”. Prandaj meritojnë nderim jo vetëm mjeshtret që e ruajtën zejen e xhubletës, por edhe gratë e vajzat e hijshme që e kanë bartur. Është interesante të vërehet se edhe leksiku që lidhet me punimin e xhubletës është shumë i hershëm dhe ka disa bashkëpërkime aspak rastësore me arbërishten e sotme.

Për gjithë shqiptarët është e mirënjohur fjala “tirq”, me kuptimin “veshje shajaku burrash, e shkelun në dërstilë”, me përhapje në gjithë territorin shqiptar, por burimi i fjalës mbetet i errët nëse zeja e xhubletës nuk do të na ruante fjalën tirk, në shprehje të tilla si “xhubleta bahet me tirk”, me kuptimin “shajak”, që përdoret me të njëjtin kuptim edhe tek Jeronim de Rada dhe në të folmet arbëreshe sot. Këto janë “shenja të hershmërisë relative të xhubletës, që na çojnë në periudhën parashqiptare dhe na japin mundësi të veçojmë periudhën paraosmane”. Sa i takon hershmërisë absolute, në çdo rast duhet të mbahet në konsideratë koha kur u shfaqën ilirët si popullsi banuese e qendrueshme në hapësirën subdanubiane e në anën tjetër të Adriatikut, si kufi pagabueshmërie.

Materialet e publikuara nga “Diaspora Shqiptare” janë të mbrojtura nga të drejtat e autorit. Rishpërndarja, riprodhimi, modifikimi apo përdorimi i tyre, i pjesshëm ose i plotë, pa lejen e shprehur të redaksisë, është i ndaluar dhe shkel ligjet mbi të drejtat e pronës intelektuale.