Nxënësit e mësimit shqip të Zagrebit e përfunduan vitin shkollor me shëtitjen edukativo-turistike në Zagreb, tē drejtuar nga mësuesja e tyre Melita Orešković dhe udhëheqësja turistike Đurđica Ramqaj. Në këtë shëtitje fëmijët dhe prindërit e tyre u ndien për një ditë turistë në qytetin ku jetojnë, mësuan shumë gjëra interesante për Zagrebin, histori e legjenda, për objektet dhe trashëgiminë kulturore të Zagrebit, për lidhjet shqiptaro-kroate, zejtarët shqiptarë e tjerë.
Profesorja Ramqaj ju foli për mbretin Tomislav; ndërtesën e stacionit hekurudhor, që është ndërtuar në vitin 1896; hotelin Esplanade, ku akomodoheshin udhëtarët e trenit Orient Ekspres që udhëtonin nga Parisi për Stamboll; Galerinë Strossmayer, ku ekspozohen veprat e piktorëve të famshëm evropianë; kopshtin botanik një oaz shumëngjyrësh; arkivin shtetëror; tetë parqet e sheshet që formojnë patkuan e gjelbërt të qytetit, që përmban të gjitha ndërtesat e rëndësishme kulturore e urbanistike të Zagrebit: Teatrin Kombëtar Kroat, Akademinë Muzikore, Muzeun Mimara, Muzeun e Shkollës, Muzeun e Artit dhe Zejtarisë; shatërvanin “Kupa e jetës“ e skulptorit të njohur kroat Ivan Meštrović, ndërtesën e Rektoratit të Universitetit të Zagrebit, që është një ndër universitetet më të vjetra të Europës dhe themeluar në vitin 1669.
Turistët e vegjël vizituan Sheshin e Luleve, Sheshin Josip Ban Jelačić, Tregun e Dolcit, Katedralen, ku udhëheqësja turistike ju foli për historitë e tyre. Ndërsa nxënësit në maketin e Zagrebit, që ndodhet afër qendrës në rrugën që ngjitet për Kaptol, duke rrotulluar topin e bronztë(trandafili i erërave) në maket gjetë mbishkrimin në gjuhë shqipe Mirë se erdhët!
Më pas në rrugën Dalmatinska, ku është e vendosur pllakata përkujtimore në vendin ku kanë vrarë Milan Šufflay-in, mësuesja Melita ju foli nxënësve për historianin, politikanin, përkthyesin, shkrimtarin e albanologun kroat Šufflay, për veprat e tij si romanin me temë nga mesjeta shqiptare, “Konstantin Balsha”.
Në rrugën Mesnička, ku ndodhet busti i shkrimtarit kroat Andrija Kačić Miošić, mësuesja ju foli për këtë shkrimtar të njohur kroat, i cili është autor i librit “Biseda të këndshme mbi popullin sllav”, ku një vend të rëndësishëm në këtë libër ia ka dedikuar epopesë së Skënderbeut, luftës së tij kundër turqve prej vitit 1443 deri në vitin 1465. Madje nga vargjet e Kačić Miošić është frymëzuar edhe poeti i madh shqiptar Gjergj Fishta.
Përballë bustit të Andrija Kačić Miošić ndodhet dhe dyqani dhe punëtaria e floririt të familjes Bashota. Mësuesja ju tregoi se kjo familje është nga familjet më të vjetra shqiptare që janë vendosur në Zagreb së bashku me familjet Tahiri, Aliti, Gjoni, Shiroka, Rexhepi e tjerë.
Nxënësit vizituan ndërtesën ku ndodhet pllakata përkujtimore për inxhinjerin Eduard Slavoljub Penkala, shpikësin e kohës moderne, i cili bëri stilolapsin e parë në vitin 1907 në Zagreb dhe e eksportoi në shtatëdhjetë vende të botës. Ai shquhet për tetëdhjetë shpikje që mbartin emrin e tij, ndër to projektoi aeroplanin e parë kroat.
Një simbol kroat është edhe kravata, ajo është produkt autentik kroat, një detaj shumë i rëndësishëm në veshjen për botën e biznesit. Për këtë folëm me nxënësit dhe kujtuam historinë e kravates, që daton prej shekullit të 17-të, kur ushtarët kroatë përdornin shalle të lidhur rreth qafës.
Nxënësja Fjolla tregoi legjendën e emërtimit të Zagrebit. Një luftëtar kroat i raskapitur, i etur nga beteja i kërkon një vajze të quajtur Manda t’i jepte(zagrabiti) me duart e saj ujë nga burimi. Kështu burimi morri emrin e vajzës e u quajt Manduševac dhe qyteti Zagreb.
Një suvenir orgjinal i qytetit është edhe licitar, peksimadhja që është bërë nga gratë e Zagrebit të vjetër, që është kombinim i mjaltit, arrave e piperit dhe ka formën e zëmrës, si simbol i dashurisë.
Mësuesja së bashku me nxënësit folën për ngjyrë blu, që është ngjyra e Zagrebit, të cilën e ka marrë nga palltoja e luftëtarëve dhe sot tramvajet, autobusat, flamuri i qytetit mbartin këtë ngjyrë. Madje bluzat e futbollistëve të Klubit të Futbollit Dinamo janë ngjyrë blu.
Fëmijët, gjyshet, prindërit dhe organizatorët në përfundim të shëtitjes u shoqëruan në parkun e Zrinjevacit, ku fëmijët luajtën, vallëzuan, recituan e kënduan. Nxënësit u shoqëruan nga anëtaret e Këshillit të Pakicës Kombëtare Shqiptare të Zagrebit, i cili është dhe mbështetësi kryesor i këtij programi, ndërsa në përfundim u përshëndetën edhe nga kryetari i tij Emirat Asipi.
Në përfundim të shëtitjes sonë një nxënëse recitoi vargje nga teksti i këngës „Ty, Zagrebi im!“ në gjuhën shqipe.
Nga muret e vjetra tek Sava,
me urat, brigje të reja
flamujt blu valëviten,
Zagrebi të thërret në përqafim!
Kështu çdo vit vizojmë qytetin tonë duke përshkruar rrugë të ndryshme, sheshet, objektet kulturore mësojmë më shumë, por edhe shoqërohemi e zbavitemi në përfundim të vitit të suksesshëm shkollor.
Nga Melita Orešković