Kur shkroi librin “Ylberi dhe Sara e vogël” Angela Kosta nuk e mendonte se çfarë historie do të kishte më pas. Një libër për fëmijë, një histori që guxon të trajtojë tema të vështira sociale dhe për një lexues që kërkon shumë delikatesë. Po aq sa ajo ka treguar edhe ndaj Kristianës, e cila duke u përfshirë në vizatimet e personazheve të librit gjeti forcë të sfidojë sëmundjen e Leuçemisë.
Libri tashmë kishte një tjetër mision, të ndihmonte fëmijë të tjerë si Kristiana të përballeshin me sëmundjet e tyre. Ndaj autorja fitimet e këtij libri ia dhuron shoqatës ONLUS, Komitetit Daniele Chianelli për kërkimin shkencor të kurimit të Leuçemisë, Limfomave dhe Tumoreve. Një gjest i vogël por me një simbolikë të madhe. Për këtë donacion, historinë e saj të emigrimit dhe krijimtarinë e saj Angela Kosta rrëfen në intervistën e mëposhtme dhënë Diaspora Shqiptare.
Cila është historia juaj e emigrimit? Pse Italia?
Unë emigrova jashtë kufijve të Shqipërisë në vitin 1995. Isha në moshë fare të re e megjithatë kisha dy fëmijë, gjë kjo e cila më ndihmoi të përballoj kurbetin, mallin që më mundonte për familjen time, sidomos pas tragjedisë që pësuam. Vëllai im i vetëm, mbeti pre e trazirave në Shqipëri në vitin 1997.
Erdha në Itali, nëpërmjet Ambasadës Italiane, pasi bashkëshorti im prezantoi dokumentet për bashkim familjar. Ai emigroi me anijen panameze në eksodin e vitit 1991 e cila mbërriti në brigjet italiane. Pas disa muajsh nga mbërritja ime në Itali, fillova të punoja si asistente pranë të sëmurëve në një klinikë private shëndetësore. Edhe pse puna ishte me turne dhe më merrte shumë energji, sikurse familja dhe fëmijët, kjo gjithsesi nuk më pengoi të rinisja e të shkruaja.
Kur keni nisur shkruani dhe të botoni? Cila është historia pas autores?
E kam kultivuar këtë pasion që në moshën 6 – vjeçare, pasi shkrova poezinë e parë për nënën time, ku edhe më pas rrjedhuan, disa poezi të tjera e tregime. Por vetëm në vitin 2003 munda të realizoj ëndrrën time të madhe duke botuar në Shqipëri romanin e parë: “Shpirti i burgosur.” Më pas, në vitin 2004 botova librin me novela “Më fal”.
Shumë kurioze, fillova të lexoj poetët dhe shkrimtarët e mëdhenj italianë, vëzhgova dhe admirova kulturën e tyre të pasur, ndaj vendosa të botoj ndonjë libër edhe në Itali. Në fakt në vitin 2007 ia arrita këtij qëllimi duke botuar romanin tim të parë: “Varësja Magjike”. Në vitin 2008 vijoi botimi i librit me poezi “Loti i shkëlqyeshëm”, përfitimin e të cilit ia dhurova Shoqatës ONLUS Amyotrophic Lateral Sclerosis. Në vitin 2011 botova romanin thriller “Sytë e nënës” e më pas, në vitin 2017 vijoi romani “Millioneri i varfër”. Në vitin 2018 botova librin me poezi “Të jetosh”, 2019 romanin “Përtej oqeanit”, dhe më pas botova librin me përralla “Ylberi dhe Sara e vogël.”
Çfarë temash trajtojnë librat tuaj kryesisht?
Pothuajse, në të gjitha romanet e mia, kam trajtuar dhe i kam dhënë hapësirë të veçantë temës së gruas, jo vetëm si protagoniste kryesore por edhe si nënë, grua, vajzë. Gruaja e ditëve të sotshme nuk është më e përkëmbur. Ajo mbizotëron një fuqi aq të madhe e të papërshkrueshme, saqë burri, nuk është në gjendje të krahasohet as me gjysmën e forcës që ajo mbart në vetvete. Gruaja rigjeneron krijesën jetë në trupin e saj, ndaj nuk tërhiqet përpara asnjë vështirësie. Nga ana tjetër, në librat me poezi, unë shpreh nëpërmjet vargjeve të mia: magjepsjen e dashurisë së thellë, mrekullitë e natyrës, thelbin e jetës; aktualitetin, luftën, holokaustin, të përmbyturit në det dhe gjithashtu shumë vargje ia dedikoj mëmëdheut tim. Ndërkohë, gjithçka që sytë e mi shohin dhe vëzhgojnë me kujdes, i shndërroj në reflektime të thella.
Libri juaj I fundit “L’arcobaleno e la piccola Sara”, (Ylberi dhe Sara e vogël), ka një histori interesante. Mund të na e rrëfeni?
“Ylberi dhe Sara e vogël”, flet për një vajzë të paralizuar, të cilën teksa e zuri gjumi nën hijen e një peme, sheh në ëndërr sikur i afrohet një ketër. Atij i erdhi keq që Sara nuk mund të ecë ndaj mendoi se duhet ta ndihmojë pasi çdo gjë e ka një zgjidhje. Ketri foli me një zog i cili u tregua i gatshëm ta ndihmojë Sarën. Që të ecte sërish ajo duhet të kalonte ylberin. Shkuan tek një flutur e cila u tha të merrnin mendimin e bletës. Bleta u tha që të gjithë sëbashku, të shkonin tek arushi. Në fakt ky i fundit u gëzua pa masë që do të mundej t’i vinte në ndihmë Sarës. Gëzimit të tyre iu shtua një vesë shiu. Ylberi u shfaq më mahnitës se kurrë, kështu që arushi mori në krahë Sarën dhe të gjithë bashkë ecën drejt tij.
Të ardhurat nga libri ju i keni dhuruar për një kauzë shoqërore?
Përfitimin e këtij libri ia dhurova Shoqatës ONLUS Komitetit Daniele Chianelli për kërkimin shkencor të kurimit të Leuçemisë, Limfomave dhe Tumoreve. Projektin e librit me përralla e përfundova edhe falë ndihmës shumë të çmuar me vizatimet e saj, Kristiana Sterjo, e cila u kurua dhe ia doli të sfidojë sëmundjen e Leuçemisë.
Dhe në fund një mesazh për të gjithë lexuesit tan dhe autorët shqiptare në Diasporë.
Mesazhi që dua të përcjell sot, është mos ta braktisim gjuhën mëmë por t’jua mësojmë fëmijëve, nipërve e mbesave brez pas brezi. Gjithashtu mos t’i mohojmë kurrë rrënjët tona, prejardhjen tonë. Duhet të ndihemi krenarë që jemi shqiptarë dhe të vazhdojmë të qëndrojmë të lidhur me njëri – tjetrin, në çdo skaj anë e mbarë botës kudo që ndodhemi”.