Rreth huazimeve më të vjetra sllave në gjuhën shqipe

E hënë, 7 Korrik, 2025

Në Konferencën e 7-të të Studimeve Kulturore Gjermano-Shqiptare, organizuar më 21 dhe 22 prill 2023, nga Departamenti i Albanologjisë, në Universitetin “Ludwig-Maximilian” të Mynihut, Akademia e Studimeve Albanologjike u përfaqësua me studiuesit e saj nga fushat e gjuhësisë dhe të arkeologjisë. Tema e konferencës ishte “Shtrirja e gjuhës shqipe dhe rrethinat e saj, nga antikiteti i vonë deri në mesjetën e lartë”.
Prof.dr. Anila Omari ligjëroi mbi çështjen e huazimeve më të vjetra sllave në gjuhën shqipe. Në vazhdim ju njohim me një abstrakt të ligjëratës së prof.dr. Omarit.
***
Përcaktimi i huazimeve më të vjetra sllave në shqipen, gjatë historisë mbi 150-vjeçare të studimit të tyre, ka dalë në pah si një çështje e rëndësishme në problematikën e përgjithshme të marrëdhënieve shqiptaro-sllave. Bashkë me çështje të tjera që lidhen me këtë problematikë, si dallimi i sllavizmave të mbarë gjuhës nga ato me përhapje të ngushtë krahinore, fushat e ndryshme shoqërore të cilave u përkasin huazimet dhe sidomos pesha e tyre brenda këtyre fushave, ndihmon për të hedhur dritë në aspekte të ndryshme të marrëdhënieve të shqipes me gjuhët sllave jugore të Ballkanit.
Marrëdhëniet midis sllavëve të jugut të ardhur rishtas dhe popullsive të vjetra të Ballkanit, mes të cilëve dhe shqiptarët ose paraardhësit e tyre, ekzistojnë që prej 15 shekujsh. Sipas studimeve të fundit mendohet që sllavët u përhapën mbas shekullit VI nga atdheu i tyre i parë, në verilindje të Karpateve, thuajse njëkohësisht drejt Jugut deri në Peloponez, në Perëndim deri matanë lumenjve Elba dhe Saale e deri në Tirolin lindor e Friuli, kurse në Veri në vendbanimet e baltëve dhe finëve, shtrirje që ka ndodhur bashkë me dyndjen e avarëve dhe zgjerimin e shtetit të tyre (Holzer 1995: 59). Ka edhe studiues që procesin e dyndjes së popujve dhe migrimin e tyre e ridimensionojnë dhe ekspansionin sllav e shohin kryesisht si “shtrirje gjuhësore” e jo demografike (Nichols 1993: 378).
Edhe për territorin e sotëm të shqipes duhen marrë në konsideratë dy valë të përhapjes dhe ndikimit të sllavëve, për sa na lejojnë të dhënat e pakëta historike për këto zona. Vala e parë ndodhi gjatë dyndjeve të popujve (shekujt VI-VII), ndërsa e dyta lidhet me sundimin e formacioneve shtetërore sllave dhe shtrirjen e tyre në hapësirën gjuhësore shqiptare, me krijimin e gjuhës sllave të vjetër kishtare si gjuhë e shkruar, me themelimin e kishave autoqefale të sllavëve të Jugut dhe me veprimtarinë e tyre misionare për përhapjen e sllavizmit (shek. IX-XIV) (Omari 2012: 11-36 me literaturën përkatëse).
Si gjuha shqipe ose paraardhësja e saj ashtu edhe gjuhët e sotme sllave jugore apo gjuha e tyre e përbashkët sllave kanë pësuar një numër inovacionesh fonetike, që kanë lindur në kohën e kontakteve të hershme mes tyre. Disa nga këto inovacione në gjuhën marrëse dhe në atë dhënëse, po ashtu si te gjuhët e tjera që kanë qenë në kontakt me sllavët, lejojnë të dallohen shtresat më të vjetra të elementit sllav në shqipe. Këto dukuri fonetike zakonisht nuk japin caqe kohore të sakta, por vetëm një terminus ante / post quem, dmth. një kalim nga një gjendje fonetike më e vjetër në një më të re, ose shfaqjen apo zhdukjen e një ndryshimi të caktuar fonetik. Sidomos për kohën parashkrimore, ato nxirren nga rindërtime dhe interpretime individuale të mbetjeve gjuhësore të pakëta dhe jo gjithmonë të sigurta. Për këtë arsye ato shoqërohen gjithmonë nga një shkallë pasigurie, e cila nganjëherë kalon në subjektivitet.
Statusi i paqartë i kronologjisë së huazimeve më të vjetra sllave të shqipes ka lënë shteg për interpretime subjektive të autorëve të motivuar ideologjikisht. Autorët që janë kundër pranisë së hershme të shqiptarëve në trojet e tyre aktuale përpiqen të minimizojnë fjalët që përfaqësojnë huazime të vjetra sllave. Një rast tipik është sllavisti rus A. M. Seliščev, i cili në punimet e tij erdhi në përfundimin se shqiptarët kanë ardhur mbas sllavëve në atdheun e tyre, duke evokuar me këtë tezë konceptin e vjetër pansllavist të Rusisë cariste për krijimin e Bullgarisë së madhe, që do të përfshinte edhe krejt Maqedoninë dhe pjesë të mëdha të Shqipërisë lindore. Sipas tij, në sllavizmat e shqipes mungojnë kriteret gjuhësore që flasin për vjetërsi të huazimeve sllave. Në recensionin e tij të gjerë për vepën e Seliščevit, Jokli kritikoi shumë nga tezat dhe mendimet e autorit, sidomos për kohën e ardhjes së shqiptarëve në trojet e tyre të sotme dhe problemet e lidhura me të.
Për një moshë jo shumë të hershme të fillimit të huazimeve sllave të shqipes pajtohen edhe albanologët shqiptarë, por nga një këndvështrim tjetër. Studimet e historianëve dhe arkeologëve kanë treguar se dyndjet e para sllave të shekujve VI-VII në territoret e Ilirisë së Jugut nuk qenë të qëndrueshme dhe masive (S. Anamali, 1990: 36; A. Meksi 1989: 117v.; P. Xhufi 2006: 29 etj., sidomos C. Jireček 1897: 9, i cili vlerëson praninë e toponimisë kristiane të hershme në Shqipëri si tregues të faktit që ky vend thuajse nuk u prek nga kolonizimi sllav i shek. VI-VII. Toponimia me prejardhje sllave dhe huazimet sllave të shqipes lidhen sipas tyre me faza më të vona, dmth. me pushtimin dhe sundimin e shteteve sllave të shekujve IX-X, të cilat u shtrinë në territoret shqiptare, në disa raste deri në fillim të shek. XV.
Në gjendjen e sotme të studimeve llogaritet një numër prej rreth 50 njësi leksikore të shtresës më të vjetër të huazimeve sllave, e cila shtrihet nga shekulli VII deri në shekujt XIII-XIV. Por edhe nga këto 50 huazime, rreth 10 mund të konsiderohen më të vjetrat, pasi koha e inovacioneve fonetike që ato pasqyrojnë dëshmohet për shekujt VIII-IX. Disa nga këto 10 njësi leksikore ende diskutohen dhe një përgjigje përfundimtare mbetet e hapur, madje edhe e pamundur të saktësohet. Për përcaktimin e këtyre njësive leksikore shërbejnë disa kritere të caktuara fonetike, të cilat janë paraqitur në kumtesë.
Pasqyra e kritereve fonetike për kronologjinë e huazimeve më të vjetra sllave të shqipes është thuajse identike me atë të huazimeve sllave në gjuhët josllave që rrethojnë gjuhët sllave nga Deti Baltik deri në Greqinë jugore dhe pasqyron edhe marrëdhëniet historike shqiptaro-sllave: shekujt e parë të përhapjes së tyre në Ballkan (VI-VIII) karakterizohen nga një ndikim i paktë gjuhësor, ndërsa organizimet shtetërore nga shek. IX dhe zgjerimi i tyre në territoret e gjuhës shqipe shoqërohen me një shtim të intensitetit të marrëdhënieve gjuhësore.
Shtresa e huazimeve më të vjetra sllave në shqipen është një nga treguesit e pranisë së hershme shqiptare në trevat e tyre të sotme. Një tregues tjetër për këtë, brenda kuadrit të marrëdhënieve gjuhësore shqiptaro-sllave por që del jashtë caqeve të kumtesës, është mungesa e ndërmjetësimit sllav në zhvillimin fonetik të toponimeve antike të këtyre trevave në formën e tyre të sotme.

Materialet e publikuara nga “Diaspora Shqiptare” janë të mbrojtura nga të drejtat e autorit. Rishpërndarja, riprodhimi, modifikimi apo përdorimi i tyre, i pjesshëm ose i plotë, pa lejen e shprehur të redaksisë, është i ndaluar dhe shkel ligjet mbi të drejtat e pronës intelektuale.