Sot është dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare. Sipas UNESCO-s, që e ka shpallur 21 shkurtin ditën ndërkombëtare të Gjuhës Amtare në botë fliten rreth 7 mije gjuhë.
Po gjuha shqipe në sa vende flitet?
Gjuha shqipe flitet prej më shumë se gjashtë milionë njerëzish vetëm në jugperëndim të Gadishullit Ballkanik.
Sigurisht numri më i madh është në Republikën e Shqipërisë, ku sipas censusit të fundit gjuha shqipe përdoret nga tërë popullata prej 2.8 milion banorësh.
Në Kosovë gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, dhe flitet nga pothuajse tërë popullata prej rreth dy milionë banorëve.
Në Maqedoninë e Veriut shqipja është gjuhë zyrtare në komunat ku shqiptarët përbëjnë më shumë se 20% të popullsisë. Dhe mendohet se flitet nga më shumë se 500 mijë njerëz.
Ndërsa në Malin e Zi gjuha shqipe flitet nga rreth 30 mije banorë.
Por Gjuha Shqipe flitet edhe përtej trojeve.
Në Itali jetojnë dhe punojnë më shumë se 500 mijë shqiptarë të cilët flasin gjuhën shqipe.
Përveç tyre janë edhe Arbëresht të cilët flasin ende gjuhën shqipe të para gjashtë shekujve, kohë edhe kur u vendosën në Itali, pas vdekjes së Skënderbeut më 1468.
Janë rreth 90,000 Arbëresh që jetojnë kryesisht në fshatrat malore të Kosenzës në Kalabri dhe rreth Palermos në Siçili.
Edhe në Greqi janë më shumë se 500 mijë shqiptarë të cilët flasin gjuhën shqipe.
Forma të vjetra të gjuhë shqipe gjenden edhe në vende të tjera si në fshatin Arbanasi në Kroaci e në fshatin bullgar Mandrica.
Gjuha shqipe flitet edhe nga një komunitet i vogël shqiptarësh në fshatin Karakrut në rajonin e Odesës në Ukrainë.
Edhe në Turqi ka bashkësi shqiptarësh të cilët janë vendosur gjatë pushtimit Osman por që vazhdojnë të flasin gjuhë shqipe.
Në Argjentinën e largët gjuha shqipe flitet nga dy grupime, shqiptarët e emigruar pas viteve 1990 dhe Arbëreshet e emigruar nga Italia në fillim të shekullit të 20.
Sot ka shumë shqipfolës në Evropën veçanërisht në Gjermani, Zvicër, Skandinavi dhe Britani si dhe në Amerikën e Veriut, dhe një komunitet prej 5 mijë shqiptarësh në Alaskë .
Ndërsa në kontinentin in Australian janë rreth 20 mijë shqiptarë që flasin gjuhen shqipe./Diaspora Shqiptare/



