Samiti i Tiranës, një rezultat konkret e pati që në nisjen e tij: Operatorët telefonikë të Bashkimit Europian dhe ata të Ballkanit Perëndimor nënshkruan marrëveshjen e shumëdiskutuar të reduktimit të tarifave të roaming-ut.
Ajo do të nisë së zbatuari në 1 tetor të vitit 2023. Ulja e kostove të roaming-ut ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të BE-së do të mundësojë kushte më të mira dhe nxitje për bizneset, por ajo konsiderohet dhe si një stimul për turizmin, siç shpjegohet në deklaratën e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Në deklaratë, theksohet bashkëpunimi i ngushtë me Komisionin Europian, si dhe me operatorët nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor dhe liderët nga rajoni, për këtë ulje të kostove.
Muajin e kaluar, një grup prej më shumë se 80 anëtarësh të Parlamentit Europian i kërkoi KE-së që t’i jepej fund krejtësisht tarifave të tilla për vendet e rajonit, të cilët në letrën e dërguar kryetares së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, i përshkruanin si partnerë të besueshëm të BE-së. Në kuadër të Procesit të Berlinit, liderët e Ballkanit Perëndimor patën rënë dakord për heqjen e tarifave të roaming midis gjashtë vendeve të rajonit.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka përshëndetur firmosjen e marrësveshjes së tarifave Roaming në Tiranë, duke e cilësuar atë si mundësi të shkëlqyer për njerëzit, bizneset dhe turizmin.
“Me marrëveshjen e sotme, operatorët e telekomit do të nisin uljen e tarifave të roamingut të të dhënave ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, duke filluar nga viti i ardhshëm. Kjo është e mirë për biznesin dhe turizmin. Është gjithashtu një mënyrë e shkëlqyer për t’i afruar njerëzit”- shkroi Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen në Twitter.
With today’s agreement, telecom operators will start lowering data roaming charges between the EU and the Western Balkans, starting next year.
This is good for business and tourism.
It is also a great way of bringing people closer together. pic.twitter.com/ChYncvFpxx
— Ursula von der Leyen (@vonderleyen) December 6, 2022