Femrat e suksesshme e të guximshme të familjes Boletini

E premte, 9 Dhjetor, 2022

Me anë të këtij materiali uroj të gjitha gratë e vajzat shqiptare kudo në botë me rastin e Festës së Pavarësisë së Shqipërisë! 

Nga Prof. Rita Saliu

Si mike e afërt e familjes Boletini dhe Dajçi në Kosovë dhe SHBA, bazuar në “Pemën Gjenealogjike” do të ndalem tek veprimtaria patriotike e intelektuale e femrave të kësaj familje, të cilat kanë lenë gjurmë të thella në faqet e historisë. Tek ato femra të suksesshme e të guximshme që përveç arrtijeve të shkëlqyera në studime janë angazhuar në kauza të rëndësishme të çështjes kombëtare, apo humane ndaj komuniteteve ku banojnë.

Sipas fakteve të njohura, shënimet po i filloj me Heroinën Ajshe Potera Boletini, nanën e Legjendës Shqiptare, Heroit të Kombit Isa Bej Boletini. Ajshe Boletini lindi në gjysmën e parë të shek XIX në Zhabar të Mitrovicës, ishte një grua e fortë, burrneshë që gjithmonë mbante në brez patllaken që ja kishte “dhuruar” i ati Halili ditën e dasmës me Ademin. Isa i donte dhe i respektonte shumë prindërit e tij. Në vitin 1899 Isa ndërtoi shkollën e parë Shqipe në Kullën e Boletinëve dhe të gjithë fëmijët e tij i shkolloi aty, e djem e vajza e më pas i dërgoi për të studiuar jashtë në Vjenë, Turqi, etj, të cilët pasi përfunduan studimet me rezultate të shkëlqyera u kthyen në vendlindje.

Në tymin e zjarrit të luftës e bataresë së fishekëve nëna Ajshje i fliste me zë të lartë të birit, Isës: “Qëndro i fortë Bir, se të ka ba Nana të luftosh me pashallarë” – kujtonte Hajrije Boletini. Historikisht të parët e kësaj familje asnjëherë nuk u pajtuan me politikën e Portës së Lartë të Stambollit prandaj edhe kullat e tyre janë djegur vazhdimisht prej pushtuesve osmanë qysh në vitin 1750 e më tej në vitet 1830 – 1832 kur ushtria turke erdhi për të kapur të parin e tyre Adem Boletinin. Sipas tregimeve të Tafil Boletinit në vitin 1892 ajo kullë u dogj përsëri nga turqit në luftrat që ata bënë kundër Ahmet Boletinit. Historia vazhdon me Isa Boletinin, i cili vazhdoi luftrat kundër turqve dhe si rezultat Hafëz Pasha i vuri përsëri zjarrin kullave të Boletinëve në vitin 1895. Më 1912, kohë kur Isa ndodhej në Shqipëri, shovinistët serb, jo pa qëllim e mbajtën familjen e Isës në Mitrovicë, nuk e dëbuan siç bënë me qindra familje kosovare që përkrahnin Isa Boletinin. Nga ai qëndrim “dashamirës” që u mbajt ndaj familjes së Isës, kur ai u largua për në Vlorë, mbas shtypjes së kryengritjes së shtatorit më 1913, u kalua në presion të hapur dhe nënës së Isait iu kërkua që ta tërhiqte atë në Mitrovicë, madje, serbët edhe e kërcënuan se do ta largonin me të gjithë të afërmit nga Kosova. Por edhe këto përpjekje të serbëve përfunduan pa suksese. Ata nuk mundën t’i diktonin vullnetin e tyre Ajshe Boletinit.Sipas konsullit Austro – Hungarezë në Mitrovicë, nëna e Isait i dha këtë përgjigje nëpunësit të Serbisë “Nuk e di ku ndodhet djali im, prandaj s’kam për të bërë asgjë për ta bindur që të kthehet. Dijeni se unë jam nëna e Isa Boletinit e ju deklaroi se askush nuk mund të na detyrojë të lëmë shtëpinë tonë, jeni të lirë të na vrisni, ose t’i vini zjarrin shtëpisë mbi kokat tona, por të gjallë ju nuk mundeni të na nxirrni nga shtëpia”. Meqenëse Qeveria Serbe nuk arriti të shtinte në dorë edhe me këtë presion Isa Boletinin, urdhëroi Komandën Supreme që të kapej Isa Boletini, Bajram Curri e atdhetarë të tjerë që të vriteshin, gjë që komanda e lartë ushtarake serbe nuk mundi t’ia arrinte.

Nana e Isa Boletinit, Heroina Ajshe Boletini u nda nga jeta në vitin 1915 në Mitrovicë.

Një figurë tjetër e spikatur në familjen Boletini është edhe Hajrie Boletini, por që e gjithë familja, e njihnin me emrin Ana, e cila u lind e u rrit në Kullën e Boletinëve në Mitrovicë, qysh fëmijë sytë e saj panë shumë luftra, vrasje, e së fundi pushkatimin e të birit si antikomunist Rasimit nga forcat sllavo – komuniste, në Prizren në vitin 1945 dhe burgosjen e djalit tjetër Enverit nga diktatura në Shqipëri.

Vrasja e vëllait të madh Ahmetit në vitin 1894 e tronditi shumë Isën. Atë kohë ishte tepër i ri, vëllanë e madh Ahmetin e donte dhe e dëgjonte shumë. Pas vdekjes së të atit, Ademit në vitin 1875, Ahmetin e kishte në këmbë të Tij, e fjala e tij përbënte ligj për të. Por sigurisht edhe Ahmeti e donte dhe e çmonte shumë vëllanë e tij më të vogël Isën, e mbante afër në Odën e burrave e nëpër beteja kundër armikut. Ahmet Boletini ishte patriot i madh, i zgjuar, i mprehtë, strateg në luftë kundër turqve e serbo malazezëve që përpiqeshin me çdo kusht të zaptonin tokat shqiptare, prandaj edhe armiku e kishte vënë në shënjestër për ta vrarë. Hajrie e Tafil Boletini që jetuan në Tiranë ishin fëmijët e Ahmetit.

Isa i doli ballë familjes së vëllait të vrarë, megjithëse tepër i ri në moshë u bë prind e babë edhe për fëmijët e Ahmetit, të cilët edhe ata u rritën dhe edukuan nën frymën e patriotizmit dhe atdhedashurisë në Kullën e Boletinëve, në Mitrovicën martire. Tafili pasi kreu studimet e larta në Turqi u thye në atdhe. Isa nuk e ndante për asnjë çast Tafilin nga vetja, e kishte krah të djathtë te tij. Edhe në rrugëtimin e madh historik për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 28 Nëntor 1912 e kishte pranë, por edhe në fundin tragjik të vrasjes së tij djemve, nipave e trimave të tjerë në urën e Ribnicës në Podgoricë, me 24 janar 1916, Tafili ishte pranë Tij. Rasti solli të ishte gjallë e dëshmimtarë okular i atij makrabiteti e tradhëtie fronko – malazeze – serbe që tronditi botën. Në një intervistë për TV – Shqiptar në vitin 1976 Hajrie Boletini flet për axhën e saj që e rriti si bijën e tij Isa Boletinin, trimëritë, inteligjencën e atdhedashurinë e tij ndër beteja kundër turqve, serbo malazezëve e grekëve. “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia” ka thënë Isa Boletini. “Axha, tregonte Ana, në biseda fliste pak, por me vend”. Mbi 20 beteja janë zhvilluar rreth mureve të Kullës. Gjashtë herë është goditur me topa e djegur Kulla e Boletinëve, gjashtë herë të tjera është ringritur nga familja e populli i Mitrovicës e zonat përqark. Isa Boletini ishte burrë i mençur dhe i pasur, por pasurinë e shkriu për luftën e çështjen kombëtare. E kurrë nuk u kursye për shporrjen e armikut nga trojet shqiptare.

Periudhë betejash, kohë kur Isa me djemtë, nipat e trimat e tij kishin shkuar në luftë, në Kullë nuk ndodhej asnjëri prej tyre. Hajria vëren nga frëngjitë, se pushtuesit po i afrohehshin përsëri Kullës për ta goditur e djegur. Si femër e mprehtë, trimëreshë e luftëtare e pregatitur qysh e vogël për luftë, vendos në çdo frëngji një nagat e fillon të shtijë me to, sa në një frëngji në tjetrën për të krijuar idenë se brenda Kullës nuk ishin vetëm gra e fëmijë, por edhe djemtë e burrat e saj….Pushkët e gjata (nagat) nuk janë të lehta për tu përdorur, e goditur me to nga fillestarët, për profesionistët janë armët më të dashura, e që nuk vjetërrohen kurrë.

Ana e njihte shumë mirë fizionominë e përdorimin e atyre armëve. Armiku me të parë që batareja e pushkëve të gjata nuk pushonte, zmbrapset e tërhiqet nga rrethimi i Kullës….zaptijet vazhdonte tregimin Ana, na ndiqnin si bisha të egra e kur na sulmonin, Isa nuk na linte me marrë kurrgja. Veç robve të gjallë, e shpirtit asgjë tjetër nuk dilte nga Kulla. Iknin nuset, çikat e reja, në të ftohtë në akull. Kulla ngrihej përsëri, kishte brënda mauzere, djepe, magje e frëngji. kishte alltare, që turfulloin në derë e prisnin trimat, burrat që e kishin lirinë më të shtrenjtë se jetën.

Hajre Boletini fliste shpesh edhe për rrugëtimn e Isës nga Mitrovica drejt Vlorës më 1912, për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, shoqëruar me djemtë, nipat e 400 luftëtarët e lirisë, peripecitë e motit të keq, si dhe për pusitë që kishin ndeshur rrugës nga shkjau e bandat e hajnave. Po atë ditë të nisjes së Isës për në Vlorë, për shkak të kohës së luftës u mbajt edhe martesa e nxituar Hajries me Mehmet Dajçin. Për pajë i kishin dhanë një sënduk me armë e me xhephane. Kur vëllezërit e saj u kthyen nga Vlora në Mitrovicë ishin mërzitur, që nuk e përcollën dot motrën e tyre nuse.

Janari është muaji në te cilin lindi dhe u vra Legjenda Shqiptare, Heroi i Popullit Isa Boletini. Lindi më 15 Janar 1864 në Boletin dhe u vra më 24 Janar 1916 në Podgoricë. 

Isa Boletini luftoi për 30 vite kundër turqve dhe armiqve të tokave shqiptare.

Shkrimtarja angleze Edith Durham, e cila gjatë kohës më të madhe të kryengritjeve të Isa Boletinit ndodhej në Shqipëri, në vitin 1912 ka thënë: “Isa Boletini ishte një udhëheqës i mirë, i zgjuar, dhe humanist i madh, i cili donte vetëm lirinë dhe bashkimin e tokave shqiptare”. Ndërsa në prill të vitin 1913 kur delegacioni ynë mbërriti në Londër, ku po zhvillohej Konferenca e Ambasadorëve, shkrimtari dhe dipllomati Aubrey Herbert e quajti Isa Boletinin Robin Hudi shqiptar, ku në atë Konferencë Isa Boletini deklaroi…”Nëse Europa nuk do të zgjidhë drejt çështjen e kufijve të tokave shqiptare, Ballkani nuk do të ketë kurrë qetësi dhe për këtë faji do të bie mbi ju, e jo mbi ne, që do të luftojmë përherë deri sa të çlirohemi”.

Nënshkruesi i Pavarësisë së Shqipërisë Ismail Qemali i tha: “I madhi Isa, luftërat tuaja ishin bazë e përpjekjeve të mia për Pavarësinë e Shqipërisë”.

Si patriot e avokat i njohur qeveria e Zogut e emërton Tafil Boletinin – Prefekt në Tetovë e më pas në Elbasan, ku me firmën e tij në këtë funksion në vitin 1943 shpëtoi qindra hebrenj që u rrezikohej jeta nga holokausti nazist i Hitlerit.

Ajete Boletini, e bija e Heroit Isa Boletini në një intervistë për TV – Shqiptar në vitin 1976 në Tiranë së bashku me Hajrie Boletinin foli edhe për dashurinë e kujdesin prindëror të Isës që pasqyronte tek fëmijët, nipërit e mbesat e tij. Ishte njeri shumë i dashur, human e paqësor, i drejtë dhe shumë njerëzor tregohej edhe me trimat e luftëtarët e tij. Ishte trim e tepër i mprehtë. Çdo detaj në Kullë e shikonte me vëmendje dhe e adresonte atje ku duhej. Ishte strateg dhe i ashpër me armikun. E më pas Ajetja flet për luftrat e dashurinë e pafund që kishte Isa Boletini për atdheun e bashkimin e tokave shqiptare.

Ajete Boletini në kujtimet e veta rrëfente se i mban mirë në mend ngjarjet e asaj kohe kur i ati përgatitej të fillonte luftën më të madhe e më të organizuar, kryengritjen e vitit 1909, të cilën e pasuan me radhë vitet 1910, 1911, 1912. Ka qenë një dimër i egër me borë të llohë dhe lufta ishte ndezur e rreptë, burrat luftuan e thuajse u ndeshën trup me trup me armikun. Qëndronte Isa me djem brenda në kullë i plagosur. I kishin mësuar çikat e gratë e Boletinëve të shtinin me mauzerë, kur trimat ishin larg, po kur luftonin në kullë, gratë ishin ndihma e parë e të plagosurve, të cilat pastaj i largonin menjëherë nga kulla, që të mos binin në dorë të armikut. Ajetja më pas jetoi në Durrës deri sa u nda nga jeta afër djalit Nazmiut dhe vajzës së saj Afërditës.

Qeveria serbe për t’i prerë hovin luftës, kishte vendosur internimin e familjeve të të gjithë atyre që ishin larguar prej shtëpive e që u quajtën kaçak. Vendosën edhe internimin e familjes sonë kujtonte Tafil Boletini, sikur ishte pakë që e mbanin nën roje kullën me xhandarë te dera, vijnë te dera me pleqësi të lagjes, thërrasin gjyshen e nënën time dhe i urdhërojnë që të dilnin të gjithë për me shkua në internim. Nëna thotë “Fëmijë e gra e unë nuk lëvizim prej kulle” me të dëgjuar fjalën internim, robët alarmohen. Gruaja e axhës Isë, Qamilja, në moment kap një bidon vajguri dhe e ve në derë, e me shkrepës në dorë ju thotë “Sa me dek me 30 shpirta, gra e fëmijë rrugëve të Serbisë e me u bë horë, shumë më mirë po përvëlohemi në shpinë tonë”. Çështja alarmohet, autoritetet vrapojnë e përpiqen për me e bindë, por pa dobi. Nga frika e ndanjë skandali që mund të bëhej nga vendosmëria e Qamiles, meqenëse shtëpia ndodhej për karshi Konsullatës Austriake, autoritetet u larguan dhe në këtë mënyrë shpëtuam nga internimi. Autoritetet e panë se nuk bëhej shaka me gruan e Isës, Qamile Boletinin. Po ata kishin edhe njëmijë plane e intriga për ta likuiduar Isën. Me ndihmën e Malit të Zi dhe të konsullit francez më 16 janar të vitit 1916 në Podgoricë u vra me tradhti Isa Boletini me djem, nipa e disa nga luftëtarët e tij.

Mes vajzave e grave të Boletinëve dalloheshin Ajshja, Qamilja, Ajetja, Hajrija, Adilja, Elfija, Ikbale dhe Kumrie Boletini, dy të fundit u burgosën në Jugosllavi në vitin 1945. Adile Bekteshi Boletini, e motra e Dr. Selaudin Bekteshit, ishte arsimtare në Shkodër, bashkëshortja e Adem Boletinit vrarë në Shkodër nga komunistët. Adile Boletini u arrestua dhe u burgos nga regjimi komunist në Shqipëri në vitin 1947, nga punët e rënda në burg goditet nga një sëmundje e rëndë dhe vdes në burgun e Shkodrës në vitin 1948. Djemtë e saj janë Dr. Enisi dhe Isa Boletini. Dr. Enisi, mjek i nderuar që i shërbente pacientëve pa dallim biografie, pra dhe atyre që kishin “kleçkë” në biografi nga komunizmi siç ishte edhe vetë. Djali tjetër Isa Boletini ishte arbitër ndërkombëtar sporti, pas rënies së komunizmit u angazhua pranë Shoqatës së ish të Persekutuarve Politikë të Tiranës, ku zgjidhet Kryetar Bordi për artistët dhe sportistët e persekutuar nga diktatura në Shqipëri, nipi i tij, djali Adrianit gëzon emrin e Heroit Isa Boletini.

Janë Sabrija, Shemsia, Besa, breza vazjash e grash të tjera të kësaj familje që për arsye mos asimilimi jetuan në Tiranë. Besa Shkurti e bija e Sabries dhe mbesa e Tafil Bolenit pas studimeve të larta në Shqipëri dha një kontribut të madh në emancipimin e grave dhe vajzave shqiptare, ishte femër inteligjente e dashur dhe mikëpritëse. Pra shumë prej tyre u shpërngulën nga Mitrovica kudo nëpër Kosovë, Brazil, Shqipëri e vende të ndryshme të botës.

Sipas të dhënave e kërkimeve të mia dhe vizitave që kam patur në Tiranë dhe SHBA sëbashku me bashkëshortim tim Ademin, tek familja e Mimoza Dajçit, kam dëgjuar se njëra mbesë njihet si mjeke e zonja në Prishtinë. Ndërsa Natana Boletini jeton e punon në Brazil, ka kryer studimet për psikologji, është e bija Orhan Boletinit, nip i Isa Boletinit.

Këto femra të suksesshme e patriote me gjak shqiptari nga nëna, ose babai, gjyshi apo stërgjyshi, sot vërtetë janë brezi i katërt apo i pestë i familjes Boletini, por në dejet e tyre rrjedh gjak nga kjo familje, e nesër do të jenë breza të mëtytjeshëm, stër, stër mbesa të Boletinëve që nuk do të harrojnë kurrë prejardhjen e tyre pasi të parët e tyre, për ti mbijetuar përndjekjes së turkut e shkjaut u detyruan të largohen nëpër botë për mbijetesë duke jetuar në Brazil, Shqipëri, Slloveni, Gjermani, SHBA, Itali, Angli, Francë e SHBA.

Si diçka pozitive që i shërben historisë, shikoj sot që stërmbesat e Heroit Gjergj Kastrioti Skënderbeut bëjnë publike me krenari origjinën, se janë gjak nga paraardhësi i tyre Gjergj Kastrioti. Së fundi u njohëm edhe me aktoren turke Pelin Batu, e cila mes emocioneve e krenarisë tregoi se nga nëna e saj me origjinë shqiptare është stërmbesë e Gjergj Kastriotit, e paraqiti një foto pranë monumentit të Heroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Më pëlqu ajo foto e Pelinit, dhe duhet vlerësuar ky moment, kur femrat shqiptare me krenari tregojnë origjinën e tyre dhe nderojnë të parët e tyre që kanë dhënë jetën për kombin e popullin tonë.

Heroina Shote Galica, të cilën Ana e kishte mbesë e sipas saj ishte Shota me trimat e saj që në tetor të vitit 1924, i shoqëroi me kalë nga Mitrovica deri në afërsi të Kukësit, Hajrien me të shoqin Mehmet Dajçin e fëmijët e tyre të vegjël për t’ju larguar raprezaljeve të njëpasnjëshme të armikut, që me çdo mënyrë donte të zhdukte këdo të ri e të re që kishte lidhje gjaku me Boletinët. Moti ishte i keq. Fëmijët i kishin vendosur në dy koshat e kalit të vetëm që kishin me vete, Ana e Mehmeti udhëtuan më këmbë nga Mitrovica në Kukës, mes baltës e të ftohtit peripecive të mëdha të armikut, maleve të lartë e pyjeve të dendur. Fillimisht ndalojnë në Fier. Prefekt i atij qyteti ishte vëllai i Anës, Tafil Boletini.

Me ato pak të ardhura që kishin me vete blejnë në Fier një sipërfaqe toke, qëndrojnë disa muaj, më pas nisen në Tiranë. Për tokën e blerë në Fier sot e kësaj dite familja Dajçi, nuk e ka në duart e saj! Jetuan në një shtëpi të rrënuar me qerpiç në rrugën “Muslym Shyrri” në Tiranë, aty u rritën dhe edukuan fëmijët Dajçi, Rasimi dhe Enveri kryen edhe studimet universitare jashtë me rezultate shumë të larta dhe zotëruan disa gjuhë të huaja. Por shpejt kjo familje do të pësonte edhe persekucionin politik nga rregjimi komunist. Hajria kishte shumë miqësi me të bijën e Bajram Currit, Feriden, e cila kishte dy djem, njërin në Tiranë teknik elektrik, që shkonte në familjen e Enver Dajçit për të rregulluar një radio dhe një orë të vjetër që u prisheshin shpesh, sigurisht pa pagesë, ndërsa djali tjetër i kishte mbetur që gjatë studimeve në Beograd. Si dy mike të mira Hajrije Hanmi dhe Feride Hanmi kalonin herë pas here kohën së bashku duke pirë çaj e flisnin për hallet e dertet e së shkuarës. Isa Boletini dhe Bajram Curri thoshte Ana ishin dy Prijës Popullor, trimëritë e të cilëve do të kujtohen ndër shekuj.

Kur në ambjentet e Pallatit të Kulturës në Tiranë do të inagurohej monumenti i Isa Boletinit, për t’u çmalllur shkoi edhe Ana, shoqëruar nga mbesa e saj shkrimtarja e njohur Eglantina Mandija. Veshi pallton e vetme e të gjatë të zezë që e ruante nga Mitrovica. Hapin e hidhte të shtrirë e të tendosur, me padurim e priste atë ditë…. Gruaja e fortë, kishte parë shumë plagë, gjak e humbje jetësh, por nuk e shfaqte kurrë ligështimin. Atë periudhë djali i saj i dytë Enveri, dergjej burgjeve shqiptare si i burgosur i ndërgjegjes. Qëndroi heshtur përballë monumentit të Tij, E shikonte me vëmendje, donte të bisedonte me të, sikur vajza me babën. Pa tjetër ngjarje të rralla sillte në mendje. Për momentin u trondit nga emocionet, por nuk e dha veten, qëndroi drejtë pa lëvizur. Femër stoike, me trup të gjatë, e të hollë. I preku duart dhe xhamadanin e shpuar nga plumbat që Isa mbante veshur. Xhamadanin ja kishte qëndisur nëna Ajshe. Emocione të jashtëzakonshme përjetova edhe unë atë ditë tregonte Eglantina, e bija e Exhlales.

Hyasin Hecquard një nga njohësit e mirë të popullit tonë, për gruan shqiptare shkruan se, “Gratë shqiptare dinë ti mbajnë lotët e dhimbjes edhe kur janë përpara njerëzve të tyre më të dashur të shtrirë përdhe. Shpeshherë duke i mbajtur nëpër duar kufomat e tyre i kanë shpënë ata në mes të luftëtarëve për ti nxitur që të hakmerren kundër armikut”.

Historia shkruhet. Përsëritet. Duke hulumtuar “Pemën Gjenealogjike” te “Trugut” Boletini, si një koncept biologjik i veprës së Çarls Darvinit me titull “Origjina e llojeve” vitet që kalojnë i dhurojnë familjes Boletini pasardhëse, vajza e gra të reja vitale e me vlera të larta, qëndrestare të paepura të çështjes kombëtare për liri, paqe e demokraci në Shqipëri, Kosovë, trevat shqiptare, SHBA, Brazil e kudo në botë ku punojnë e jetojnë. Njëra prej tyre është edhe gazetarja Mimoza Dajçi, e cila ka qenë mbështetëse e flaktë e rënies së komunizmit në Shqipëri, rrëzimit të bustit të diktatorit Hoxha, sëbashku me të atin, motrat e vajzën e saj 5 vjeçare Merlinin. Ka punuar e sakrifikuar fort e me guxim për fitoren e demokracisë në vend. Ka qenë ish anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Mimoza ka shkruar për ligjin e lustracionit, hapjen e dosjeve e kundër korrupsionit në Shqipëri. Ka ngritur zërin për gratë e përdhunuara e vrarë nga makineria serbe në Kosovë, është kundër dhunës në familje. Për guximin e saj në kauza të rëndësishme për çështjen kombëtare e jashtë saj, si publiciste, humaniste, aktiviste e të drejtave të njeriut dhe për merita të veçanta është vlerësuar me Tituj e Çmime të lartë si në Shqipëri ashtu edhe në SHBA, gëzon Titullin Presidencial në Shqipëri “Për Merita të Veçanta Civile”. Eshtë autore e dy librave artistik “E bukura nën Pranga” dhe  “ANA”, skenariste e regjisore e dokumentarit “Gruaja nën Diktaturë”. Eshtë intervistuar disa herë nga TV – Zëri i Amerikës dhe është një ndër protagonistet e dokumentarit për të persekutuarit e të zhdukurit politikë nga komunizmi në Shqipëri, realizuar nga TV – BBC në Londër në vitin 2018.

Femra shqiptare njihet historikisht se ka dhënë një kontribut të madh edhe në luftë për çlirim kombëtar të atdheut nga okupuesit, për këtë njihet edhe pjesëmarrja e saj aktive në kryengritjet e vitit 1910-1912. Vlen për të përmendur se në vazhdën e veprimtarive të gruas në luftë për liri, gratë shqiptare të Kosovës i dolën me armë në dorë deri në Grykën e Kaçanikut, ballë për ballë ushtarëve turq të Shefqet Turkut Pashës.

Jeta vazhdon, “Pema Gjenealogjike” sjell degë të reja në këtë familje. Njëra prej tyre është mbesa e Exhlale Dajçi Banjës, bijës së Hajrie Boletinit, Vilma Ballvora – Drejtore e Seksionit Shqip pranë TV – Deutsche Welle në Gjermani, ish spikere e TV – Shqiptar, femër inteligjente e guximshme, e fortë e cila shkeli klonin e kuq të detashmentit shqiptar, u largua nga Shqipëria me Eksodin e 2 Korrikut të vitit 1990, duke rrezikuar jetën familjarisht me hyrjen në Ambasadën Gjermane në Tiranë bashkë me nënën e saj trimëreshë e të fortë, muzikologen Dita Banja e vëllanë e saj Ervinin. Dita dhe fëmijët e saj me këtë akt guximi e trimërie dëshmuan heroizmin e tyre duke sfiduar diktaturën komuniste në Shqipëri, si më të egrën në Europë. Vilma është e martuar me intelektualin Agim Ballvora e vijojnë jetën e tyre bashkëshortore në Gjermani.

ADN-ja e femrave në Gjenogramën e familjes Boletini vijon me Ina Gjonin, mbesë e Xhejlan Boletini Dajçit Ruvina, vajza e vetme e Tefta Ruvinës. Ina Gjoni është një femër tepër kurajoze, inteligjente dhe e fortë, e guximshme, gjeni në familje e në fis. Autore librash qysh në moshën 13 vjeçare, ka punur për TV – Agon Chanel në Shqipëri dhe TV – Shqiptar si gazetare dhe regjisore. Si artiste dhe aktore ka interpretuar në disa filma artistik shqiptarë. Si mbesë e familjes Boletini është intervistuar nga disa televizione shqiptare sëbashku me gjyshen e saj Xhejlan Dajçi Boletini Ruvina, intervistë që është ndjekur me interes nga teleshikuesit shqiptarë. Ina Gjoni ka ndjekur studime edhe në fushën e mjekësisë. Eshtë biznesmene e suksesshme, si dhe është angazhuar në Shqipëri dhe në Itali në drejtimin e disa Sfilatave të modës. Ina thotë se nuk ka përfunduar studimet për pikturë, por me talenin e punimet e saj ka arritur të hapë disa ekspozita pikture.

Më pas kemi emrat e Dardana e Valbona Boletinit, intelektuale dhe demokrate të njohura. Kanë përfunduar studimet e larta në Shqipëri, e janë angazhuar në projekte, e programe të ndryshme në dobi të zhvillimit, ekonomisë e paqes në vend. Janë të bijat e patriotit Ali Boletini, i cili nën tortura të rënda ka vuajtur dënimin në burgun e tmerrshëm në Goljotog gjatë sundimit serb në Kosovë, i cili më pas u arratis në Shqipëri. Dardada dhe Valbona janë mbesat e Tafil Boletinit nga i ati i tyre.

Si përfaqësues autentik i familjes Boletini dhe i vetmi që kujdeset për Kullën e Boletinëve dhe Muzeun “Isa Boletini” në Mitrovicë ështe nipi i Isa Boletinit, i biri i Xhavit Faik Boletinit, Gazmend Boletini. Me Gazmendin e familjen e tij njihem personalisht, i vizitoj sa herë kur shkoj në Kosovë. Flasim shpesh me Gazmendin për brezat e rrethin familjar të Boletinëve, familjes time e krejt popullit të Kosovës që derdhi shumë gjak e sakrifica për kēto ditë që jetojmë sot.

Sipas Gazmendit, Kulla ka shërbyer përsëri si shkollë fillore në gjuhën shqipe nga viti 1946 – 1970, kur u mbyll nga rregjimi komunist. Muzeu “Isa Boletini” që vizitohet çdo ditë nga qindra mysafirë shqiptarë e të huaj nga e gjithë bota e trojet shqiptare, tregon se sot po ndodh e kundërta e atij mos asimilimi. Emrat dhe veprat e tyre duhen shënuar me krenari e respekt në Fletoren e Familjes e më tej. Mbiemri Boletini jeton e do të jetojë ndër breza djemsh e vajzash që do të çojnë në vend amanetin e të parëve të tyre.

Gazmend Boletini duke qëndruar me shpirt e zemër në krye të Muzeut “Isa Boletini” në Mitrovicë mban gjallë jo vetëm historinë, traditën, patriotizmin e atdhedashurinë e Isa Boletinit, familjes së tij e krejt popullit shqiptar, por duke respektuar e bashkuar degët e gjakut Boletini kudo nëpër botë, reflekton anën humane të tij, Sikurse edhe Isa që mbajti rreth sofrës edhe fëmijët e vëllait të vrarë Ahmetit, duke mos bërë dallime mes tyre e kujdesur për ta si për fëmijët e tij.

Fatbardha Boletini ka kryer studimet dega juridik në Shqipëri, punon në Kuvendin e Kosovës, e bija e patriotit Selim Boletini, i cili si student arratiset nga Kosova për në Shqipëri në muajin maj të vitit 1962. Edhe me juristen Fatbardha Boletini njihemi dhe ruajmë një raport të mirë shoqëror, jam takuar në disa veprimtari patriotike me të në Kosovë. Edhe me Fatbardhën shpesh cikim tema rreth familjeve tona të përbashkëta. I ati Selimi punonte mësues në Elbasan, ishte aktivist i orëve të para të përmbysjes së rregjimit komunist në Shqipëri dhe rrëzimit të bustit te diktatorit Hoxha duke vënë në rrezik jetën e familjen e tij. Selim Boletini ka qenë një ndër themeluesit kryesorë të PDSH në qytetin e Elbasanit. Fatbardha është angazhuar në një sërë veprimtarish patriotike, intelektuale të çështjes kombëtare në Prishtinë, Mitrovicë e më gjerë. Eshtë femër inteligjente, e guximshme dhe e suksesshme.

Elfije Boletini, vajza tjetër e Selim Boletinit, që mban emrin e nanës së tij, punon si gazetare tek gazeta Telegraf në Prishtinë. Nana e Selimit, Elfija ka qenë një grua patriote, trimëreshë, e zgjuar dhe bujare, i dëgjohej fjala jo vetëm në familjen e saj por edhe tek familja e burrit, pjesëtarët e familjes Boletini që qëndronin të fshehur jashtë Kullēs pasi kërkoheshin për tu vrarë, nanë Elfija i dërgonte ushqime në fshehtësi si një ndër më të besuarat e tyre. Sa herë do të shkonte në Tiranë Selimi nuk do ta linte pa u kthyer edhe tek familja e Enver Dajçit, shkonte sëbashku me axhën Tafil, Axhokun, siç e thërrisnin nipat e mbesat, bashkëshorten Nexhin dhe fëmijët e tij. Sa përfundoi lufta, kur Kosova u shpall e lirë dhe e pavarur nga okupimi serb i MIllosheviçit, Selimi kthehet në vendlindjen e tij Mitrovicën e dashur sëbashku me bashkëshorten Nexhmijen e fëmijët e tyre në qershor të vitit 1999. Selim Boletini u nda nga jeta në muajin nëntor të vitit 2022 në Kosovë. Gazetarja Elfije Boletini me punën e saj të guximshme si gazetare e suksesshme ngre vazhdimisht zërin për të drejtat e shqiptarëve si dhe në programet e saj trajton tema të patriotizmit dhe heroizmit të shqiptarëve.

Vijojmë me mbesat e vajzës tjetër të Tafil Boletinit, Shemsie Boletini Telkiut.

Aida Konti, e bija e Luljetës dhe Mërkurit. Mërkuri është i biri patriotes Shemsie Boletini dhe nipi i Tafil Boletinit, jetojnë famljarisht në Gjermani qysh nga viti 1991, familjarisht marin pjesë nëpër festat dhe aktivitetet e komunitetit shqiptarë në Gjermani. E bija Aida ka kryer studimet Dega Shkenca Politike në Dusseldorf dhe ka punuar pesë vite në Bundestagun Gjerman në Dusseldorf, Institucioni më i rëndësishëm, në një prej vendeve më të zhvilluara të botës. Ndërsa tani punon tek Caritasi Gjerman po në Dusseldorf, angazhuar nëpër projekte të ndryshme humanitare. Eshtë e martuar me një shtetas gjerman dhe jetojnë sëbashku në Gjermani.

Anisa Telkiu juriste, e bija e Nustret Telkiut, i biri i Shemsies dhe nip i Tafil Boletinit. Nystreti është larguar nga Shqipëria në vitin 1090, punon e jeton familjarisht në Zvicër. E bija Anisa ka kryer studimet me rezultate të larta në Degën Juridik në Zvicër, punon e jeton në Zvicër ma bashkëshortin e saj Zviceran.

Merlin Tushe, vajza e Mimoza Dajçit edhe ajo një e emër i njohur tashmë në arenën e shtypit shqiptar, violiniste, angazhuar në shumë veprimtari të komunitetit shqiptar në Shqipëri edhe në SHBA ku jeton e punon prej shumë vitesh. E edukuar qysh fëmijë me ndjenjën e patriotizmit ka folur nëpër podiume, protesta e fushata të ndryshme për parimet demokratike e paqes në Shqipëri, duke rrezikuar edhe jetën e saj nga ekstremi i majtë. Si femër që spikat për shkallën e lartë të inteligjencës në shumë fusha të jetës është pranuar në disa organizata të gjenive të botës në SHBA. Eshtë femër e guximshme, e sjellshme dhe e dashur, ka ngritur zërin e saj për të drejtat e punonjësve edhe në SHBA. Ka marë pjesë nëpër konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e grave fëmijëve, ka folur për përdhunimet serbe ndaj femrave në Kosovë dhe për demokracinë e paqen kudo në botë. Për “Merita të Veçanta Civile” në dobi të komunitetit në SHBA, humanizëm e të drejtave të njeriut është dekoruar nga Presidenti i Bashkisë në Bronx Ruben Diaz Jr, Kryekontrollori i Shteitt në New York Scott Stringer, Assamblywomen Nathalia Fernandez dhe nga Spitali Montefiore në New York, ku punon si administratore me Titullin e lartë “Fytyra e Respektit.

Sigurisht shumë vajza e gra, pasardhëse të familjes së Boletinëve kanë kryer studimet me rezultate të larta në Shqipëri, Kosovë apo vende të ndryshme të botës, por unë u fokusova tek ato vajza dhe gra të suksesshme e të guximshme që janë specifikuar e vlerësuar nga mediat e  personalitetet shqiptare dhe të huaja.

Pra historia e femrave trimëresha e inteligjente të familjes Boletini rritet çdo ditë, evulon, bëhet më tërheqëse, e bukur dhe interesante për brezat që do të vijnë. Kush e ndjen veten se mund të shtojë diçka më tepër në këtë material përkujtimor, emra, ngjarje, data do të isha tej mase e lumtur dhe e gëzuar, për të ditur më shumë rreth para ardhësve e më të rinjve të familjes Boletini. /Illyria/

Shënim: Autorja Prof. Rita Saliu gëzon Titullin Presidencial Shqiptar “Nënë Tereza”