Tetori, muaji kur zogjtë e shqipes nisën fluturimin e tyre drejt çerdheve të mësimit të gjuhës mëmë.
Krijimi i sa më shumë kurseve, hapja dhe shpërndarja e tyre në gjithë territorin grek, ka qenë dhe është prioritet i Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi në vite, gjithashtu edhe për vitin shkollor 2022-2023.
Mësuesit aktivistë, vullnetarë, anëtarë të LMSHG-së, vazhdojnë të punojnë intensivisht për afrimin e sa më shumë fëmijëve pranë kurseve ekzistuese por edhe për krijimin e mundësive të hapjes së kurseve të reja.
LMSHG-ja gjendet në kontakt të vazhdueshëm me Komunitetin Shqiptar në Greqi, me synim rritjen e interesimit të bashkatdhetarëve tanë, ndaj mësimit, ruajtjes dhe kalimit të gjuhës amë te brezi i dytë dhe i tretë i emigrantëve shqiptarë. Gjithashtu Kryesia e LMSHG-së është në kontakt të vazhdueshëm me organet lokale në mbarë Greqinë, me qëllim nxjerrjen e lejeve përkatëse për ambientet mësimore të domosdoshme për hapjen e kurseve të reja si edhe me organet shtetërore shqiptare për ardhjen dhe tërheqjen e kontigjentit të librave të rinj për vitin shkollor 2022-2023.
Në sajë të kësaj veprimtarie, muaji Tetor u mbyll me hapjen e një numri të konsiderueshëm të kurseve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në shumë zona të territorit grek:
1.Kursi i mësimit plotësues pranë organizatës “Jeta”, Athinë
2.Kursi i mësimit plotësues të gjuhës shqipe Rendi, Athinë
3.Kursi i mësimit plotësues” Fari i Dijes”, Hania
4.Kursi i mësimit plotësues “Dituria”, Athinë
5.Kursi i mësimit plotësues të LMSHG-së, Athinë
6.Kursi i mësimit plotësues Rafinë
7.Kursi i mësimit plotësues SHESHG
8.Shkolla shqipe “Udha e shkronjave”, Korinth
- Kursi i mësimit plotësues pranë shoqatës “Nënë Tereza”, Selanik
10.Kursi i mësimit plotësues “Frang Bardhi”, Rafinë
11.Kursi i mësimit plotësues “Frang Bardhi”, Rethimno
Për Lidhjen e Mësuesve Shqiptarë në Greqi
Majlinda Lipi
Zëdhënëse shtypi
Nga Klarita Selmanaj Zëvendëskryetare e LMSHG-së










