Historiani Ragip Zekolli ka udhëtuar nga Brukseli drejt Prishtinës për të çelur ekspozitën “Mos harro”, një dokumentar fotografik i cili rrëfen dhunën, terrorin dhe gjenocidin serb në arsimin e Kosovës.
Autori u shpreh se nëpërmjet kësaj ekspozite synon të trokasë në ndërgjegjen e atyre që kanë shkaktuar kaq shumë dhembje.
“Kjo ekspozitë dëshiroj që të trokasë në ndërgjegjen e njerëzve që i kanë kryer këto krime. Gjithashtu një lehtësim për familjaret që i kanë humbur më të dashurit e tyre. Kjo ekspozitë pas 22 vitesh paraqet dhunën, terrorin dhe gjenocidin serb në arsim. Këtu jam munduar të sjell fotografitë e shkollave të shkatërruara dhe rrënuara dhe shumëçka tjetër nga ajo kohë. I rëndë është edhe 1 shtatori i vitit 1999 kur filloi mësimi në gjimnazin ‘Jeta e Re’, derisa në sallën e edukatës fizike u paraqiten përherë të parë gjurmët e kufomave dhe filloj të bëhej identifikimi i tyre ”, tha Zekolli.