Në 18 tetor një konferencë mbi përvjetorin e 30-të të Traktatit të Maastrihtit e atë të 20-tin të hyrjes në qarkullim të Euros është mbajtur në mjediset e Universitetit ”La Sapienza” të Romës. Dy eventet historike janë trajtuar në një këndvështrim përfshirës të disiplinave shkencore e akademike si historia, teoria politike e ekonomike, ndërthurur me zhvillimet ndërkombëtare. Organizuar nga Fondacioni ”Roma Sapienza” e shoqata e studiuesve ”Nuova Accademia”, eventi u ndoq edhe prej eksponentësh profesionistë të diasporës shqiptare dhe përfitoi në qasjen ndërkombëtare prej pranisë mes relatorëve të profesoreshës Arta Musaraj, mes të tjerash PHD në Ekonomi dhe botuese e revistës shkencore ndërkombëtare ”Academicus”.
Titulluar ”Traktati i Maastrihtit dhe aderimi i Ballkanit Perëndimor – Reflektime mbi qendrueshmërinë në proceset integruese të BE-së”, fjala e Prof. Dr. Arta Musaraj preku origjinën e Traktatit të Maastrihtit si gjenerator juridik i Bashkimit Evropian aktual, themeluar mbi 3 shtylla: bashkësitë evropiane, politika e jashtme dhe sigurisë së përbashkët, drejtësia e çështjet e brendshme. Ai shënon krijimin e qytetarisë evropiane dhe hapi rrugën për krijimin e Bankës Qendrore Evropiane si dhe qarkullimin e euros. Ky model i ri i funksionimit të Bashkimit afroi vendet evropiane në një kontekst, shënuar gjithashtu prej mbetjes në nivelin kombëtar brenda shteteve të politikave ekonomike e fiskale. Kriteret e aderimit për Ballkanin Perëndimor janë të kritikueshëm për të qenit përgjithësues, rëndësinë e dhënë ndaj atyre politikë mbi të tjerët dhe kushtëzimin rigoroz ndaj Gadishullit që po i karakterizon dukshëm. U evidentua se ”janë kushtet politike që kanë penguar një ecje më të shpejtë të pjesës më të madhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, shumë më tepër sesa mungesa e disponueshmërisë për të përmbushur kriteret e tjera”.
Relacioni pohon: ”Për studiuesit e fushës dhe jo vetëm për ta, disa prej kritereve të BE-së bazohen mbi një këndvështrim të ekonomisë së tregut që sot ekziston vetëm në tekstet e ekonomisë, teksa evidentohet mospërputhshmëria mes një serie kërkesash aderimi për anëtarët e ardhshëm të Bashkimit dhe praktikës efektive në vendet anëtare”. Tejzgjatjet e integrimit, efikasiteti qeverisës i ulët, cilësia në rënie e të zgjedhurve, të sistemit të drejtësisë dhe korrupsioni në rajon, ndikojnë në mbajtjen në nivele të larta të vullnetit migrator nga rajoni, kërcënuar në stabilitetin e tij prej efekteve të luftës në Ukrainë.
Pyetur nga DiasporaShqiptare.al sesi e sheh potencialin e diasporës shqiptare në qasjen shqiptare ndaj BE-së profesoresha Musaraj pohon në mënyrë të detajuar: ”Prej 30 vjetësh Shqipëria mund të përcaktohet si një popull emigrant dhe logjikisht roli i diasporës s’ka qenë e nuk mund të jetë i lidhur vetëm me termin ”dërgesa”. Gjithsesi, duhet theksuar se efekti i këtyre dërgesave në rimëkëmbjen ekonomike të vendit mbetet i dukshëm, përpos gjithë dialektikave të brezave të emigrantëve shqiptarë dhe efektet që këto kanë patur mbi vetë remitancat. E padiskutueshme ka qenë e vazhdon të mbetet aktuale nevoja që, përmes politikash ekonomike largpamëse, të krijohen mekanizmat për të mundësuar që këto kontribute të ishin thelbesore në strukturimin e ekonomise dhe përputhjen e strukturës ekonomike me atë të BE-së. Shkalla e lartë e integrimit të diasporës në vendet e BE-së përfaqëson një faktor ndikues në shpejtimin e proceseve të integrimit jo vetëm në përmirësimin e kuadrit ligjor e administrativ në sferën e emigracionit, por mbi të gjitha në forcimin e kapaciteteve, për krijimin e një elite të re politiko-administrative, tejet jetike për vendin. Nuk është aspak e rastit që personalisht, për mbi një dekadë në Universitetin ”La Sapienza” të Romës kam pasur studentë doktoratura nga diaspora shqiptare, që karakterizoheshin prej një niveli të spikatur ekselence dhe që jo rastësisht kanë thelluar studimet e tyre pikërisht në sferën e integrimit të vendit tonë në BE. Le të mbajmë gjithnjë parasysh faktin se një nga shtyllat e Maastrihtit është drejtësia dhe të drejtat e qytetarëve, ku e drejta e votës ka rol themelor. Akordimi i të drejtës së votës për diasporën shqiptare sot është jetik për fatet e vendit, jo vetëm për faktin numerik se sot gjysma e popullsisë ka emigruar, por edhe për ndikimin e votës cilësore, në shpresën për të prodhuar institucione e administratë me standarde e norma evropiane, që ta mbajnë larg prej korrupsionit dhe nivelit të manget cilësor që e karakterizon sot.”



