“Violina e Paqes” një ngjarje artistike e konceptuar nga violinisti shqiptar që jeton në Francë, Kledis Rexho, mbushi mbrëmjet artistike të dy qyteteve, Tiranës dhe Durrësit. Në Tiranë fokusi i aktivitetit ishte me i gjerë, me koncerte dhe workshope. Në Durrës një mbrëmje magjike në ambientet e Hotel Adriatik.
“Në kryeqytet koncertet u zhvilluan në qendrën kulturore pranë katedrales Ortodokse, dhe në sallën “Tonin Harapi” pranë liceut artistik. Dy koncerte ku u paraqitëm me muzikë karakteristike të vendeve të ndryshme të botes, dhe në koncertin tjetër një koncert me muzikë dhome. Një aktivitet tjetër i rëndësishëm i festivalit u zhvillua në formën e një “ momenti Muzikor”, tek shtëpia e të moshuarve ne Tirane. Po në kryeqytet u zhvillua gjithashtu një program pedagogjik, në shërbim të disa prej nxënësve muzikant më të motivuar në Shqipëri” shpjegon për Diaspora Shqiptare violinisti dhe drejtuesi i festivalit Kledis Rexho.
Programi Pedagogjik, në fakt ishte një vlerë e shtuar sidomos për nxënësit dhe muzikantët e rinj. Ai përfshiu zhvillimin e disa kurseve (Master-Klasave) në prezencë dhe online, ku nxënës, muzikant të rinj, përfituan nga këshillat e profesorëve të “Konservatorit Nacional Superior të Parisit” si Sarah Nemtanu e cila është një nga violinistet më të mira të Francës apo Ami Flammer me një eksperiencë 30 vjeçare në konservatorin e Parisit, të Universitetit të Iowa në USA si Jonathan Sturm, nga profesorë të Universitetit të Arteve në Tirane si Bujar Sykja. Por nxënësit që morën pjesë në programin pedagogjik morën këshillat e muzikantëve më të rinj Shqipëtar si p.sh. violinistja Ingrid Zhegu, e cila ka një eksperiencë si violinë Solo në orkestrën e Sarajevës dhe si violiniste në orkestrat më të mira shqipëtare.
“E veçanta ishte se nxënësit e programit pedagogjik patën mundësinë të ndiqnin master klasa orkestrale dhe u inkuadruan në një orkestër të përbëre me muzikantë profesionist shqiptar dhe të huaj. Muzikantët e rinj u mësuan me profesionin e orkestrantit, me disiplinën e punës në një orkestër profesionale, dhe u bënë pjesë e kësaj orkestre në koncertet e saj përgjatë festivalit. Kishim ndihmën e çmuar të profesorëve të nxënësve të cilët përgatitën nxënësit që të ishin sa më të përgatitur para se ti bashkoheshin orkestrës me muzikantë profesionistë. Ky program pedagogjik krijon bazën e krijimit të një akademie ndërkombëtare të mirëfilltë që në edicionet e saj te ardhshme. Akademi e cila do te zhvillohet ne paralel me koncertet e festivalit” shpjegon violinisti Shqiptaro-Francez Kledis Rexho. Nxënësit muzikantë, pjesë të programit pedagogjik të këtij viti të parë të festivalit “Violina e Paqes” përfituan dhe dhurata (tela, partitura, jastëk violine, etj) të dhuruara nga Kledis Rexho dhe nga Lutaijo Francez Pierre Caradot, i cili ka atelienë e tij në “Rue de Romë” në Paris. Festivali “Violina e Paqes” pa krijimin e një orkestre të re në Shqipëri e cila performoi në disa nga koncertet e festivalit. Nxënësit e programit pedagogjik e panë veten ne skene, pranë muzikanteve me përvojë të orkestrave me prestigjioze në vend dhe botë, si Orkestra Filarmonike e Luxembourg-ut, Radio Francës, apo London Symphonie Orchestra, Orkestra e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë si dhe orkestra e R.T.SH-së. Nga ky aktivitet maratonë do të veçoja Tre momente ” shprehet Kledis Rexho, -“Momentin Muzikor në shtëpinë e të moshuarve në Tirane, ku u interpretuan pjesë festive për të krijuar një moment sa më të këndshëm për të moshuarit, Ky moment u krijua nga “Festivali i Paqes” për ti ofruar një pasdite ndryshe të moshuarve. Koncerti në qendrën kulturore në katedralen Ortodokse në Tiranë ku orkestra performoi me një dëshirë dhe muzikalitet shumë të bukur. Po kështu edhe koncerti në Hotel Adriatik Durrës. Një moment magjik ndërmjet peisazhit të bukur të perëndimit të diellit në detin e Durrësit, notave të muzikës dhe një publiku shumë entuziast i cili kishte mbushur sallën e Hotel Adriatik Durrës.
Muzikantë që interpretuan në këtë maratonë aktivitetesh ishin: Ami Flammer (Francë, profesor në CNSMDP), Ionel Streba (Francë-Rumani, Koncertist), Ilir Kodhima (Shqipëri, profesor në Universitetin e Arteve), Kledis Rexho (Francë-Shqipëri), Emilie Rose Bry (Soprano koncertiste Franko-Amerikane ), Gabriela Opacka Boccadoro (Violiniste Polake që jeton dhe punon në Londër), Rebecca Bogdanoff (Violiniste në orkestrat më të mira të Francës, si psh Radio Francës) etj.. Muzikantët te tjere shqiptarë qe performuan si solist: Armand Broshka ( Violinist dhe arranzhues shume i talentuar nga Elbasani ), Albi Binjaku (Violinist solo ne Operen e Limoges), Bujar Sykja (Profesor i Violinës në Universitetin e Arteve), si dhe Vesa Dume (nxënëse, pjesë e programit pedagogjik.) Festivali “Violina e Paqes” i dha “dritë” formimit të një orkestre të re në skenat shqiptare. “Life and Music Concept Orchestra” e cila u formua me rastin e festivalit ndërkombëtar “Violina e Paqes” dhe synon që të jetë pjesë jo vetëm e jetës artistike shqiptare por edhe e festivaleve më të mira në Europë dhe Botë.
Orkestër e përbërë nga muzikant të huaj me karrierë ndërkombëtare, me muzikantë shqiptar të skenave shqiptare, dhe me nxënës muzikantë të përzgjedhur nga shkollat e muzikës në Shqipëri të cilët marrin pjese në orkestër në kuadër të programit pedagogjik të festivalit. Ky aktivitet u mundësua nga Bashkia e Tiranës, Ministria e Kulturës së Shqipërisë, Hotel Adriatik Durrës, Universiteti “Marin Barleti” Tiranë, Studio “Domi Durrës”, “Piano House Albania”, “Trailblazing Magazinë”, Business Mag Albania./diasporashqiptare.al/