E shtuna ka nisur me mot të keq dhe stuhi në Shqiperi. Në disa qytete të vendit janë rregjistruar dëme të shumta.
Elbasan
Stuhia ka shkaktuar rënie të gurëve në rrugë në aksin Librazhd-Elbasan dhe për këtë arsye rekomandohet që drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes.
Në disa rrugë ka vërshime të shumta të ujit për shkak të reshjeve të dendura të shiut, por deri më tani pa probleme.
Mësohet se ka ndërprerje të energjisë elektrike në Sheze dhe Gjocaj të Peqini, gjithashtu edhe në Gracën të Elbasanit.
Ekipet e emergjencave po qëndrojnë në gatishmëri, pasi pritet që situata të ketë përkeqësim në orët e pasdites.
Vlorë
Në gjirin e Vlorës në bazë të parashikimeve meteorologjike mjeteve të vogla lundruese dhe atyre të peshkimit iu është ndaluar dalja në det.
Ky vendim do të jetë në fuqi deri në datën 18 shtator ora 20:00, pas përmirësimit të motit të keq me stuhi dhe erëra të forta.
Tropojë
Rreshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në zonën e Tropojës. Pemë të rrëzuara, prezencë uji në banesa, rrugë të përmbytura, është kjo panorama apokaliptike, që vjen nga Tropoja si pasojë e reshjeve të shiut.
Nga informacioni i marrë nga bashkitë si rezultat i kushteve të motit rezulton se: gjendja në fshatin Fushë-Lumi te Nj.Adm.Margegaj dhe në fshatin Vlad të Nj.Adm.Bytyc ka përmbytje të jashtëzakonshme.
– Në fshatin Vlad situata është më e përkeqësuar, aty që në orët e para të mëngjesit ndodhet stafi i Bashkisë Tropojë, ku po monitorojnë situatën pë të parandaluar ndonje fatkeqesi.
-Në fshatin Fushë-Lumi 7 familje janë të bllokuara nga sasia e madhe e reshjeve dhe uji i grumbulluar.
-Rrugët nacionale të bashkisë Tropojë kanë qenë nën trysninë e rënies së gurëve dhe vërshimit të ujrave. Janë të kalueshme vetëm në një korsi.
Shkodër
Në territorin e bashkisë Fushë-Arrëz, konkretisht rruga nacionale auto Qafe-Mali-Fierzë është e pa kalueshme për shkak të rënies së dherave dhe rrëshqitjes se aluvioneve.
Gjithashtu të gjitha rrugët rurale në njësitë Fierz, Blerim dhe Iballë janë të dëmtuara, thuajse të pakalueshme. Njëkohësisht këtu kemi shkëputjen e energjisë elektrike.
Në Bashkinë e Malësisë së Madhe gjatë gjithë natës ka pasur reshje shiu, si rezultat i tyre ka pasur bllokim të rrugës Tamarë- Vukel si dhe në Vermosh njësia administrative Kelmend.
Për zhbllokimin e rrugëve po punojnë dy fadroma, ndërsa uji vijon të vërshojë me shpejtësi.
Njëkohësisht janë rikthyer prurjet e rrëmbyera ujore në Lumin e Kirit, për shkak të reshjeve të shiut të rëna gjatë natës.
Lushnje
Reshje e dendura të shiut kanë përmbytur disa rrugë në Lushnje, por pa sjellë problematika shumë të mëdha.
Niveli i ujit u rrit në rrugët kryesore të qytetit, duke e bërë të pamundur kalimin e këmbësorëve në disa zona.
Deri më tani nuk raportohet për dëme ose problematika në qarkullimin e automjeteve.
Durres
Në territorin e prefekturës së Durrësit situata paraqitet pa probleme.
Vetëm mjetet e vogla të peshkimit nuk dalin në det. Sipas Emergjencave Civile në prefekturë, situata është e qetë në Durrës e Krujë. Reshjet e shiut nuk kanë qenë intensive gjatë 12 orëve të fundit në nivel qarku dhe prurjet në lumenjtë Ishëm e Erzen paraqiten normale.
Edhe në bregdet, kushtet atmosferike nuk janë problematike, por në orët në vazhdim pritet të shtohet shpejtësia e erës. Tragetet e linjës së Barit kanë mbërritur para orës 08.00 të mëngjesit të sotëm dhe pritet të lundrojnë në kthim rreth orës 23.00.



