Rita Ora, ylli i muzikës që jeton në Mbretërinë e Bashkuar, e lindur në Kosovë, dhe Ambasadore e UNICEF UK, gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri i cili mbyllet sot në mbrëmje me Koncertin madhështor në sheshin Skënderbej ka vizituar “Shtëpinë e Ngjyrave”, qendër komunitare në Tiranë, që ofron të gjithë gamën e shërbimeve për fëmijët dhe familjet e tyre, duke përfshirë këtu edhe strehën e emergjencave.
Përveç aktiviteteve të planifikuara nga qendra Ylli i muzikës pop është përpjekur të gatuaj edhe byrekun tipik shqiptar. Rita Ora shpesh në rrjetet soclia e ndan video që tregojnë pasionin e saj për kuzhinën tradicionale shqiptare., ndaj nuk kishte si të mos provonte ta gatuante edhe vetë.
Gjatë vizitës në këtë qendër Ora tha se: “Jam vërtet e nderuar që jam këtu dhe hedh dritë mbi punën e pabesueshme që po bëjnë UNICEF dhe UNICEF në Shqipëri. Më pëlqeu të kaloja kohë me fëmijët frymëzues që takova në Shtëpinë e Ngjyrave. Eksperienca të tilla, ku mund të shoh personalisht se si UNICEF po mbështet fëmijët kudo, theksojnë punën e pabesueshme dhe të paçmueshme që ata po bëjnë”, tha Rita Ora.
Gjatë vizitës Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, Përfaqësuesi i UNICEF-it për Shqipërinë, Dr. Roberto de Bernardi, Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, znj. Fiona McCluney, dhe zv.Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, znj. Mia Marzouk ndanë mesazhet e tyre kryesore në lidhje me mirëqenien e fëmijëve dhe përpjekjet e tyre për ta arritur këtë për çdo fëmijë.
“Jam shumë i lumtur që Rita ishte pjesë e një vizite shumë të veçantë, për të parë punën e jashtëzakonshme që bëhet këtu nga stafi i mrekullueshëm i Nismës ARSIS me fëmijët në situatë rruge. Kur bashkëpunojmë të gjithë bashkë, Ambasada e Britanisë në Tiranë, UNICEF dhe i gjithë rrjeti i organizatave tona të shkëlqyera, që e kryejnë detyrën e tyre njësoj si organizatat në perëndim, kur vjen puna për të menaxhuar një rast në situatë rruge apo dhunë në familje, është një lajm i mirë, ndaj më vjen mirë që këtu kemi krijuar një ishull ekselence. Sigurisht, ka çështje të vështira, por ku ka vullnet ka edhe zgjidhje! Fakti që Rita është këtu, për të parë punën që bëhet këtu, na jep shumë kurajë”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Vizita u mbyll me aktivitetin “Muri i ngjyrave dhe dritës” ku Rita Ora, fëmijët dhe të gjithë pjesëmarrësit lanë gjurmët e duarve dhe firmat e tyre në një mur të bardhë, në mbështetje të shërbimeve të mbrojtjes së fëmijëve dhe luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe punës së dtyrueshme të fëmijëve.
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.