Në mjediset e Shoqatës Kombëtare Shqiptare “Nerashti” në Ballerup, vogëlushët shqiptarë festuan me këngë e valle gazmore Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, “1 Qershorin”. Shqipet e Vogla, vajza e djem të moshave të ndryshme, interpretuan plot dëshirë e hijeshi këngë, valle e recitime në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhët daneze e angleze.
Një program i bukur, fryt i punës së palodhur, plot pasion patriotik e përkushtim profesional i dy aktivistëve, mësuesit Nevzat Qamili dhe Mirditë Limani Ademi, e cila gjithashtu moderoi programin!
Atdhetari, e njëherësh Udhëheqësi i Shkollës Shqipe pranë Shoqatës Kombëtare Shqiptare “Nerashti”, z. Nevzat Qamili prej vitesh punon në mësimdhënien dhe përgatitjen e brezave të fëmijëve, duke kontribuar po ashtu në mënyrë të pakursyer e të admirueshme në organizimin e veprimtarive kulturore me karakter kombëtar.
“Puna e Nevzatit dhe e shumë aktivistëve të tjerë të Shoqatës Kombëtare Shqiptare “Nerashti” kanë lënë gjurmë në brezat e fëmijëve, duke mbajtur lart e fuqizuar rrënjët tona identitare, gjuhën amëtare, traditat kombëtare e vlerat më të mira të botës shqiptare në shoqërinë mikpritëse daneze”, tha ndër të tjera në fjalën e saj përshëndetëse Ambasadorja Elida Petoshati.
Këtë veprimtari të veçantë e nderuan me pjesëmarrjen dhe përshëndetjet e tyre edhe Ambasadori i Maqedonisë së Veriut, z. Faton Bejta, veprimtarë të njohur si, bashkëshortët Musliu, Ibrahim Xhemajli, Belkisa Selmani dhe Bashkim Jashari, Hajdin Isuf Abazi nga shoqata shqiptare e Malmö/ Suedi.
Në shenjë mirënjohje për punën në shërbim të gjuhës e kulturës kombëtare, në emër të Shkollës Shqipe të SHKSH “Nerashti”, Udhëheqësi i saj Nevzat Qamili shpërndau Çertifikatë Mirënjohje për disa veprimtarë të Bashkësisë Shqiptare ndër vite.
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.



