Një çift nga Kosova është gjetur i vdekur në apartamentin e tyre në Epinal të Francës, raportojnë mediat franceze.
Sipas këtyre raportimeve, burri dhe gruaja janë sulmuar me thikë. Raportohet se ata kanë qenë prindër të shtatë fëmijëve, katër prej të cilëve thuhet se ishin në apartment në momentin kur ka ndodhur ngjarja.
“Sipas një burimi policor, një çift nga Kosova është gjetur i vdekur, duke konfirmuar informacionin e Vosges Matin. Sipas elementeve të para, burri dhe gruaja janë vrarë me thika. Trupat e tyre u gjetën në banjën e banesës ku jetonin me shtatë fëmijët e tyre”, raporton mediumi France Bleu.
Përveç dyshimit që në banesë të ketë hyrë ndonjë agresor dhe të ketë kryer vrasjen, Policia nuk ka përjashtuar nga autorësia as njërin nga fëmijët e mëdhenj të çiftit. Mediat vendase tregojnë se fëmijët më të vegjël të çiftit janë dërguar në qendër, ndërsa fëmijët e mëdhenj duhet të jenë në dispozicion të hetimit.
Ka dyshime që njëri prej fëmijëve të çiftit, i cili është në moshën e adoleshencës të ketë bërë sherr me prindërit e tij mëngjesin e së martës, pasi Policia pretendon se në momentin që ka shkuar në banesë për t’u dhënë ndihmën e parë nuk ka mundur të hyjë nga dera, ndërsa djali ka qenë në shtëpi. Ata kanë përdorur dritaret e katit të dytë për t’u futur në vendin e krimit. Megjithatë, hetimi ende nuk ka dalë në një konkluzion për autorin dhe shkaqet e masakrës me dy të vrarë në Francë.
MEDIAT VENDASE
“Mes emocioneve dhe pyetjeve u zgjuan banorët e lagjes prioritare të drejtësisë në Épinal (Vosges) në Francë”. Kështu e nis lajmin e përditshmja “Le Parisien”, duke cituar edhe rrëfimin e një fqinji të familjes shqiptare: “Pashë shumë ambulanca dhe polici, por ende nuk e di se për cilën familje bëhet fjalë”, mësohet të ketë thënë pak momente pas ngjarjes fqinji i familjes.
Në mëngjesin e së martës, Policia u tha se kishte zbuluar trupat e pajetë të një çifti në banesën e tyre në “Avenue de President Kennedy”, pasi ka thyer derën.
Ata ishin alarmuar nga fqinjët që dëgjuan klithma, si përleshje, rreth orës 08:30 të mëngjesit, raporton kanali lokal, televizioni “Vosges”. Sipas informacioneve të para, ata kishin shtatë fëmijë nga 5 deri në 21 vjeç.
Kur mbërriti ndihma, trupat e prindërve që iu përkasin vitlindjeve 1977 dhe 1978 ishin të pajetë. Puna e parë e hetimit ka zbuluar se ata janë vrarë me thika, sipas kësaj medie. Katër nga shtatë fëmijët, duke përfshirë dy të rritur, nga kjo familje me origjinë kosovare, janë dërguar në spital, ndërsa tre të tjerë, 5, 9 dhe 14 vjeç, ishin në shkollë në momentin e tragjedisë.
Megjithatë, sipas së përditshmes lokale, e cila citon një burim bëhet me dije se “disa dëshmitarë pohojnë gjithashtu se një nga fëmijët adoleshent të çiftit mbante një thikë në dorë kur ka mbërritur ndihma e parë”.
Nga ana e saj, “France 3” zbulon se goditjet fatale ata i kishin marrë në pjesët e kraharorit.
Sipas të dhënave hetimore, ende mbeten mister shkaqet e vrasjes së çiftit kosovar në apartamentin e tyre në Epinal të Francës. Vrasja ka ndodhur të martën në mëngjes dhe dyshohet se në banesë përpara krimit ka pasur sherr.
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.



