Rezultatet e paraqitura në këtë vëllim i përkasin gërmimeve të kryera gjatë viteve 2011-2015. Këto gërmime kanë sjellë të dhëna të reja që ndihmojnë për të kuptuar më mirë topografinë e qytetit dhe kronologjinë e tij, si dhe i zgjerojnë ndjeshëm njohuritë tona për historinë e Shkodrës. Përveç identifikimit të shumë strukturave, gërmimet kanë nxjerrë në dritë dhe një material të pasur arkeologjik me një shtrirje të gjatë kohore, nga antikiteti deri në periudhën osmane, ku përfshihen mozaiku, mbishkrimet, qeramika, gjetjet osteologjike etj. Një rëndësi e veçantë i është kushtuar dhe historikut të kërkimeve në Shkodër si dhe analizës së hollësishme të burimeve kryesore të informacionit për qytetin antik dhe mesjetar, duke përfshirë tekstet antike dhe numizmatikën.
Ekipi që ka punuar në përgatitjen e këtij vëllimi ka synuar të analizojë të gjithë spektrin kronologjik që ofron materiali arkeologjik i Shkodrës. Për këtë arsye, në disa fusha studimi, si për shembull qeramika osmane, ky botim do të shërbejë si një referencë e rëndësishme për studimet e ardhshme, të cilat deri më sot janë të pakta në këtë fushë. Në vitet në vazhdim kjo seri pritet të pasurohet me vëllime të tjera ku do të prezantohen edhe gërmimet e bëra në sitin arkeologjik të Bushatit ku ekipi shqiptaro-polak punon që prej vitit 2018.