Edhe shqiptarët e italisë janë mobilizuar për ti ardhur në ndihmë qytetarëve në Ukrainë. Pak ditë më parë në një mbledhje të jashtëzakonshme me propozimin e themeluesve dhe kryetarëve të shoqatës “Shqipet Onlus Trentino Alto Adige” Klaudio Findiku e Kristjan Bobja është vendosur krijimi i një fondi të posaçëm në ndihma humanitare për gjendjen e jashtëzakonëshme të luftës në Ukrainë, ku fillimisht janë alokuar 1000€.
Për “Diaspora Shqiptare” kryetari i Organizatës Vullnetare “Shqipet ONLUS Trentino Alto Adige”, Klaudio Findiku tha se: “E pamë të arsyeshme që të jepnim dhe ne një kontribut sado simbolik dhe të veçantë në këtë moment të vështirë. Në vitin 1999 kjo situatë na preku dhe ne me Kosovën dhe e dimë shumë mirë se çfarë do të thonë këto momente të vështira për popullim Ukrainës. Lutemi shumë për një paqe sa më të shpejtë e që dashuria të mbizotërojë mbi të gjithë ne”.
Findiku shpjegon se së bashku me stafin e shoqatës janë aktivizuar për të blerë sa më shume ilaçe, garza dhe mjete te ndihmës së shpejtë.
“Na u desh të shkonim përtej Trentinos për të siguruar gjithçka nevojitej, kemi qenë dy ditë rresht të angazhuar deri në orët e vona për sigurimin e të gjithë materialit të duhur pasi nuk ka qenë i lehtë sigurimi i ilaçeve dhe antibiotikëve pasi duhej recetë mjekësore dhe marrja e një sasie kaq të madhe nuk është e zakontë: shpjegon ai duke falënderuar stafin drejtues të shoqatës për gatishmërinë dhe kontributin e dhënë.
Në dy ditë vullnetarët mundën të blenin garza, antibiotikë, akull instantan, panolini për fëmijë, pastë dhëmbësh, shampo, disifektues, asorbent, fasho, kit e ndihmës së shpejtë, krem për plagë, xhel për djegje, antinfluencalë, doreza kirurgjike, baterie, ton në kuti, mish në kuti etje…
I gjithë materiali u dorëzua ditën e premte nga Kryetari Klaudio Findiku dhe nënkryetari i saj Kristjan Bobja shoqatës së Ukrainasve ne Trentino Rasmo, seksioni Alto Garda e Ledro të cilët do të merren dhe me dërgesën drejt Ukraninës.
“Do te jemi se shpejti me ndihma të tjera në këtë moment të vështirë për njerëzimin” thotë Findiku teksa thekson se Shoqata Shqipet ka vënë në faqen e sajë ne Facebook e Instagram dhe një numër llogarie për ata që dëshirojnë të kontribuojnë.
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.



