Një simpati të veçantë ushqeja për Qanën ( it. Cerzeto), në rrethin e Kozencës në Kalabri, i populluar nga arbëreshët nga viti 1478, para se ta vizitoja më 24 Gusht 2021 në shoqërim me profesor Michelo Grece, kisha takuar grupin “Shpirti Arbëresh”, ndaj edhe kur u gjenda brenda Qanës u magjepsa edhe me pallatet e vjetra, por edhe me faktin se këtu si rrallë gjetiu u ruajt gjuha e tradita e paraardhësve si dhe këtu lindën e vepruan edhe burra e poetë të shquar.
Se si duket Qana, më brente edhe para se të arrija në këtë nulim të themeluar nga arbëreshë që nga viti 1478, aq më parë që nga gjiri i tij kishin dalë burra të shquar e poetë të njohur si: Sepe Petrasi , poet si dhe patrioti Llixhi Metrasi, që të dy nga shekulli i 19 e më vonë edhe Karmel Kandreva një nga poetët arbëresh, autor i tri vëllimeve poetike me titull: “Shpirti i arbrit rron”, por edhe i studimeve e sprovave didaktike për mësimin e shqipes në shkollat arbëreshe të Italisë.
Por, kur arrita në këtë katund për herë të parë, diku pas orës 10 të 24 Gushtit 2021, në sheshin e tij hasa vetëm disa moshuar, që pushonin në një kafe, ndaj edhe iu bashkuam me nga pije freskuese.
Por ajo që na kishte magjeps më parë, para se të vinim këtu ishte grupi artistik “Shpirti Arbëresh”, i Qanës që e kisha takuar në disa manifestime, tash ishin pallatet e vjetra shekullore, kryesisht të pabanuara, por edhe shtëpi më të vona të rrethuara me vaze lulesh.
Qana është një bashkësi arbëreshe në luginën e Kratit të Mesëm në lartësi mbi 500 metra nga niveli i detit dhe me një largësi prej 38 kilometrash nga qyteti i Kozencës. Ngulimi është i populluar nga arbëreshët nga viti 1478 dhe bashkë me Kajvericin kanë rreth 2 mijë banorë.
Sa i përket “Shpirtit Arbëresh”, ky grup artistik i themeluar më 2010, hynë në radhën e grupeve të shquara në Kalabri, i përbërë nga gra e burra që magjepsin me lojë, këngë e kostumetradicionale. Grupin kam pas rastin ta përcjelli nga afër në disa manifestime, siç ishte Festa e Pashkëve në vendlindjen e poetit Jul Variboba në Mbuzati si dhe në Festën “Vëllazëria” në Kazallveqi (Casalvecchio di Puglia), një ngjarje kjo kulturore ku mbretëroi kënga, loja dhe bukuria arbëreshe.
Do kujtuar se në Qanë ruhet shumë mirë gjuha arbëreshe dhe traditat tjera kulturore. Ndërsa sa i përket grupi “Shpirti arbëresh”, kam pas rastin ta përcjelli nga afër në disa manifestime. Ky grup me plotë madhështi e origjinalitet ka përcjell këngën dhe vallen arbëreshe edhe gjatë vizitave në Shqipëri e Kosovë.
Në Qana vepron edhe Muzeu Etnografik Arbëresh (Museo Etnografico Arbëresh) në pallatin Fazio, ku janë grumbulluar, mjete që kanë të bëjnë kryesisht me mjedisin fshatar dhe artizan. Përgjatë shekujve, këtu zejtaria e tekstilit ka pasur një rëndësi të veçantë. Ndërsa sa i përket traditave popullore ato kanë të bëjnë me festat fetare dhe ciklin e vitit. Kështu, më 6 dhjetor festohet San Nicola di Bari, mbrojtës i Cerzetos, ndërsa gjatë festave të Krishtlindjeve, loja e djathit që vazhdon deri në festën e Karnavalit, kur gjatë tre ditëve thuaja se asgjë nuk funksionon, pasi sipas një legjende të lashtë, ato janë ditët e Santa Zagarisë.
Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.