Kongresi i Drejtshkrimit shënon një ngjarje të rëndësishme për gjuhësinë shqiptare, për kulturën shqiptare, për kombin shqiptar. (Çeliku, 2001:108)
U mbushën 49 vjet nga koha e mbajtjes së Kongresit të Drejtshkrimit (20-25 nëntor 1972).
Në këtë forum të lartë shkencor u paraqit për diskutim e miratim, në formën e projektit, i pari kod drejtshkrimor i njësuar i shqipes.
Kjo u arrit pasi “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes”(projekt), u diskutuan brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Para dhe gjatë Kongresit, u miratuan dhe u ligjësuan, duke marrë formën e plotë e përfundimtare në botimin e vitit 1973 me titullin “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”. (Kostallari, 1972:11)
Shkrimi i njësuar dhe gjuha standarde shqipe nuk janë thjesht fryt i një akti të vetëm, siç ishte Kongresi i Drejtshkrimit; ato janë kurorëzim i përpjekjeve dhe i punës së disa brezave, shkrimtarëve, gazetarëve, gjuhëtarëve etj., që çuan në një standard.
Historia e gjuhës së çdo populli është njëkohësisht historia e tij. Përpjekjet e shqiptarëve për të krijuar, stabilizuar dhe njësuar gjuhën e tyre letrare, që në plan të parë të alfabetit e të drejtshkrimit të saj, janë të lidhura ngushtë me punët dhe lëvizjet e mëdha politiko-shoqërore e kulturore, në programin e të cilave lufta për mbrojtjen, lëvrimin dhe ngritjen e gjuhës amtare zinte një vend të dorës së parë.
Kongresi i Drejtshkrimit është pa kurrfarë dyshimi kurorëzimi i të gjitha përpjekjeve të mundimshme e shumëshekullore jo pa flijime e dëshmorë. (Ajeti,1972:195)
Që nga viti 1973, drejtshkrimi zbatohet nga të gjitha fushat e veprimtarisë shtetërore e shoqërore, arsimore etj.
Gjithashtu është detyrë e çdo shqiptari që të zbatoj rregullat e drejtshkrimit e të kujdeset për standardin.
Gjuha standarde shqipe është një pasuri e madhe e kombit shqiptar. Ky standard është kombëtar, ka kaluar me sukses një stazh të gjatë pranimi si gjuhë e folur, gjuhë shkrimi dhe mjeteve të komunikimit masiv. Duke u parë si simbol patriotizmi e bashkimi (një komb-një gjuhë), standardi përqafua menjëherë nga të gjithë.
(Çeliku, 2001:11)
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.