Durim Taçi lindi në vitin 1964 në Gramsh. Ai e ka lënë Tiranën në vitin 2000, ku ka punuar si skenarist, gazetar dhe në fund si specialist i botimeve në Ministrinë e Kulturës. Jeton në Bergamo me gruan dhe vajzën. Veç formimit në filologji e kinematografi në Tiranë, ka studiuar për filozofi në Milano. Frekuenton rrethet filozofike në Bergamo e Milano ku ftohet shpesh edhe në cilësinë e relatorit. Është gjithashtu anëtar i Shoqatës Vullnetare “Orobica Ambiente”, e cila merret me kujdesin dhe ruajtjen e mureve veneciane të Bergamos, të mbrojtura nga UNESCO. Durim Taçi është përkthyes i mbi pesëdhjetë titujve letrarë në gjuhën shqipe nga italishtja dhe anglishtja, sikurse edhe i mjaft autorëve shqiptarë në italisht. Është edhe vetë autor i shumë librave; shkrimtar dygjuhësh, italisht e shqip.
Në Itali është nderuar me çmimet letrare “Città di Genova” dhe “Montefiore”. Romani i tij “Extra Time”, i shkruar në dy gjuhë, u prezantua së fundi në “Milano Bookcity”, një nga ngjarjet më të rëndësishme të librit në vend, si dhe përfaqësoi Shqipërinë vitin e kaluar në “Passaggi Festival”, aktivitet ndërkombëtar i botës së librit e kulturës, që zhvillohet çdo vit në Fano të Italisë.
Letërsia, shkrimësia, për ju, çfarë është?
Në rastin e shkrimtarit është një koncept shumë vetjak, i cili sigurisht ndryshon në kohë, duke qenë një dukuri transformuese, modeluese për të gjithë. Shkrimësia është marrja e vendimit për t’ia besuar fjalën tënde hapësirës, është një shkëputje e qartë nga oraliteti (gojëtaria), e cila, edhe pse varet prej saj si sistem parësor i mëparshëm, është një produkt krejt tjetër. Në rastin tim, unë kam ardhur në një pikë kur shkruaj me vetë jetën time, jashtë procedimeve mirëfilli “letrare” ose brenda tyre: format e mia mendore dhe e shkruara kanë nisur të hyjnë në një harmoni të plotë.
Si mund përshkruhet kontradikta e një shkrimtari që i ngjan një peme me rrënjët në Shqipëri e degët gjetiu?
Unë jam nga ata që nuk e pëlqejnë shumë fjalën “rrënjët”, si ngulje, si traditë, si ankorim, si mungesë lëvizjeje. Kam debatuar ndonjëherë edhe në rrethet filozofike që kam ndjekur. Në Milano, në shkollën e njohur filozofike “Philo”, të cilën e kam frekuentuar prej vitesh, jam ndeshur me një koncept tjetër: t’i mendoj rrënjët sikur ato ushqehen edhe lart në qiell përveç tokës. Rrënjët në qiell fitojnë një përmasë tjetër. Përveç materies me të cilën janë të lidhura në tokë, atje lart ato të krijojnë mundësisë që të zhvillosh shumë edhe anën tënde shpirtërore, sikurse t’i zgjerojnë hapësirat dhe horizontet e lirisë. Po qielli dhe toka nuk janë domosdoshmërisht në kontradiktë.
Si qëndron letërsia mes elementit universal dhe atij lokal (që shkrimtari e merr me vete në udhëtimin e tij)?
Shkrimtari ka një raport të përhershëm me lokalen, pavarësisht udhëtimit. Unë mendoj se ky raport nuk mund të jetë restaurues, nostalgjik, por reflektues, që krijon marrëdhënie të vazhdueshme me lokalen. Kështu universalja vjen si konotacion i lokales, i vendores, si orientim dhe sens i saj.
A ndryshojnë temat e një shkrimtari në momentin që ikën nga vendi i vet?
Në momentin e ikjes, shkrimtari bëhet i vetëdijshëm për vragën, gjurmën që ndjek e që lë dhe shpejt kupton që ajo bëhet urë lidhëse midis dy botëve, pika e baraspeshës. Kjo ndodh në mënyrë të pavetëdijshme, pasi, në të vërtetë, shkrimtari e përjeton humbjen si paradigmë. Kjo shkakton dhimbje, por edhe qartësim, ushqen të menduarit, të reflektuarit si melhem për të kuruar përmallimin e tij të përjetshëm. Në këtë hulli gjallon edhe tematika e tij.
Cila është gjuha e shkrimit? Ç’e përcakton atë?
Gjuha e shkrimit është ajo e kalimit përtej, e mundësive të skajshme të lirisë. Rrafshet janë dy: njëri horizontal, i cili lidhet ngushtësisht me narrativen, si formë, e cila ka punë me kronologjinë dhe shkak-pasojën, kurse rrafshi vertikal mëton të orientojë logjikisht hapat që të çojnë tek e vërteta. E mira është t’i ndjesh e t’i vëresh këto dy rrafshe teksa shkruan, të cilat bashkë mbajnë në këmbë murin e të shkruarit në formën e një teksti.
Mes lexuesve shqiptarë dhe atyre të huaj, cilin keni në mendje teksa shkruani?
Unë tanimë jam një shkrimtar dygjuhësh; i shkruaj librat e mi në italisht edhe në shqip. Lexuesi im, në një farë mënyre, jam po unë ose të paktën dikush i ngjashëm me mua. Një lexues reflektues, i cili ballafaqon gjithmonë tekstin që lexon, me përvojën e tij e, përmes leximit, zgjeron hapësirat vetjake të njohjes.
Romani “Extra Time”, më i miri që kam shkruar deri tani, edhe sipas kritikës, në dy gjuhë, italisht dhe shqip, ka pasur një lexues të ngjashëm në të dyja anët e kufirit. Lexuesi im është njeriu, me gjithë befasitë dhe bagazhin e vet universal, pavarësisht kombësisë.
Çfarë dallimi ka mes letërsisë së një shkrimtari që ka lindur në Shqipëri dhe jeton gjetiu, dhe një shkrimtari me origjinë shqiptare, por që ka lindur jashtë?
Tek unë, si shkrimtar i lindur në Shqipëri dhe që banon jashtë, në Itali, ka ndodhur një shtresëzim kulturash; shtëpisë sime, si përvojë, i është shtuar një dhomë, pra, ka dy dhoma ky ndryhen në njërën bota shqiptare dhe në tjetrën ajo italiane, me sinorë të qartë, por që lidhen me njëra-tjetrën nga i njëjti korridor e derë nga e cila hyjnë e dalin informacione e eksperienca të reja. Shtresëzim, jo përzierje e shkrirje. Ngjashëm ndodh edhe me shkrimtarët shqiptarë që lindin jashtë, pasi kanë mikromjedisin e tyre familjar shqiptar që ushqen krijimin e “dhomës shqiptare” përpos “dhomës vendase, të huaj”, por ndryshojnë përmasat. Kur kjo nuk ndodh, atëherë shkrimtari i ka shkëputur plotësisht lidhjet me vendin e tij të origjinës, pavarësisht ku ka lindur. Ky, fatmirësisht, nuk është rasti im, as do ua uroja shkrimtarëve shqiptarë, pasi do ndiheshin më të vobektë shpirtërisht.
Interviste e shkëputur nga nr.2 i Revistës “Letra nga Diaspora” botim i Qendrës së Botimeve për Diasporën.
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.