Imam Dr. Tahir Kukaj, Këshilltar për Çështjet Fetare i Kryetarit të Bashkisë së New York-ut Bill DeBlasio, NYPD Chaplain dhe Zv. President i Qëndrës Islame Kulturore Shqiptare në Staten Island – New York, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, New York, aktivitetet fetare, kulturore, edukative dhe patriotike në Qendrën Islame Kulturore Shqiptare në Staten Island-New York, shpjegon rëndësinë e festës së Kurban Bajramit në besimin Islam, uron besimtarët dhe të gjithë vëllezërit e motrat shqiptarë kudo që janë dhe bën apel për më shumë dashuri, respekt, paqe dhe vëllazëri.
Festa e Kurban Bajramit është reflektim i besimit në premtimin e Allahut, është një prej dy festave kryesore në besimin Islam pas Festës së Fiter Bajramit që pason muajin e Ramazanit. Të festuarit në besimin Islam ka karakter hyjnorë, social dhe human. Falenderojmë Zotin e gjithësisë për mirësitë e Tij të pa numërta në jetën tonë, ne si krijesa në të shumtën e rasteve harrojmë Krijuesin dhe Dhuruesin e këtyre mirësive që i gezojmë në jetë duke menduar se ne jemi ata që i krijojmë ato mirësi e bekime, festa e Kurban Bajramit është një shans që na e rikujton këtë fakt të jetës së përditshme. Kjo festë është një rast praktik ku testohet besimi ynë, besimi në premtimin e Zotit për faljen e gabimeve dhe shumëfishimin e mirësive të Tij në jetë në rast se i përmbahemi mësimeve të Tij. Karakteri human, besimtarët festojnë së bashku me gjithë njerëzit, festa e Kurban Bajramit është e lidhur me shërbimin dhe ndihmën që i bëjmë vëllezërve tonë që janë me vështirësi dhe probleme ekonomike dhe shendetsore. Te festuarit e Kurban Bajramit është i kushtëzuar me ndihmën direkte, që duhet ti ofrojmë atyre që kanë nevojë për ndihmë. Fatmirësisht, vëllezërit tonë bujarë janë shumë, kjo është për të falenderuar Zotin, por edhe vëllezërit tonë që kanë nevojë për ndihmë janë shumë po ashtu, është obligim i yni që ti ndihmojmë dhe të gjejmë zgjidhje për hallet dhe problemet e tyre. Mos prit qeverinë apo dikë tjetër, festa e Kurban Bajramit na mëson se ti vetë fillo të ndihmosh me atë që ke mundësi e mos prit, por bëhu dorë e ndihmës dhe shpresë për ata që kanë humbur shpresën për një të ardhme më të mirë. Shikoni se si kemi festuar më herët së bashku, Musliman dhe të Krishterë, Bajram dhe Pashkë i kemi bashkë. Në festat tona janë pjesëtarë të gjithë, nuk pranohet celebrimi vetjak e i kufizuar, atë nuk e promovon Islami e as Krishtërimi. Zoti na don të gjithëve pa dallim, na obligon të gjithëve të bëjmë atë që mundemi në mënyrë që të jetojmë me dinjitet njerëzor. Apeloj tek të gjithë shqiptarët, kthehuni tek traditat tona që kanë filluar të anashkalohen, të dakordohemi: ne kemi një Zot, Atij i besojmë, ne kemi një komb, atij duhet ti shërbejmë dhe ti dalim zot, kemi një gjak atij duhet ti jemi besnik. Zoti Mëshirëplotë e ka bekuar kombin tonë, duhet të jemi mirënjohës, duhet ta falenderojmë Atë, ta ndiejmë prezencën e Tij në jetën tonë përherë dhe kudo. Kombi shqiptar, Musliman dhe të Krishterë, jemi popull i besës, ashtu na njeh historia, e besa vjen nga besimi në Zot, nga integriteti ynë si popull, i fjalës dhe nderit. Periudha e sistemit monist u mundua të zhveshë vyrtytin kryesorë të shqiptarit, lidhëshmërinë e Tij me Krijuesin, ndjenjën e krenarisë dhe lirisë. E falenderojmë Zotin për lirinë dhe mirësitë e Tijë të shumta, mirësinë e kthimit tek Krijuesi, Xhamiat dhe Kishat janë rivitalizuar, numri i besimtarëve në këto dy shtëpi të Zotit shtohet e me këtë edhe begatitë e tyre ndaj kombit dhe vendit tonë shtohen. Kusht i besimit është që ti bindesh Zotit e ti sherbesh vëllait. Mirësinë që Zoti ta ka dhënë duhet ta ndash me vëllain, ky është mesazhi i Kurban Bajramit.