Alban Rrahmanin e kam takuar para disa vitesh në Ottawa kur Shoqata e Diplomatëve Kanadezë kishte organizuar një ngjarje multukultuore e ku po prezentoheshin Shqipëria dhe Kosova nga ambasadorët tanë të akdredituar atje. Nga ajo kohë, nëpër organizime të tilla kombëtare e kulturore të shoqatave shqiptare të Ontarios, Albanian e kemi parë të jetë i pranishëm me krenari.
Alban Rrahmani, tani nëpunës në qeverinë kanadeze, erdhi në Kanada në moshën 18 vjeçare më 1999. Pas shkollimit në Kanada, ishte kthyer për disa vite në Kosovë ku kishte punuar si përkthyes i Ushtrisë Amerikane, për t’u kthyer përsëri në Kanada.
Që nga viti 2013 punon si shërbyes civil në Departmentin e Shërbimeve të Përbashkëta të Kanadasë (Department of Shared Services Canada). Ai gjithashtu mirëmban platformën informative “Komuniteti Shqiptar në Ottawa”, e cila merret meinformatat, shqetësimet dhe problemet për komunitetin shqiptar në kryeqytet. Për të gjitha këto dhe për shumëçka tjetër zhvilluam një intervistë për gazetën “Diaspora Shqiptare”…
Alban, a mund ta ndani me ne kohën kur keni ardhur në Kanada?
Si çdo pjesëtar i diasporës, edhe unë kam një kujtim shumë te freskët të datës kur arrita këtu ne Ottawa më 21 shtator 1999. Si i dëbuar pak para përfundimit të luftës në Kosovë gjatë bombardimeve të NATO-s ndaj armikut tonë, përfundova në Tetovë tek një familje e mrekullueshme. Pas një muaji qëndrim në Tetovë, familjarë të mi që jetonin në Gjermani më morën atje ku qendrova në shtëpine e tyre për disa muaj. Ata u përkujdesën për të gjitha nevojat e mia, megjithëse më mungonin shumë prindërit. Mëqë prindërit, motrat dhe vëllai ishin në Kanada si refugjatë lufte, erdha për t’u bashkuar me ta në këtë vend të largët, por të dashur.
Sa ka qenë i vështirë integrimi në këtë shtet?
Megjithëse jam duke jetuar në vendin më të mirë në botë dhe kisha fatin që përgjatë këtyre viteve të jem pjesë e një komuniteti e shoqërie të mrekullueshme, të kem punë të dinjitetshme dhe të shkollohem, do të thosha kushtimisht, se integrimi tek unë ende nuk ka përfunduar. Zemrën e kam gjithmonë në vendlindje, dhe çdo vendim të madh që marrë, kam vendlindjen në mendje.
Për më shumë se një vit (2009-2010) keni punuar si përkthyes për Ushtrinë Amerikane në Kosovë. Cila është përvoja juaj në profesionin e përkthimit pikërisht për ushtrinë më të fuqishme të botës?
Ishte një përvojë e shkëlqyeshme dhe nder shumë i madh që kisha rastin të punoja për Ushtrinë Amerikane në kampin Bondsteel në Ferizaj, Kosovë. E konsideroj qe i kam shërbyer Kosovës dhe SHBA-së në të njejtën kohë. Përkthyesit në përgjithësi kanë një rol shumë të veçantë në zonat e konfliktit, sepse janë sytë, veshët, dhe pasqyra e një ushtrie, por edhe e popullit.
Gjatë dy vite pune, kisha rastin të punoja me vajza e djem të cilët lanë familjet e tyre në SHBA për të dhënë kontributin e tyre në Kosovë. Megjithëse për ushtarët e huaj në Kosovë ishte mision i lehtë, disa edhe nuk u kthyen të gjallë ne vendlindjen e tyre. Për shembull punoja me rreshterin Terry Rishling 38 vjeçar, i cili nuk e përballoi një sulm në zemër dhe vdiq në Kosovë. La pas vete gruan dhe fëmijët e vegjël.
Gjithashtu ishte nder i veçantë të punoj përkrah shumë vajzave e djemve përkthyes nga Kosova. Me shumë prej tyre kam kontakt edhe sot. Për ne “përkthyesve” ligji i punës në Kosove nuk ishte i aplikueshëm, sepse KFOR-i nuk detyrohet t’i aplikojë ligjet e vendit për shkak se punon me mandat nga Kombet e Bashkuara (UN) në kuadër të Rezolutës 1244 edhe sot e kësaj dite. Mund të them se ushtarët ishin shumë të sjellshëm dhe na trajtonin si pjestarë të tyre.
Pse u kthyet në Kanada? Dhe a do të ktheheshit prapë në Kosovë?
Êshtë e vërtetë që në vitin 2008, mora një vendim që të kthehesha në Kosovë përgjithmonë, dhe qëndrova atje për tre vite. Ajo kohë kaplon disa nga kujtimet më të bukura të jetës sime. Gjatë kohës sa isha atje, krijova edhe familje, dhe pasi që erdhëm për një vizitë të shkurtër në Kanada me të shoqen time, vendosëm që të qëndrojniom këtu për një kohë të pacaktuar për momentin. Vazhdojmë të shpresojmë që të kthehemi atje ose së paku të jetojmë një jetë të modelit “hibrid” ku një pjesë të jetës gjatë vitit ta kalojmë këtu e pjesën më të madhe (mundësisht) në Kosovë.
Punoni në qeverinë federale kanadeze, në Departmentin e Shërbimeve të Përbashketa si këshilltar teknik dhe menaxher ndërlidhës për teknologji. Si do ta përshkruaje një ditë të rregullt pune?
Që nga viti 2013 punoj si shërbyes civil në Departmentin e Shërbimeve të Përbashkëta të Kanadasë (Shared Services Canada). Tani me rregullat e reja po punoj nga shtëpia, gjë që më mundëson të kem një ekuilibër të mirë jetë-punë. Plani qeveritar është që deri në vitin 2025, çdo shërbyes civil të ketë mundësinë të punoj nga kudo në Kanada. Unë i përkas një ekipi të vogël dhe detyra jonë kryesore si ekip është këshillimi strategjik dhe menaxhimi e koordinimi i projekteve të caktuara kapitale të teknologjisë informative. Pjesën më të madhe të orarit të punës e kaloj në takime virtuale me kolegë dhe palë të interesit nga çdo cep i Kanadasë duke negociuar, planifikuar dhe ekzekutuar projekte të ndryshme të teknologjisë. Shume prej këtyre projekteve ndikojnë direkt në jetën e qytetarëve.
Afërsisht 20 përqind e popullatës në Ottawa shërbejnë në administratën federale të qeverisë së Kanadasë. Kam nderin që jam pjesë e një numri të konsiderueshëm të pjesëtarëve të komunitetit tonë shqiptar në Ottawa, të cilët punojnë në këtë administratë, ku kryejnë funksione të ndryshme.
Pandemia COVID- 19 e ka ndryshuar mënyrën tonë të jetesës. Sa ka ndikuar kjo tek organet e shërbimit civil në qeverinë kanadeze në përgjithësi, dhe tek pozita juaj në veçanti?
Unë ndjej që COVID-19 ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën e jetës e të punës. Qeveria kanadeze ka vendosur që të gjithë pjesëtarët jo esencial të administratës të punojnë nga shtëpite e tyre, dhe parashikohet që edhe në të ardhmen do të vazhdojnë kështu, sepse teknologjia e mundëson këtë mënyrë të punës dhe shërbimit. Qeveria dhe administrata ishin mjaft të përgatitura për këtë ndryshim dhe nuk u dallua ndonjë vështirësi për të vazhduar me shërbimet që ofron për qytetarët.
Në këtë kontekst, shikuar nga pozicioni i shërbyesit civil të këtij shteti, si mendoni ju, po e menaxhon qeveria kanadeze këtë kohë të vështirë?
Qeveria është duke bërë një punë të shkëlqyer në menaxhimin e krizës me COVID-19, por edhe me menaxhimin e ekonomisë dhe mirëqenies sociale të popullatës. Ndërmori hapat e duhur në kohë rekorde për të ndihmuar popullatën dhe për të stimuluar ekonominë e vendit në forma të ndryshme
Shiheni aktiv në komunitetin shqiptar në Kanada, ku mirëmbani platformën informuese “Komuniteti Shqiptar në Ottawa”. Cili është mendimi juaj për organizimin komunitar në Kanada? Çfarë duhet të bëjmë më tepër?
Jam një pjesëtar i thjeshtë i komunitetit shqiptar këtu, dhe për momentin nuk kam ndonjë funksion zyrtar në asnjë organizatë. Për mua aktivizmi në komunitet ka qenë gjithmonë pjesë e jetës. Në mënyre vullnetare kam marrë pjesë në shumë projekte të komunitetit dhe më gjerë. Kam dhënë ndihmën time kur kam pasur mundësi ta bëj një gjë të tillë. Do ta kisha cekur që, aktivist në komunitet janë të gjithë ata që në çfarëdo mënyre merr pjesë në aktivitetet e komunitetit. Nëne Tereza ka thëne se “mënyra se si e ndihmon botën, është që së pari të ndihmosh familjen tënde”, prandaj duke e parë komunitetin si familje unë konsideroj se kemi detyrë që ta ndihmojmë patëm apo s’patëm pozita.
Në kryeqytetin kanadez, Ottawa nuk ka shoqatë të organizuar, ndërkohë që më parë kishte. Pse nuk riaktivizoheni? Jeni të rinj, keni numër dhe vullnet…
Më duhet të them së paku dy gjëra me rëndësi.
E para, në Ottawa ekziston shoqata “Albanian-Canadian Organization” e cila figuron aktive si e regjistruar. Sipas të dhënave në regjistrin shtetëror, ka nëntë pjesëtarë të renditur si drejtues të bordit.
E dyta, unë shpresoj dhe i inkurajoj këta nëntë pjesëtarë të komunitetit, të cilët janë shumë të respektuar për mua, të marrin përsipër përgjegjesitë e tyre që kanë ndaj shoqates dhe komunitetit.
Meqë jeni për një kohë të gjatë në Ottawa, sipas mendimit tuaj, sa është i integruar komuniteti ynë në kryeqytetin kanadez?
Mburrem që identifikohem si pjesëtar i komunitetit tonë në Ottawa. Shqiptarët në Ottawa janë prej komuniteteve më të përparuara dhe mirë të integruara të diasporës sonë. Shumë prej tyre janë ndërmarrës dhe profesionistë të suksesshëm në lëmitë e tyre në sektorin privat e publik. Meqë kemi pasur fatin të jemi në kryeqytet, besoj se shqiptarët e këtushëm kanë arritur shumë suksese individuale, e që një ditë, shpresoj të reflektoheh edhe në suksese kolektive përmes organizimit tonë të mundshëm.