Elementi më i vogël i teksturës urbane të qytezave tona arbëreshe përfaqësohet nga ‘’gjitonia’’ (nga greqishtja geitonia), një qelizë vitale që së bashku me aspekte të tjera formon një lagje më të madhe.
Shumë banesa të vogla dhe ndonjë pallat përballen të gjitha në të njëjtën rrugë (rruga). Karakteristikë janë rrugët e ngushta e të gjata me gurë të vegjël e të bardhë që bashkohen në një shesh, funksioni i të cilit ka një domethënie kulturore e shpirtërore.
Pikërisht këtu më të rinjtë kalojnë mbrëmjet pranverore, të cilat mbahen nga më e moshuara, roli i së cilës, në çdo eveniment dhe në vetë jetën e gjitonisë, është parësor. Ajo organizon lojërat për të vegjëlit dhe mban të bashkuara vajzat midis tyre duke i ofruar shtëpinë e saj që kthehet në një shkollë të punëve shtëpiake e të këngëve popullore. Tregimet dhe përrallat nuk do të përcilleshin brez pas brezi e do të kishin humbur, por falë gjitonisë në këtë mënyrë është shpëtuar trashëgimia kulturore popullore, një vlerë e madhe për brezat pasardhës. Gjithçka zhvillohet ose në shtëpinë e gjitones, pranë zjarrit të shtëpisë ku në netët e vona recitohen vjershat ( vjershë).
Lidhjet që bashkojnë gjitonët midis tyre kanë rrënjë të thella e bazuar në një respekt reciprok midis tyre. Këto ndjenja shpesh përforcohen nga martesat midis të rinjve të familjeve të gjitonisë që kanë miqësi me njëra-tjetrën duke filluar nga kërkesat për kumbari, në pagëzime, krezmime dhe evenimente të tjera të gëzueshme.
Në këtë klimë ndihme vëllazërore të ndërsjellë, çdo bërthamë familjare ndjehet e fortë, e vetë-mjaftueshme, sepse mund të mbështetet në prezencën e gjitonit në çdo moment.
Një gatishmëri e tillë dëshmohet gjerësisht në rastet e përgatitjeve e gjërave që nevojiten, siç ndodh në therjen e mishit të derrit, përgatitjen e bukës, salcës apo dhe të shumë punëve të tjera ku marrin pjesë burra, gra, fëmijë dhe të moshuar, e ku secili prej tyre ka rolin e tij të përcaktuar.
Shumë domethënës është rituali, pothuajse i shenjtë, që përfaqëson mirëqenien, i shkëmbimit të brumit (brumë) që kalon nga shtëpia në shtëpi për të bërë bukën. Më tej gjitonët vazhdojnë me shijimin e frutave e para të çdo stine, e deri të dhuratat në raste të ndryshme të gëzueshme e të rëndësishme si lindjet dhe martesat.
Në momentet e trishta ndihma morale dhe vëllazërore marrin një vlerë të veçantë. Për këtë arsye është e vërtetë shprehja: ‘’Sa vlenë një gjitonë- s’vlenë gjiriu’’, që do të thotë se më shumë vlen gjitoni sesa i afërmi.
Nga Gabriele Marchiano
Botuar fillimisht në Revistën Lidhja, viti II, -nr. 2-3, prill 1981/1
Përgatiti Dorina Arapi, kërkuese shkencore Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët