Është mbyllur mbrëmjen e djeshme konkursi kombëtar për vajzat arbëreshe me kostume tradicionale.
Në këtë edicion të XVI- që u zhvillua në Spexana ( Spezzano Albanese) Miss Arbëreshe, u zgjodh 23 vjecarja Francesca Ferrara.
Në konkurs morën pjesë 18 vajza nga lokalitete të ndryshme të Kalabrisë, Sicilisë dhe provincave tjera në Jug të Italisë, për të demonstruar edhe kësaj radhe bukurinë dhe identitetin e tyre arbëror.
“Miss Arbëreshe” është një konkurs që bashkon Arbëreshët e Italisë dhe promovon dialogun dhe shpërndarjen e identitetit specifik të secilit komunitet Arbëresh, duke rritur larminë e shprehjeve kulturore të pranishme në botën Arbëreshe. Në fakt, secila vajzë u prezantua e veshur me veshjen tipike të komunitetit që përfaqësonte. Fituesja përfaqësonte komunitetin arbëresh të Ncilona dhe veshja e saj ishte e kompletuar me të gjitha aksesorët. Një fitore, ajo e Francescës, e cila i bën nder traditës, meqenëse veshja ishte e qepur tërësisht nga duart e afta dhe të durueshme të rrobaqepësve arbëreshe të Pianës.
Francesca, sapo u zgjodh “Miss Arbëreshe” deklaroi: “Unë jam shumë krenare që jam arbëreshe, që flas arbëreshë dhe që vesh me dashuri këtë kostum të mrekullueshëm të trashëguar brez pas brezi në familjen time. Shumë emocionuese, një përvojë unike që do të mbetet përgjithmonë në jetën time.
Sipas Giorgio Cuccia, president i Proloco Piana “Kjo ishte një fitore e merituar jo vetëm për bukurinë e Francescës, por mbi të gjitha sepse juria vlerësoi kostumin e Piana degli Albanesi, i cili pas 532 vitesh ka mundur të ruajë dhe të përçojë gjuhën dhe zakonet me dashuri”.
“Një arritje dhe vlerësim prestigjioz për komunitetin tonë” – deklaroi Kryetari i Komunës së Piana degli Albanesi, Rosario Petta -. Përgëzime për bashkëqytetaren tonë të bukur Francesca, për Proloco Piana me Presidentin e saj Giorgio Cuccia për angazhimin dhe pjesëmarrjen. Mirënjohje për kostumin tonë madhështor që trashëgohet nga nënat te vajzat, nga brezi në brez, dhe që përfaqëson në vetvete Piana degli Albanesi. Ne jemi vërtet krenarë për bukuritë dhe traditat tona ”.
Ndonëse për shkak të pandemisë COVID-19 shumë aktivitet janë anuluar ose shtyrë organizatorët kanë bërë të mundur që të vazhdojnë traditën duke e organizuar edhe këtë edicion të XVI, duke respektuar të gjitha masat e planit anti COVID-19.