Pak ditë pas thirrjes publike që i bëri Diasporës shqiptare që të angazhohen për të kontribuar në vendin e origjinës në këtë kohë të pandemisë, Lazim Destani ka bërë i pari donacion për sistemin e arsimit.
Për t’u mundësuar ndjekjen e mësimit online një numri të madh të nxënësve në Maqedoni një ekip i dedikuar i kompanisë së familjes Destani “Ecolog” ka realizuar dhurimin e mijra tabletave për nëxënësit. Ekipi e projektoi këtë donacion brenda dy javësh në mënyrë që të ndihmojë rastet nga familjet më në vështirësi duke filluar nga Shkupi, Tetova, Gostivari, Manastiri, Kërçova, Ohri, Struga, Dibra, Prilepi, Kumanova, Velesi, Strumica, Gjevgjelia, Krusheva, e duke u shtrirë edhe në zonat rurale.
Anëtari i Këshillit Koordinues të Diasporës, filantropi Lazim Destani, lidhur me këtë iniciativë, tha:
“Ky donacion u dedikohet nxënësve të cilët për shkak të mungesës së pajisjeve teknologjike mbetën jashtë procesit arsimor. Ndër gjërat më të rëndësishme që mund të bëjmë gjatë krizës që solli Covid-19 është që, e ardhmja e këtij vendi, fëmijët, të vazhdojnë me ndjekjen e procesit mësimor pa pengesa”.
Ndërsa drejtuesit e kompanisë e cila u kujdes që ky donacion të jetë në nivelin më të mirë të mundur thanë se projektet e dedikuara për fëmijët në përgjithësi dhe në veçanti për nxënësit janë pjesa kryesore e filozofisë së përgjegjësisë shoqërore të kompanisë.
“Ky projekt ka qenë një sfidë e rrallë logjistike, por edhe një emocion i veçantë. Jemi jashtëzakonisht të kënaqur që përkrah vështirësive të mosfunksionimit të rregullt të tregjeve arritëm ta finalizojmë projektin duke siguruar disa mijëra pajisje elektronike për nxënësit që vijnë nga familjet në nevojë, në Maqedoninë e Veriut. Lehtësirat që u sjellim këtyre familjeve dhe gëzimi në fytyrat e fëmijëve përbëjnë kënaqësinë tonë më të madhe.”
Shpërndarja e pajisjeve teknologjike nëpër këto komuna do të fillojë gjatë kësaj jave duke nisur nga qyteti i Shkupit, për të vazhduar më tej realizimi në disa faza.