Studentët të mjekësisë në Itali, kanë nisur një mbledhje fondesh për të ndihmuar spitalet shqiptare me mjetet e nevojshme. Ata rrëfejnë se si lindi ideja, me kë po bashkëpunojnë dhe sa është shifra e mbledhur. Po ashtu tregojnë nëse do të ktheheshin në vend, po të ishte nevoja për ndihmë.
“Mjekët bëjnë pjesën e tyre. Ne bëjmë pjesën tonë”, kjo është nisma e studentëve të mjekësisë dhe specializantëve shqiptarë në Itali, për t’i ardhur në ndihmë QSUT-së dhe Spitaleve Rajonale në Shqipëri. Serxhio Tresa, Rezarta Kolleshi, Klorinda Çaushallari, dr. Klodian Meço dhe Ina Varfaj, janë bërë bashkë, për të ndihmuar Shqipërinë në këtë kohë kaq të vështirë. Studenti i Mjekësisë, Sergio Tresa thotë se si fillim kjo fushatë nisi si një akt sensibilizimi dhe të gjithë ata që kanë mundësi, duhet të reagojnë duke e ndihmuar me aq të ardhura sa ata kanë mundësi.
“Fushata synon së pari të sensibilizojë qytetarët mbi nevojat e domosdoshme për më shumë pajisje mbrojtëse për stafin që punon në vijë të parë të shërbimit mjekësor, si dhe për shtimin e pajisjeve për frymëmarrjen e mushkërive. Kështu të gjithë ata që kanë mundësi të kontribuojnë në luftën kundër këtij armiku të padukshëm”, shprehet ai.
Procedura
Të rinjtë thonë se kanë zgjedhur një platformë shumë të besueshme për mbledhjen e fondeve siç është GoFundMe. “Të gjitha fondet do të mblidhen online në mënyrë të tillë që gjithçka të jetë sa më trasparente për publikun. Ndërkohë që ecuria do të publikohet në detaje dhe mënyrë sistematike në rrjetet sociale”, thonë studentët. Deri më tani, janë arritur të mblidhen mbi 1 mijë euro dhe numri i personave që kanë kontribuar është 44. “Duke qenë se kemi pak ditë që e kemi bërë publike nismën tonë, shifra për momentin është akoma shumë e vogël për të realizuar diçka konkrete. Fondet janë gjithmonë në rritje. Njerëzit janë duke kontribuar gjithnjë e me tepër. Presim donacione pozitive për shtimin e pajiseve për frymëmarrjen e mushkërive”, shprehen ata.
Bashkëpunimi
Sergio thotë se kjo iniciativë është përkrahur nga mjekë të shumtë shqiptarë, të cilët do të japin kontributin e tyre të çmuar në finalizimin e nismës. “Kemi zgjedhur të koordinohemi konkretisht nga Prof.Dr. Edvin Prifti, mjek kardiokirug; Dr.Gentian Stroni, mjek infeksionist dhe Dr.Erion Panajoti mjek reanimator. Ata do sigurojnë informacionet e nevojshme mbi nevojat reale për pajisje dhe bordi i fushatës që ka për qëllim implementimin do kujdeset t’i sigurojë dhe do t’i sjellë këto pajisje në Shqipëri”, bën me dije ai. “Mjekët janë në kontakt direkt me pacientët dhe e dinë gjithmonë çfarë pajisjesh mungojnë për nevojat e pacientëve ndaj zgjodhëm të bashkëpunojmë me ta”.
Ideja
Nismëtar i kësaj fushate ka qenë vetë Sergio, i cili thotë se duke qenë në pamundësi fizike për të ndihuamr vendin, mendojë se mund të ndihmonte në këtë mënyrë. “Mendova se një mënyrë me efikase për të ndihmuar në këtë situatë është përpjekja për të rritur kapacitetet logjistike në spitale. Idenë fillestare për këtë fushatë e hodha në rrethet e studenetëve dhe specializantëve të mjekësisë të cilët e mbështetën me shumë entuziazëm. Kështu organizuam një ekip të vërtetë që po punojnë me mish edhe shpirt në funksion të kësaj kauze. Gjej rastin t’i falenderoj të gjithë për punën e palodhshme që po bëjnë”.
Situata
Ideatori i kësaj fushate, nuk lë pa përmendur edhe se si e shikon menaxhimin e situatës nga bluzat e bardha në vend. “Si mjek i së ardhmes, shoh një ekip mjekësor të përkushtuar që tregojnë çdo ditë një frymë solidariteti dhe bashkëpunimi me njëri- tjetrin për një menaxhim sa më të përshtatshëm të kësaj situate. Më vjen mirë që ekipit mjekësor të infektivit iu bashkua dhe doktori i nderuar Dhimitër Kraja i cili megjithëse në pension erdhi për të shërbyer në frontin e parë përballë pacientëve të infektuar. Duke pasur parasysh kushtet e një vendi të vogël si Shqipëria,bluzat e bardha po bëjnë të pamundurën për të shpëtuar jetën e bashkëkombësave të tyre,duke na dhënë një mesazh shumë të fortë dhe ne si mjekë të ardhshëm”, thotë studenti.
Reagimi
Të pyetur nëse do të lindë nevoja për studentët e ndodhur jashtë, që t’i bashkohen përballimit të kësaj pandemie në vend, a do të bashkoheshin, ata përgjigjen pa hezituar, po. “Siç ka thënë dhe mjeku anestezist në pension Dr. Giampiero Giron “ Kërkuan disponibilitetin tim, dhe u thashë po. Kur në jetë vendos të bësh mjekun, ke vendosur të rrezikosh. Kam bërë betimin e Hipokratit. Frikë se mos sëmurem? Atëherë është më mirë mos ta bësh mjekun!”.
Burimi origjinal, këtu: