Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, pas seancës plenare të së premtes, doli para mediave për të sqaruar pozicionin e saj lidhur me akuzat dhe dyshimet që i janë adresuar ditët e fundit.
Gërvalla, e cila nuk mori votën e deputetes Shqipe Selimi për postin e kryeparlamentares, tha se kandidatura e saj nuk kishte hasur kundërshtime gjatë diskutimeve paraprake në grupin parlamentar. Ajo u shpreh se mungesa e votës nga Selimi lidhet me hatërmbetje personale, ndërsa akuzoi disa prej ish-bashkëpartiakëve të LDK-së se u bashkuan me PDK-në dhe Listën Serbe për të votuar kundër saj.
“Ne kemi pasur një diskutim në grup parlamentar si çdoherë para çdo vendimi. Nuk ka pasur debat për kandidimin tim. Zonja Selimi mori vendimin e saj dhe nuk votoi. Por ajo që ishte e papritur është që disa të tjerë bashkuan votën me PDK-në dhe Listën Serbe kundër meje”, tha Gërvalla.
Ajo iu rikthye edhe deklaratave të vitit 2020, kur e kishte cilësuar Rexhep Selimin si “njeri të botës së krimit”. Pyetur nëse qëndron ende pas atyre fjalëve, ministrja nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë.
“Për asnjërin nga të akuzuarit në Hagë nuk komentoj. Jam ende ministre e Jashtme dhe nuk është roli im të jap vlerësime për persona që janë në proces gjyqësor. As për zotin Selimi, as për zotin Thaçi, Veselin apo Krasniqin”, deklaroi ajo.
Gërvalla mohoi kategorikisht pretendimet se është dëshmitare në Gjykatën Speciale në Hagë. Ajo paralajmëroi padi ndaj kujtdo që përhap të kundërtën.
“Nuk jam dëshmitare e Hagës. Gjykata trajton dëshmitarë të dorës së parë, jo njerëz që kanë dëgjuar diçka. Kushdo që thotë të kundërtën do të paditet”, tha ministrja në detyrë.
Duke folur për sulmet që i janë bërë, ajo theksoi se po tentohet të paraqitet si kundërshtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjë që e quan të pavërtetë.
“Të gjithë ata që më sulmojnë si anti-UÇK duhet të maten mirë. Historia do të tregojë se unë kam kontribuar në UÇK kur disa të tjerë ende pinin qumësht”, u shpreh ajo me tone të ashpra.
Gërvalla dhe kandidatët e Listës Guxo garuan për herë të dytë në zgjedhjet nacionale në listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje dhe partinë Alternativa.



