Ka dështuar edhe tentativa e radhës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, pasi kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme në seancën e sotme konstituive.
Nga 115 deputetë të pranishëm, vetëm 57 votuan pro, 52 ishin kundër dhe 7 abstenuan, duke mos arritur kështu shumicën e thjeshtë prej 61 votash të kërkuara. Propozimi i Muratit nga Donika Gërvalla u shoqërua me reagime të zëshme dhe kundërshtime në sallë.
Ky është dështimi i tretë radhazi për Vetëvendosjen që të sigurojë postin e kryeparlamentarit. Më herët, më 20 gusht, kjo parti kishte propozuar Albulena Haxhiun dhe Donika Gërvallën, por asnjëra prej tyre nuk mori mbështetjen e nevojshme.
Seanca e sotme u mbajt pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, e cila përcakton se zgjedhja e kryeparlamentarit duhet të bëhet brenda 30 ditësh, me votim të hapur dhe me një kufi prej tre tentativash për të njëjtin kandidat.
Pas përfundimit të seancës, Vetëvendosje akuzoi PDK-në, LDK-në, AAK-në dhe Listën Serbe për bllokadë politike, duke theksuar se, sipas tyre, kundërshtimi nuk lidhet me emrin e kandidatëve, por me vetë partinë fituese.
Nga ana tjetër, partitë opozitare e akuzuan Vetëvendosjen për manovra politike, duke pretenduar se qëllimisht kanë propozuar emra që nuk kishin mbështetje, me synim që të shtyjnë procesin dhe të forcojnë narrativën e viktimizimit politik.
Ngërçi për zgjedhjen e kryeparlamentarit pritet të thellohet, ndërkohë që Kuvendi duhet të përmbushë afatet kushtetuese për konstituimin e tij të plotë.



