Në Prishtinë është hapur edicioni i 43-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, ku pritet të marrin pjesë rreth 200 studiues nga vendi dhe bota. Seminari do të zhvillohet për 29 ditë në ambientet e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës.
Në ceremoni ishte i pranishëm edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili theksoi rëndësinë e gjuhës shqipe si themel i identitetit kombëtar:
“Gjuha është një organizëm i gjallë që frymon në çdo kohë dhe në çdo cep. Pasuria jonë shoqërore dhe shtetërore duhet të shoqërohet me entuziazëm për gjuhën shqipe. Tradita e olimpiadës së gjuhës shqipe, seminari i diasporës dhe këto nisma të tjera janë bazë e qëndrueshme për edukimin dhe ruajtjen e identitetit tonë kombëtar. Ky seminar i dedikohet gjuhës dhe lashtësisë sonë, që është tipari ynë themelor,” tha Kurti.
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, vuri në dukje se Seminari ka jetëgjatësinë më të madhe si ngjarje kulturore në hapësirën shqiptare:
“Që nga fillimi në vitin 1974, seminari ka ruajtur rëndësinë e tij akademike. Në organizimin dhe ligjërimin e seminareve është e nevojshme të bëhen ndryshime strukturore për të zhvilluar mendimin kritik në studimet albanologjike. Besoj se pjesëmarrësit do të mbajnë përshtypje të mira për mikpritjen dhe miqësinë e Prishtinës,” tha Kraja.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, vlerësoi seminaret si një rrëfim të qëndrueshmërisë së dijes shqiptare përballë sfidave:
“Ky seminar nuk është vetëm aktivitet akademik, por një hapësirë ndërkombëtarizimi ku lindin projekte të përbashkëta dhe nënshkruhen marrëveshje. Gjuha dhe kultura shqiptare janë ndër më të vjetrat në Evropë dhe meriton të promovohet globalisht,” tha Malaj.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, deklaroi se seminari do të mbledhë 200 studiues vendorë dhe ndërkombëtarë, ndërsa drejtorja e seminarit, Lindita Sejdiu, vuri në theks se seminari është koncepti më i fuqishëm i ndërkombëtarizimit të albanologjisë në botë.
Në kuadër të ceremonisë u shfaqën video-incizime nga studiues dhe albanologë të huaj nga e gjithë bota, duke dëshmuar rëndësinë ndërkombëtare të seminarit.
Materialet e publikuara nga “Diaspora Shqiptare” janë të mbrojtura nga të drejtat e autorit. Rishpërndarja, riprodhimi, modifikimi apo përdorimi i tyre, i pjesshëm ose i plotë, pa lejen e shprehur të redaksisë, është i ndaluar dhe shkel ligjet mbi të drejtat e pronës intelektuale.