Një ngjarje e rëndë ka tronditur Gjilanin duke lënë pas tre viktima të konfirmuara dhe një të plagosur. Autoritetet kanë nisur një operacion të gjerë për kapjen e autorëve, ndërsa dyshimet kryesore bien mbi Mefail Shkodrën dhe djemtë e tij, Engjull dhe Edonis Shkodra, 22 dhe 25 vjeç, të cilët dyshohet se janë bashkëpunëtorë në krim. Një tjetër i dyshuar është arrestuar në vendngjarje.
Mefail Shkodra, i njohur për drejtësinë si i dënuar më herët për fajde, ka pasur një të kaluar të ngarkuar me procedime penale, përfshirë pesë raste për sulm, dy për prishje të rendit dhe qetësisë, tri për fajde, një për mashtrim, tre për kërcënim, një për shantazh dhe një për pjesëmarrje në grup kriminal.
Në rrjetet sociale, Shkodra shpesh ekspozonte jetën luksoze, duke pozuar me makina të shtrenjta si “Range Rover” dhe “BMW X5”, si dhe në foto krah figurave të njohura politike, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçla, kryetarin e Prishtinës Përparim Rama dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Në qershor 2024, ai u arrestua bashkë me të birin për fajde dhe kërcënime ndaj një viktime, duke i shkaktuar dëme mbi 600 mijë euro. Në banesë iu gjetën mijëra euro cash dhe armë zjarri. Pas katër muajsh paraburgim, Shkodra u lirua në tetor të vitit të kaluar.
Sipas hetimeve paraprake, sherri për para me fajde dyshohet të ketë çuar në përplasjen e sotme, ku babai, djali dhe dhëndri i viktimës mbetën të vrarë. Policia po vijon hetimet dhe kërkimet për kapjen e të dyshuarve që ndodhen ende në arrati.



