Zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, u paraqit të mërkurën në Prokurorinë Themelore në Podgoricë, ku u mor në pyetje pas një padie të ngritur ndaj tij nga presidenti Jakov Milatoviq, i cili e akuzon për kërcënim.
Në një deklaratë pas marrjes në pyetje, Gjeloshaj theksoi se ishte paraqitur si një qytetar i thjeshtë dhe se nuk kishte bërë asnjë veprim që bie në kundërshtim me ligjin. Ai u shpreh i habitur nga qëndrimi i presidentit Milatoviq dhe deklaroi se i vinte keq për atë që e quajti “cirk institucional”.
“Kam biseduar disa herë me presidentin për çështje të ndryshme. I qëndroj pas çdo komunikimi që kam pasur. Ajo që ndodhi është një përpjekje për të devijuar vëmendjen nga çështja reale: mbështetja për rimëkëmbjen e kompanisë ‘Plantazha’”, tha Gjeloshaj.
Ai kujtoi se si ish-kryetar i komunës së Tuzit, kishte mbështetur publikisht dhe me vendime konkrete kompaninë “Plantazha” – një nga prodhuesit më të mëdhenj të verës në Mal të Zi – dhe se Komuna ishte e gatshme të hiqte dorë nga taksat lokale për të ndihmuar rimëkëmbjen e saj.
Në lidhje me mesazhin për të cilin akuzohet, Gjeloshaj deklaroi: “Jam i sigurt për arsyen që e dërgova atë mesazh. Ish-presidenti i bordit të ‘Plantazha’-s kishte ndryshuar ligjin për mos-tatim të tokave bujqësore tri vite më parë. Në atë kohë, ministër i Zhvillimit Ekonomik ishte vetë presidenti aktual”.
Përplasja mes dy figurave të larta shtetërore ka nisur pas kthimit për rishqyrtim në Kuvend të ligjit për tatimin e pronave të paluajtshme nga ana e presidentit Milatoviq, i cili argumentoi se një ligj i tillë do të dëmtonte mbi 22 mijë fermerë në vend. Ky vendim erdhi pasi kompania “Plantazha” kishte paditur Komunën e Tuzit, e drejtuar më herët nga Gjeloshaj, për bllokimin e llogarive bankare si pasojë e tatimeve të mbledhura për pronat e saj.
Në të njëjtën ditë me Gjeloshajn, dëshminë e tij para Prokurorisë e dha edhe presidenti Milatoviq, i cili deklaroi se është ndjerë i kërcënuar jo vetëm nga Gjeloshaj, por edhe nga persona të afërt me të. Ai theksoi se është në përmbushje të detyrës kushtetuese dhe se nuk do të ndalet përballë presioneve politike.
Ndërkohë, hetimet për këtë çështje pritet të vazhdojnë, ndërsa opinioni publik në Mal të Zi po ndjek me vëmendje përplasjen mes dy zyrtarëve të lartë, që lidhet me një ndër kompanitë strategjike të vendit dhe me politikat fiskale që prekin një numër të madh fermerësh.



