Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryetares së Kuvendit serb, Ana Brnabić, e cila gjatë një konference për shtyp më 30 korrik përdori shprehje fyese dhe stigmatizuese ndaj thirrjeve fetare myslimane. Në një qëndrim publik të artikuluar qartë dhe me tone të forta, Kamberi nënvizoi se një gjuhë e tillë nuk mund të trajtohet vetëm si çështje morale apo politike, por si shkelje ligjore që kërkon përgjegjësi penale. Ai bëri të ditur se, së bashku me deputetët Ahmedin Škrijelj dhe Minela Kalender, ka dorëzuar kallëzim penal ndaj Brnabić për nxitje të urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare, duke theksuar se drejtësia nuk mund të jetë privilegj i shumicës, por garanci për çdo qytetar që jeton në një shoqëri demokratike.
Reagimi i plotë:
Gjuha e urrejtjes nuk mund të mbetet vetëm çështje politike apo moraliteti publik – në radhë të parë është çështje ligjshmërie dhe drejtësie.
“Dhe dëgjuam thirrjen Allahu Ekber dhe gjëra tjera të neveritshme” kishte deklaruar kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Ana Brnabiq, në konferencën për shtyp pas protestave të para disa ditëve në Novi Pazar.
Kjo ishte arsyeja që me kolegët e mi Ahmedin Shkrijel dhe Minela Kalender inicuam fletparaqitjen penale kundër saj për veprën penale “ nxitje të urrejtjes etnike, fetare e racore”.
Në një shtet që pretendon të ecë në drejtim të integrimeve evropiane, gjuha e urrejtjes nuk mund të mbeten vetëm çështje politike apo moraliteti publik – ato janë, në radhë të parë, çështje ligjshmërie dhe drejtësie.
Më 30 korrik 2025, në cilësinë e Kryetares së Kuvendit të Republikës së Serbisë, znj. Ana Brnabić, në një konferencë për media, në zemër të institucioneve shtetërore, përdori një gjuhë që nuk mund të quhet ndryshe veçse e nxitjes ndaj urrejtjes fetare dhe racore. Ajo deklaroi: “atëherë dëgjuam thirrje Allahu Ekber dhe gjëra të tjera të neveritshme.”
Çfarë përfaqëson kjo fjali?
Një fjalë që nuk është as lapsus e as interpretim i gabuar.
Është një fjali që stigmatizon fenë islame, identitetin e shqiptarëve myslimanë dhe komuniteteve të tjera që ndajnë të njëjtën besim, duke i përbaltur dhe asociuar me “të neveritshmen”, me “rrezikun”, me “të huajin” brenda një shteti që ende nuk ka dalë nga trauma e nacionalizmit agresiv të viteve ‘90.
Ne, si përfaqësues të popullit në Kuvendin e Serbisë, nuk kemi as luksin e heshtjes, e as të dorëzimit.
Prandaj, bashkë me kolegët deputetë Ahmedin Škrijelj dhe Minela Kalender, kemi dorëzuar kallëzim penal ndaj znj. Brnabić për veprën penale të nxitjes së urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare, sipas nenit 317 të Kodit Penal të Republikës së Serbisë.
Ky veprim nuk është hakmarrje politike.
Nuk është as sensacionalizëm.
Është një thirrje për drejtësi.
Është përpjekje për të vendosur një precedent: që askush, pavarësisht pozitës dhe privilegjit, nuk mund të nënçmojë komunitete të tëra, të banalizojë ndjenjat fetare dhe të nxisë frikë përmes gjuhës së urrejtjes – pa u përballur me ligjin.
Drejtësia nuk është privilegj i shumicës.
Ajo është mburoja e të drejtave të secilit qytetar – edhe të atyre që e thonë “Allahu Ekber” si shprehje të besimit e jo të dhunës.
Nëse duam një shtet të së drejtës, ajo duhet të fillojë nga e vërteta dhe përballja me gjuhën që lëndon, ndanë dhe poshtëron.