Shqipëria është kthyer vitet e fundit në një destinacion të preferuar për të huajt, jo vetëm për pushime, por edhe për të jetuar dhe punuar. Tradita, mikpritja dhe kultura shqiptare po tërheqin çdo ditë e më shumë të huaj që jo vetëm integrohen lehtësisht, por edhe dashurohen me vendin tonë.
Një prej tyre është Sara Payman, një britanike e lindur në Kembrixh dhe e diplomuar për stomatologji, e cila ka zgjedhur të jetojë në Shqipëri dhe të ndjekë pasionin e saj për muzikën shqiptare.
Në rrjetet sociale janë bërë virale interpretimet e saj plot emocion të këngëve shqiptare, mes tyre edhe “Rrjedh në këngë e ligjërime”. Zëri i saj, tingujt e ndjerë dhe mënyra sesi ajo e përjeton këngën, kanë bërë që shumë shqiptarë ta përqafojnë si një të tyren.
“Shqiptar bëhesh edhe me zemër”, është komenti që shpesh shoqëron videot e Sarës në rrjete sociale, duke treguar se dashuria për një vend nuk ka nevojë për gjak apo kombësi – mjafton ndjenja.
Sara ka rrëfyer në intervista të mëparshme televizive se tërheqja ndaj kulturës shqiptare ka nisur vite më parë, por është thelluar sidomos përmes muzikës, që ajo e ndjen si një lidhje shpirtërore.
Zgjedhja e saj për të jetuar në Shqipëri është një shembull i bukur i asaj se si një vend mund të fitojë zemrën e një të huaji, thjesht përmes shpirtit të tij.




