Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme që ndalon mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës nga 27 korriku deri më 8 gusht, duke thënë se duhet pritur aktgjykimi i plotë i kësaj gjykate për të parë pasojat juridike dhe rrugën për dalje nga kriza aktuale.
Limaj theksoi se problemi thelbësor nuk qëndron te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, por në mungesën e shumicës për të formuar qeverinë.
“Vazhdimisht kam thënë: shumicë qeveritare – s’ka zgjidhje parciale. Temë është bërë zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, por problemi kryesor i kësaj krize është mospasja e numrave të mjaftueshëm për qeveri. Po të ishin votat, shumica e zgjedh edhe kryetarin e Kuvendit,” deklaroi ai.
Sipas Limajt, Lëvizjes Vetëvendosje i mungojnë votat për të krijuar shumicën parlamentare dhe se çdo tentativë për të konstituar Kuvendin pa pasur shumicën për formimin e qeverisë do të përfundonte me zgjedhje të reja, të cilat ai i konsideron të padëshiruara për vendin.
“Nisma nuk angazhohet për një zgjidhje parciale vetëm për konstituimin e Kuvendit. Një gjë e tillë do ta dërgonte vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme. Ne si Nismë do të kontribuojmë në zhbllokimin e kësaj situate, por ne i kemi vetëm tri vota. Duhet të jenë 58 plus votat tona për të formuar institucionet,” shtoi ai.
Limaj po ashtu komentoi edhe një intervistë të ish-presidentit Hashim Thaçi, duke cituar mesazhin e tij: “Liderët janë të përkohshëm, Kosova është e përjetshme.” Ai shtoi se “këta djemtë e rinj duhet me kuptu se Kosova është e përjetshme.”
Në fund, Limaj nënvizoi se aktgjykimi i Kushtetueses pritet të japë drejtim të qartë juridik për situatën aktuale dhe për rastet e ngjashme në të ardhmen.
“Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin që do të dalë së shpejti, përfundimisht do të sqarojë pasojën juridike dhe rrugën që duhet të ndiqet. Është në interesin e të gjithëve dhe të funksionimit të demokracisë që të pritet vendimi. Sipas udhëzimit të Kushtetueses, forcat politike duhet të mobilizohen për të themeluar institucionet,” përfundoi Limaj.



