Pas dështimit të 51-të radhazi për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje (LVV), si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, duhet të humbasë të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, për shkak të pamundësisë së krijimit të shumicës.
Duke komentuar zhvillimet pas ndërprerjes së seancës së fundit konstituive, Abdixhiku tha se tashmë është në dorën e Gjykatës Kushtetuese që të vendosë për rrjedhën e mëtejme të situatës, pas kërkesës së presidentes Vjosa Osmani për interpretim të pasojave ligjore dhe vendosjen e një mase të përkohshme mbi rrjedhën e afatit 30-ditor, që përfundon më 26 korrik.
“Meqenëse kemi një rrjedhje të afatit dhe konsiderojmë se ka paqartësi, nuk e shohim si të dëmshme apo të pavend kërkesën e presidentes. Nuk është thelbi i lëndës masa, por çka ndodh pas tridhjetë ditëve. Nuk kemi qartësi se çfarë ndodh tutje, përveç faktit që Kushtetuesja ka thënë se moskonstituimi nuk shkakton automatikisht zgjedhje të reja,” u shpreh Abdixhiku.
Kreu i LDK-së vuri në pah se, sipas praktikës kushtetuese, e drejta për të propozuar kandidatin i takon partisë së parë, por nëse ajo dështon ta shfrytëzojë këtë të drejtë, atëherë ajo mund t’i kalojë subjektit që ka mundësi reale për të ndërtuar shumicën.
“Nëse i pari nuk dëshiron ta shfrytëzojë këtë të drejtë, atëherë do të ishte e logjikshme që kjo të drejtë t’i merret dhe t’i kalojë dikujt tjetër. Kjo është një zgjidhje e natyrshme e gjendjes aktuale dhe e ngërçit që po e pëson Kuvendi,” theksoi ai.
Abdixhiku e kritikoi Vetëvendosjen për, siç tha, mungesë vullneti për marrëveshje politike, e cila sipas tij, është baza për formimin e institucioneve në Kosovë.
Kujtojmë se seanca e sotme konstituive u ndërpre pas një përplasjeje verbale mes kryesuesit Avni Dehari dhe deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu. Pas ndërprerjes së fjalës nga Dehari, Musliu iu drejtua atij përmes mikrofonit të kryesuesit, duke nxitur tensione të mëtejshme. Deputetët e Vetëvendosjes më pas u larguan nga salla, ndërsa përfaqësuesit e LDK-së, PDK-së dhe AAK-së qëndruan për të dhënë deklarata në lidhje me bllokadën institucionale.
Gjykata Kushtetuese pritet të japë një interpretim të qartë në ditët në vijim mbi vlefshmërinë e afatit 30-ditor dhe mundësinë e vazhdimit të procesit pas 26 korrikut.



