Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka komentuar situatën e tensionuar në Kuvendin e Kosovës pas ndërprerjes së seancës së radhës për konstituim, duke hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj Lëvizjes Vetëvendosje për bllokim të qëllimshëm të procesit.
Në një deklaratë për media, Krasniqi tha se nuk beson që Fatmir Limaj do të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit, duke mohuar çdo marrëveshje të mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje për këtë pozicion.
“E para, unë nuk besoj kurrë që do të jetë kandidat, sepse një gjë të tillë ia kam thënë edhe atij personalisht. Nuk e emëron, nuk e propozon Albin Kurti asnjëherë. Kështu që për këtë temë besoj që s’kemi me pas as arsye me e diskutu, përveç në mënyrë hipotetike,” tha Krasniqi.
Ai vuri në dukje mungesën e transparencës në negociatat mes partive, të cilën e cilësoi si tregues të qartë të pazareve për pushtet, e jo për ndonjë marrëveshje mbi programin qeverisës.
“Mungesa e transparencës nga të dyja palët është një shenjë që diçka nuk është në rregull. Besoj që ka të bëjë me apetitet pushtetore… nuk ma merr mendja që janë duke negociuar programin qeverisës, por pozicionet dhe ndarjen e pushtetit,” shtoi ai.
Krasniqi theksoi se PDK qëndron e unifikuar me 24 votat e saj dhe se qëndrimi i tyre është i pandryshuar që nga 15 prilli – për të ndihmuar konstituimin e institucioneve dhe kthimin e stabilitetit në vend.
“Siç e patë edhe sot, bile ndoshta edhe në një mënyrë më degraduese se kurdoherë më parë, Lëvizja Vetëvendosje duke shfrytëzuar kryesuesin e seancës, Avni Dehari, po e pamundëson me arbitraritet të plotë konstituimin e Kuvendit të Kosovës,” u shpreh ai.
Lidhur me afatin kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit, Krasniqi ngriti pikëpyetje serioze për vlefshmërinë e një procesi eventual pas ditës së 30-të, duke theksuar se kanë dërguar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për sqarim.
“Pikëpyetje e madhe është se a kemi të drejtë ta konstituojmë në ditën e 31-të. Ne kemi dërguar një lëndë në Gjykatën Kushtetuese dhe deri tash nuk kemi marrë një aktgjykim,” tha ai.
Ai shtoi se në mungesë të një vendimi të qartë nga Kushtetuesja para 26 korrikut, procesi rrezikon të hyjë në një krizë të thellë institucionale, ku çdo veprim i mëtejshëm mund të vlerësohet si antikushtetues.



