Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë për përpjekje të qëllimshme për destabilizimin e rajonit dhe nxitjen e urrejtjes ndëretnike. Gjatë një konference për media, Kurti komentoi arrestimin e Igor Popoviqit, ndihmësdrejtor në Zyrën për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, i cili dyshohet për veprime që cenojnë rendin kushtetues dhe vlerat themelore të Kosovës.
“Sundimi i rendit dhe ligjit është themeli i shtetit tonë dhe nuk bën dallime sipas etnisë apo pozitës. Çdokush që e shkel ligjin do të përballet me drejtësinë”, deklaroi Kurti, duke konfirmuar se rasti i Popoviqit është në trajtim nga organet kompetente të drejtësisë.
Sipas tij, deklaratat e Popoviqit kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë të izoluara, por pjesë e një strategjie më të gjerë të Beogradit. “Popoviq dhe Vuçiq janë dy fytyra të së njëjtës politikë përçarëse. Këto janë përpjekje të vazhdueshme për të destabilizuar Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor”, theksoi Kurti.
Kryeministri në detyrë reagoi ashpër edhe ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, të cilat i cilësoi “të papranueshme dhe kërcënuese për paqen”. “Kur komandanti suprem i një ushtrie lëshon deklarata nxitëse dhe kërcënuese, kjo nuk është më mendim individual, por politikë shtetërore”, tha ai.
Kurti paralajmëroi qytetarët për rrezik të ndalimeve arbitrare nga autoritetet serbe. “U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin udhëtimet drejt Serbisë. Kemi indikacione të qarta për ndalime të pajustifikuara dhe provokime të mundshme”, paralajmëroi ai.
Në fund të deklaratës, Kurti u bëri thirrje BE-së, NATO-s dhe komunitetit ndërkombëtar që të reagojnë ndaj asaj që ai e quajti “retorikë destabilizuese dhe të rrezikshme nga Beogradi zyrtar”.
“Këto nuk janë deklarata politike të zakonshme. Bëhet fjalë për një fushatë të organizuar që kërcënon paqen në Kosovë dhe në të gjithë rajonin”, përfundoi Kurti.



