Përpjekja e 49-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës ka dështuar sërish sot, për shkak të pamundësisë për të formuar Komisionin për votimin e fshehtë. Edhe kësaj here, nuk u arrit kuorumi i nevojshëm: vetëm 50 deputetë votuan në favor të formimit të komisionit, ndërkohë që nuk pati asnjë votë kundër apo abstenim.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, njoftoi se seanca do të vazhdojë të hënën, më 21 korrik, në orën 11:00.
“50 deputetë kanë votuar për, kundër nuk ka, abstenim nuk ka. Për sot ndërpritet seanca. Vazhdon më 21 korrik në orën 11:00”, deklaroi Dehari.
Dështimi i radhës ndodhi për shkak të mungesës së shumicës parlamentare nga koalicioni Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa, të cilët nuk kanë arritur të sigurojnë votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Deputetja Albulena Haxhiu ka dështuar gjashtë herë në tentativat për zgjedhje përmes votimit të hapur, ndërsa edhe përpjekjet për të kaluar në votim të fshehtë kanë ngecur.
Situata politike është duke hyrë në fazë kritike, pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik – afat i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese – atëherë mund të ketë pasoja juridike për deputetët.
Osmani ka bërë të ditur se është në përgatitje të një kërkese për interpretim kushtetues lidhur me krizën aktuale politike. “Nëse institucionet nuk formohen deri në fundjavë, lënda do t’i dorëzohet Gjykatës Kushtetuese në fillim të javës së ardhshme,” ka deklaruar ajo për KosovaPress.
Ndërkohë, deputeti Berisha ka ngritur shqetësimin për, siç e quajti ai, “ikje masive të egjiptianëve nga Kosova”, duke kërkuar mbështetje institucionale për këtë komunitet.



