Në ditën e fundit të vizitës shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer prezantuan një nismë të re të përbashkët për të frenuar kalimet ilegale të La Manshit me gomone – një çështje që ka shkaktuar tensione dhe polemika të vazhdueshme mes dy vendeve.
Ndërsa më shumë se 250 emigrantë shfrytëzuan motin e qetë për të mbërritur në Dover, Starmer njoftoi një politikë të re të quajtur “një brenda, një jashtë”, (one in, one out) e cila parashikon që emigrantët që mbërrijnë ilegalisht me gomone të kthehen në Francë. Në këmbim, Britania do të pranojë azilkërkues që nuk kanë tentuar hyrjen e paligjshme në territorin britanik shkruan Diaspora Shqiptare.
Sipas BBC-së, kjo politikë shihet si një “eksperiment” nga qeveria britanike, por një hap që “ia vlen të provohet”. Zbatimi i saj pritet të fillojë brenda disa javësh, megjithëse detajet konkrete të planit ende nuk janë bërë publike.
Por reagimet e para politike nuk kanë munguar. Sekretari i Brendshëm në hije i konservatorëve, Chris Philp, e kritikoi marrëveshjen duke deklaruar se “nuk përmban asnjë efekt ndëshkues”. Nga ana tjetër, Nigel Farage, udhëheqës i partisë Reform UK, i cili kaloi ditën në det pranë Doverit, e quajti marrëveshjen “një poshtërim për Britaninë e pas-Brexit-it”.
Shqiptarët dhe ndikimi i marrëveshjes së re
Kjo politikë pritet të prekë drejtpërdrejt edhe emigrantët shqiptarë që mbërrijnë përmes rrugëve të paligjshme në Britani. Gjatë viteve të fundit, shtetas nga Shqipëria kanë qenë shpesh në qendër të debatit mbi azilin në Mbretërinë e Bashkuar, me autoritetet britanike që kanë ngritur shqetësime për përfshirjen e disa prej tyre në rrjete të trafikimit njerëzor dhe punës së paligjshme.
Organizatat që monitorojnë të drejtat e emigrantëve kanë paralajmëruar se kthimi automatik i emigrantëve në Francë, pa një proces të qartë individual verifikimi, mund të rrezikojë të drejtat e atyre që janë realisht viktima të trafikimit ose të persekutimit. Për shqiptarët që udhëtojnë përmes rrugëve të rrezikshme dhe shpesh bien pre e grupeve kriminale ndërkombëtare, mbetet e paqartë nëse kjo marrëveshje do të ulë fluksin apo do të ndryshojë thjesht itinerarin e rrugëve të paligjshme.
Ndërkohë, në deklaratën e përbashkët, Macron dhe Starmer theksuan se kjo marrëveshje nuk është fundi i procesit, por vetëm hapi i parë në një strategji të re për të menaxhuar migracionin në mënyrë të koordinuar mes dy vendeve.
Përveç çështjes së emigracionit, Macron dhe Starmer njoftuan gjithashtu një bashkëpunim historik në fushën e mbrojtjes: për herë të parë, Britania dhe Franca do të koordinojnë kapacitetet e tyre të parandalimit bërthamor dhe do të bashkërendojnë blerjen e raketave cruise – një tjetër sinjal i afrimit strategjik pas viteve të tensioneve pas-Brexit.



