Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatir Limaj, ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në takimin e parashikuar për nesër në orën 16:00 me kryeministrin në detyrë dhe liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.
“Sigurisht që po, është në vazhdën e vizionit tim,” tha Limaj përpara gazetarëve, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe dialogut për të arritur konsensus politik.
Limaj u shpreh se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka vërtetuar qëndrimet e tij të mëparshme, duke theksuar nevojën për një marrëveshje politike të gjerë që do të lehtësojë ndërtimin e institucioneve të reja në vend.
“Gjykata Kushtetuese ka ruajtur pavarësinë e saj, duke mos u shndërruar në një institucion partiak, dhe ka dhënë mesazhe dhe porosi të rëndësishme për stabilitetin politik në Kosovë,” deklaroi Limaj, duke shprehur respekt të madh për rolin e këtij institucioni në kushtet e sfidave politike që përjeton vendi.
Takimi i nesërm pritet të jetë një hap i rëndësishëm në përpjekjet për arritjen e një konsensusi mes partive politike në Kosovë dhe konstituimin e institucioneve të reja.