LOT Polish Airlines, një nga kompanitë ajrore më të vjetra dhe më të njohura në Evropë, së bashku me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA), organizuan sot një konferencë biznesi dedikuar agjencive të udhëtimit dhe operatorëve turistikë shqiptarë. Qëllimi kryesor i aktivitetit ishte forcimi i partneritetit tregtar dhe promovimi i mëtejshëm i pranisë së LOT në tregun shqiptar, ndërkohë që u prezantuan edhe zhvillimet strategjike dhe investimet e TIA-s.
Në takim, LOT Polish Airlines prezantoi rrjetin e saj të zgjeruar me mbi 113 destinacione në Evropë, Amerikën e Veriut dhe Azi, duke e pozicionuar aeroportin e Varshavës si një nyje efikase për tranzit dhe lidhje ndërkombëtare. U theksuan përmirësimet në komoditetin e udhëtimit, rritja e peshës së lejuar të bagazheve, akses në sallat e biznesit dhe përfitimet e programit të besnikërisë “Miles & More”.
Nga ana e saj, TIA prezantoi progresin e bërë në infrastrukturë, zgjerimin e terminalit, përmirësimin e përpunimit digjital të pasagjerëve dhe përkushtimin ndaj zhvillimit të qëndrueshëm. Aeroporti i Tiranës është një nga më të shpejtë në rritje në rajon, dhe sipas drejtuesve, bashkëpunime të tilla me kompani prestigjioze si LOT janë kyçe për zgjerimin e lidhjeve ndërkombëtare.
“Polonia është një nga tregjet më premtuese për turizmin shqiptar dhe LOT Polish Airlines po luan një rol thelbësor në këtë drejtim. Me rrjetin e saj ndërkombëtar dhe fluturimet e përditshme drejt Varshavës, Tirana ka tani një akses më të mirë drejt Europës dhe Amerikës së Veriut,” u shpreh Piervittorio Farabbi, Drejtor Operacional i TIA-s. Ai shtoi se që nga fillimi i operimit të saj në Tiranë, LOT ka transportuar mbi 250 mijë pasagjerë.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i LOT Polish Airlines, Krzysztof Moczulski, theksoi rëndësinë e Tiranës si një destinacion në rritje në Evropën Juglindore dhe angazhimin e kompanisë për të forcuar lidhjet mes Shqipërisë dhe Polonisë:
“Jemi të përkushtuar për të mbështetur zhvillimin e turizmit dhe lidhjeve ekonomike ndërmjet dy vendeve tona.”
Pas prezantimeve, pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë dhe të krijojnë kontakte të reja bashkëpunimi. Ngjarja u vlerësua si një hap i rëndësishëm për zgjerimin e mundësive të udhëtimit për qytetarët shqiptarë dhe për vendosjen e Shqipërisë në hartë ndestinacioneve të preferuara ndërkombëtare.




