Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka paralajmëruar ndryshime të thella në doktrinën ushtarake të vendit, duke theksuar se Serbia duhet të jetë “pakrahasueshmërisht më e fortë” përballë një bote që, sipas tij, po lëviz drejt anarkisë ndërkombëtare dhe përshkallëzimit të konflikteve.
Në një deklaratë të dhënë pas pjesëmarrjes në një seancë të kolegjiumit të zgjeruar të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Serbe, Vuçiç tha se prioriteti i vendit të tij është rritja e kapaciteteve mbrojtëse, ndërkohë që u shpreh se “ligji dhe drejtësia kanë pushuar së ekzistuari”.
Duke iu referuar sulmit të fundit të Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit, ai ngriti pikëpyetje mbi legjitimitetin e rendit ndërkombëtar:
“Si do të flisni ju të Perëndimit tani me Rusinë, pas sulmit të ri të Amerikës ndaj Iranit, për shkelje të integritetit territorial? Të qenit një shtet anëtar i OKB-së nuk do të thotë më asgjë,” deklaroi Vuçiç.
Ai shtoi se përballë këtyre zhvillimeve, Serbia po e orienton ushtrinë e saj drejt një strukture shumë më të fortë, me investime të mëdha në armë dhe logjistikë. Presidenti serb u shpreh se nëse vendi i tij do të përballej me një sulm si në vitin 1999, përgjigjja do të ishte shumë më e fuqishme.
Në këtë kontekst, Vuçiç paralajmëroi organizimin e një parade ushtarake “më të madhen deri më tani”, që do të mbahet në muajin shtator. Ai njoftoi se do të marrin pjesë mbi 10,000 trupa dhe se do të ekspozohet gjithçka që Serbia ka blerë dhe prodhuar në fshehtësi gjatë viteve të fundit.
“Ne do të tregojmë forcën reale të ushtrisë sonë. Serbia do të jetë një fortesë e pathyeshme,” theksoi Vuçiç.
Në të njëjtën linjë me përgatitjet ushtarake, ai bëri të ditur se është vendosur pezullimi i plotë i eksporteve të municioneve dhe se këto sasi do të ruhen tashmë vetëm në kazermat dhe depot brenda vendit.
Një tjetër hap i paralajmëruar është rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak, i cili ishte hequr disa vite më parë. Ky vendim është pjesë e strategjisë së re për “mbrojtje kombëtare aktive”.
Deklaratat e Vuçiç vijnë në një kohë të rritjes së tensioneve gjeopolitike dhe përpjekjeve për të ruajtur influencën e Serbisë në rajon. Shtimi i retorikës ushtarake dhe sinjalet për armatosje të fshehtë pritet të ngjallin reagime në rajon dhe më gjerë.



