Për të 36-tën herë me radhë, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet, duke lënë pezull legjislaturën e nëntë dhe formimin e institucioneve të reja, më shumë se pesë muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar pas dështimit të fundit duke ironizuar me situatën dhe duke thënë se opozita, në vend që t’i shkurtojë mandatin, po ia zgjat atë. Ai ka nënvizuar se për herë të parë ndodh që një opozitë të mos jetë e interesuar për ndërrimin e pushtetit.
“Ju gjithmonë e dini që kam hyrë në çerekun e dytë të vitit të pestë të mandatit të plotë. Çdo opozitë demokratike përpiqet që t’ia shkurtojë mandatin qeverisë. Përveç opozitës kosovare, e cila, siç jeni dëshmitarë të gjithë ju, po e zgjat mandatin e qeverisë Kurti. Dikush edhe mund të mendojë se kemi marrëveshje,” tha Kurti nga një aktivitet në Ministrinë e Shëndetësisë, ku u vendos gurthemeli për rinovimin e aneksit të saj.
Ai shtoi se moskonstituimi i Kuvendit për shkak të mungesës së komisionit për votimin e fshehtë është i pakuptueshëm, duke shprehur habinë për refuzimin e opozitës për të përfshirë anëtarët e saj në këtë proces.
“Nuk kam shpjegim për këtë sjellje nëpër të cilën po kalojnë institucionet e Kosovës. Ne, në bazë të nenit 31 të Ligjit për Qeverinë, kemi më pak kompetenca, por kemi njësoj shumë punë. Sa më herët që e konstituojmë Kuvendin, aq më shpejt do të kemi qeverinë e re,” shtoi ai.
Në seancën e fundit të mbajtur më 23 qershor, kryesuesi Avni Dehari kërkoi sërish nga subjektet opozitare të propozojnë emrat për anëtarët e komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. As këtë herë nuk pati propozime, ndërsa nga deputetët e pranishëm 53 votuan pro, një kundër dhe nuk pati asnjë abstenim – shifra që sërish nuk e përmbushin kuorumin e nevojshëm.
Partitë opozitare, përfshirë PDK, LDK, AAK dhe Nismën Socialdemokrate, vazhdojnë të kundërshtojnë mënyrën e votimit dhe të mos japin mbështetje për Albulena Haxhiun, kandidate e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit.



