Kalldrëmet e gurta të Gjirokastrës janë gjallëruar sërish këtë vit, teksa qyteti i UNESCO-s po përjeton një tjetër sezon të suksesshëm turistik. Sipas të dhënave të Bashkisë së Gjirokastrës, gjatë periudhës janar-maj 2025, mbi 70 mijë turistë vendas dhe të huaj kanë vizituar qytetin, duke shfaqur interes për atraksionet kulturore, historike dhe natyrore që ofron zona.
Kryetari i Bashkisë, Flamur Golemi, tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) se interes të lartë kanë pasur Kalaja, Pazari i vjetër, muzetë lokalë, Parku Natyror i Viroit dhe siti arkeologjik i Antigonesë. Së fundmi, destinacionet janë zgjeruar edhe në fshatrat përreth si Lunxhëri, Cepo, Odrie dhe Antigone, duke i dhënë një dimension të ri guidave turistike.
“Turistët vijnë nga vende të ndryshme si Italia, Franca, Spanja, Kroacia, Britania e Madhe, por edhe nga Irlanda”, tha Golemi, duke theksuar rritjen e vazhdueshme të interesit ndërkombëtar për Gjirokastrën.
Në vetëm katër muajt e parë të vitit, muzetë e qytetit janë vizituar nga 7,735 turistë, një shifër që tregon për rritje krahasuar me një vit më parë. Muzeu Etnografik, muzeu “Kadare”, “Tuneli” dhe ai në Kala mbeten ndër më të preferuarit.
Bashkia e Gjirokastrës ka përgatitur një kalendar të pasur aktivitetesh kulturore dhe artistike për sezonin turistik, me synim promovimin e trashëgimisë lokale dhe ofrimin e eksperiencave të pasura për vizitorët. “Përveç eventeve kulturore, të gjitha strukturat e bashkisë janë angazhuar në masa për një mjedis të pastër dhe mikpritës”, u shpreh Golemi.
Gjatë vitit 2024, Gjirokastra u vizitua nga mbi 700 mijë turistë vendas dhe të huaj, duke e kthyer turizmin në një prej motorëve kryesorë të zhvillimit ekonomik lokal.



